Kalo te përmbajtja

23 MARS 2015
AZERBAJXHAN

Rritet intoleranca fetare në Azerbajxhan

Rritet intoleranca fetare në Azerbajxhan

Intoleranca fetare po përshkallëzohet në Azerbajxhan teksa autoritetet u vënë gjoba të rënda Dëshmitarëve të Jehovait dhe i burgosin. Autoritetet po i ndjekin penalisht Dëshmitarët ngaqë mblidhen për të adhuruar Perëndinë dhe u flasin të tjerëve për bindjet e tyre.

Kriminalizohet aktiviteti fetar

Më 5 dhjetor 2014, dy Dëshmitare të Jehovait—Irina Zaharçenko, një vejushë 55-vjeçare me invaliditet të pjesshëm, dhe 38-vjeçarja Valida Jabrajilova, që është personi kryesor që kujdeset për nënën e saj—po flitnin për besimin e tyre me banorët e një kompleksi apartamentesh në Baku. Dy gratë po ofronin falas broshurën Mësoji fëmijët, e cila i ndihmon prindërit t’u mësojnë fëmijëve tregime dhe mësime nga Bibla. *

Hetuesia i paditi penalisht për shpërndarje të literaturës biblike pa «lejen e duhur». Konkretisht, akuza kundër grave ishte për një krim të kryer si grup i organizuar, dhe kjo përfshin një gjobë të lartë nga 7.000 deri 9.000 manate (6.690 deri 8.600 dollarë) * ose dy deri në pesë vjet burgim.

Gjatë hetimeve, hetuesia dhe Ministria e Sigurisë Kombëtare (MSK) i mori në pyetje gratë herë pas here. Më 17 shkurt 2015, kur gratë u paraqitën sërish për t’u marrë në pyetje nga MSK-ja, papritur u gjendën para një gjyqi me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krahinës Sabail në Baku.

Pasi paraqiti akuzat penale, hetuesi i MSK-së kërkoi që gratë të viheshin në paraburgim, ngaqë mendonte se kishte gjasa që ato ta kryenin shkeljen përsëri dhe mund «të arratiseshin e t’u fshiheshin hetimeve». Avokati mbrojtës kundërshtoi duke thënë se burgosja ishte e pajustifikueshme për shkak të rrethanave dhe të faktit që gratë kishin bashkëpunuar me autoritetet. Megjithëse gjykatësi u shpreh se gratë nuk ishin dënuar më parë, ai e cilësoi aktivitetin e tyre si «kërcënim për publikun» dhe pranoi kërkesën e hetuesisë për t’i burgosur ato tre muaj në burgun që drejtohet nga policia sekrete.

Avokati mbrojtës e apeloi vendimin dhe më 26 shkurt 2015, policia i mori ato nga burgu me një mjet me xhama të errët dhe i çoi në pranga në Gjykatën e Apelit në Baku. Në seancën me dyer të mbyllura, as prokurori, as hetuesi i MSK-së, nuk paraqitën ndonjë provë që të tregonte se paraburgimi ishte i nevojshëm. Gjithsesi, gjykata e hodhi poshtë apelimin dhe znj. Zaharçenko e znj. Jabrajilova i kthyen përsëri në burg.

Më 6 mars 2015, dy grupe nga MSK-ja morën urdhra gjykate dhe kontrolluan shtëpitë e znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova. Ata konfiskuan literaturën e tyre fetare, blloqe shënimesh personale, një kompjuter dhe një celular. Më 10 mars 2015, MSK-ja, Komiteti Shtetëror për Shoqatat Fetare dhe policia, paraqitën urdhra gjykate për të kontrolluar Sallën e Mbretërisë (godinë adhurimi) dhe shtëpinë e një plaku të kongregacionit. Gjithashtu, MSK-ja ka thirrur disa Dëshmitarë në Baku për t’i marrë në pyetje në lidhje me këtë çështje.

Në përgjigje të burgosjes së znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, Dëshmitarët e Jehovait kanë përgatitur një letër drejtuar Reporterit të Posaçëm të OKB-së për Lirinë e Fesë ose të Besimit dhe Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare, me anë të së cilës kërkojnë që këta të ndërhyjnë. Një avokat vendës po përgatit një kërkesë për gjykatën e shkallës së parë që ta ndryshojë masën e paraburgimit me arrest shtëpie.

Gjoba të rënda dhe dënime me burgim ngaqë ndjekin shërbesa fetare

Në Ganja autoritetet kanë gjobitur rëndë pjesëmarrësit në mbledhjet fetare të Dëshmitarëve dhe disa i kanë burgosur. Gjobat shkojnë nga 1.500 manate (1.433 dollarë) deri në 2.000 manate (1.911 dollarë).

Në tetor 2014, gjykatat në Ganja burgosën tre Dëshmitarë dhe një burrë që po ndiqte shërbesat e tyre fetare, për mospagim të gjobave që u kishin vënë ngaqë ishin mbledhur për të adhuruar. Ndonëse kishin bërë pagesa të pjesshme, autoritetet i burgosën 3 deri në 20 ditë.

Burri që po adhuronte bashkë me Dëshmitarët tha: «Për mua 1.500 manate (1.433 dollarë) janë tërë ato para. . . . Në fillim nuk doja ta paguaja gjobën ngaqë e quaj veten të pafajshëm.» Edhe dy Dëshmitarë menduan se ndëshkimi i tyre ishte i padrejtë dhe raportuan se autoritetet i trajtuan si kriminelë.

Dëshmitari i tretë që u burgos, një grua, thotë: «Askush nuk e mori parasysh që familja ime është në gjendje shumë të vështirë ekonomike, që unë kujdesem për mamanë time invalide, e cila nuk mund të bëjë asgjë vetë, dhe që unë nisa ta paguaja gjobën vullnetarisht.»

Që të katërt e kanë përfunduar dënimin me burg, por gjykata ende kërkon pagesën e plotë të gjobave. Nëse nuk arrijnë ta plotësojnë kërkesën e gjykatës për ta bërë pagesën në kohë, gjykata mund të urdhërojë përsëri burgosjen e tyre.

A do ta vërë në vend drejtësinë Azerbajxhani?

Zyrtarët në Azerbajxhan kanë përdorur metoda të ndryshme për të penguar aktivitetin fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Aktualisht, Dëshmitarët e Jehovait kanë 19 kërkesa kundër Azerbajxhanit në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ato kanë të bëjnë me intolerancën që po hasin. Ndërkohë, Dëshmitarët shpresojnë që autoritetet e larta të Azerbajxhanit do ta ndreqin padrejtësinë e paraburgosjes së znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova. Duke vënë në vend drejtësinë për këtë akt dhe për akte të tjera të intolerancës fetare, Azerbajxhani mund të tregojë se respekton nënshtetasit dhe kushtetutën e tij dhe se mbron të drejtat themelore të njeriut.

^ par. 4 Më 11 gusht 2014, Komiteti Shtetëror për Shoqatat Fetare i Republikës së Azerbajxhanit miratoi importimin e kësaj broshure, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 5 Sipas llogaritjeve në gusht 2014, paga mujore mesatare në Azerbajxhan është 440 manate (420 dollarë).