Kush sundon në të vërtetë mbi botën?
Kush sundon në të vërtetë mbi botën?
Shumë njerëz pyetjes së vënë më lart do t’i përgjigjeshin thjesht me një fjalë—Perëndia. Por, është me rëndësi, se Bibla askund nuk thotë se Jezu Krishti apo Ati i tij janë sundues të vërtetë të kësaj bote. Përkundrazi, Jezui ka thënë: «Sundimtari i kësaj bote do të hidhet jashtë.» Ai ka shtuar: «Sundimtari i botës po vjen. Ai nuk ka ndikim mbi mua.»—Gjoni 12:31; 14:30; 16:11.
Kështu, sunduesi i kësaj bote është kundërshtar i Jezuit. Kush mund të jetë ky?
Kushtet botërore tregojnë
Pavarësisht nga përpjekjet e njerëzve qëllimmirë, gjatë historisë bota ka vuajtur tmerrësisht. Kjo ka shkaktuar që njerëzit, që mendojnë ngjashëm shkrimtarit dhe redaktorit të ndjerë David Lawrence, të habiten: «Paqe në tokë—gati çdonjëri e dëshiron këtë. Vullnet i mirë midis njerëzve—gati të gjithë popujt në botë e ndjejnë këtë ndaj njëri-tjetrit. Atëherë, çfarë nuk është në rregull? Përse, përkundër dëshirave të natyrshme njerëzore, kërcënohet lufta?»
Kjo duket paradoksale, apo jo? Ndërsa dëshira natyrore e njerëzve është që të jetojnë në paqe, ata zakonisht e urrejnë dhe e vrasin njëri-tjetrin, madje me shumë egërsi. Sill në mend vetëm mizoritë gjakftohta në torturat e tmerrshme. Njerëzit kanë përdorur dhomat me gaz, kampet e përqëndrimit, flakëhedhësit, bombat me napalm dhe metoda të tjera të tmerrshme për të torturuar dhe masakruar njëri-tjetrin pa mëshirë.
A beson se njerëzit, që anojnë nga paqja dhe lumturia, vetvetiu mund të jenë aq të ligj ndaj të tjerëve? Cilat fuqi i shtyjnë njerëzit në vepra të këtilla neveritëse apo i drejtojnë në situata në të cilat ndihen të detyruar të kryejnë vepra mizore? A ke menduar ndonjëherë se mos ndonjë fuqi e ligë,
e padukshme, ndikon te njerëzit që të kryejnë vepra të këtilla dhune?Qeveritarët e botës janë identifikuar
S’është e nevojshme të hamendemi mbi këtë çështje, sepse Bibla në mënyrë të qartë tregon se një person i zgjuar, i padukshëm është duke i kontrolluar njerëzit dhe kombet. Ajo thotë: «E gjithë bota shtrihet nën fuqinë e të ligut.» Bibla e identifikon atë, duke thënë: «Ai që quhet Djall dhe Satana . . . po e mashtron gjithë tokën e banuar.»—1 Gjonit 5:19; Zbulesa 12:9.
Në një rast, kur Jezui ka qenë «i sprovuar nga Djalli», ai nuk e ka vënë në pyetje rolin e Satanait si sundues i kësaj bote. Bibla shpjegon se çfarë ka ndodhur: «Djalli e çoi në një mal të lartë të pazakonshëm dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre dhe i tha atij: ‘Të gjitha këto gjëra do t’i jap nëse përkulesh dhe kryen një akt adhurimi ndaj meje.’ Atëherë Jezui i tha: ‘Ik tutje Satana!’»—Mateu 4:1, 8-10.
Mendo pak në lidhje me këtë. Satanai e ka sprovuar Jezuin duke i ofruar «të gjitha mbretëritë e botës». Por, a do të ishte oferta e Satanait sprovim i vërtetë nëse ai s’do të ishte me të vërtetë sundues i këtyre mbretërive? Jo, nuk do të ishte. Vërej gjithashtu, se Jezui nuk ka mohuar se të gjitha ato qeveri botërore kanë qenë të Satanait, gjë që me siguri do ta bënte sikur ai (Satanai) të mos kishte fuqi mbi to. Kështu, pra, Satana Djalli me të vërtetë është sundues i padukshëm i botës! Në të vërtetë, Bibla e quan atë «perëndi të këtij sistemi të gjërave». (2 Korintasve 4:4) Por, si ka arritur një person aq i lig në këtë pozitë të fuqishme?
Ai që është bërë Satana ka qenë një engjëll i krijuar nga Perëndia, por është bërë lakmitar ndaj pozitës së Perëndisë. Ai e ka kundërshtuar sundimin e drejtë të Perëndisë. Më në fund, ka përdorur gjarprin si zëdhënës për të mashtruar gruan e parë, Evën, dhe kështu ka mundur ta fitojë atë dhe bashkëshortin e saj Adamin që të veprojnë sipas urdhrave të tij në vend se të dëgjojnë Perëndinë. (Zanafilla 3:1-6; 2 Korintasve 11:3) Ai gjithashtu ka pohuar se të gjithë pasardhësit ende të palindur të Adamit dhe të Evës mund t’i kthejë kundër Perëndisë. Prandaj, Perëndia i ka lejuar një kohë Satanait që të përpiqet të provojë pohimin e vet, por Satanai nuk ka pasur sukses.—Jobi 1:6-12; 2:1-10.
Është me rëndësi, se Satanai nuk është i vetëm në sundimin e tij mbi botën. Ai me sukses ka bindur edhe engjëj të tjerë që t’i shoqërohen në kryengritjen kundër Perëndisë. Këta janë bërë demonë, bashkëfajtorë të tij frymorë. Bibla flet për ta kur i nxit të krishterët: «Qëndroni të fortë kundër dredhive të Djallit; sepse ne luftojmë, jo kundër gjakut e mishit, por . . . kundër sundimtarëve botërorë të kësaj errësire, kundër fuqive të liga frymore në vendet qiellore.»—Efesianëve 6:11, 12.
Kundërshtimi ndaj frymërave të liga
Këta sundimtarë të padukshëm të ligj të botës, janë të vendosur që të mashtrojnë gjithë njerëzimin, duke e kthyer nga adhurimi i Perëndisë. Një mënyrë në të cilën frymërat e liga e bëjnë këtë është përmes përkrahjes së idesë së të mbijetuarit pas vdekjes, edhe pse Fjala e Perëndisë tregon qartë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm. (Zanafilla 2:17; 3:19; Ezekieli 18:4; Psalmi 146:3, 4; Eklisiastiu 9:5, 10) Kështu, fryma e ligë duke imituar zërin e ndokujt që ka vdekur, mund të flasë me kushërinjtë apo miqtë e tij qoftë përmes mediumit frymor apo përmes «zërit» nga vendi i padukshëm. «Zëri» hiqet sikur është personi i vdekur, por ai në të vërtetë është demoni!
Prandaj, nëse nganjëherë dëgjon ndonjë «zë» të këtillë, mos u mashtro! Hidh poshtë çdo gjë që të thotë dhe përsërit fjalët e Jezuit: «Ik tutje, Satana!» (Mateu 4:10; Gjoni 4:7) Mos lejo që kureshtja mbi mbretërinë frymore të të shkaktojë ngatërresa me frymërat e liga! Një ngatërresë e tillë quhet spiritizëm, ndërsa Perëndia i paralajmëron adhuruesit e vet kundër çdo forme të tij. Bibla dënon «çdo njeri që merret me falle . . . apo këdo që konsultohet me mediume frymore apo parashikuesit profesionistë të ngjarjeve apo ndonjërin që pyet të vdekurit».—Ligji i përtrirë 18:10-12; Galatasve 5:19-21; Zbulesa 21:8.
Pasi spiritizmi e çon një person nën ndikimin e demonëve, kundërshtoi të gjitha format e tij pa marrë parasysh sesa zbavitëse apo gjallëruese mund të duken. Këto veprime përfshijnë vështrimin e sferës së kristaltë, përdorimin e tabelave të alfabetit, transhendencën, vështrimin e vijave të dorës së ndokujt, (hiromatia) dhe astrologjinë. Demonët gjithashtu kanë shkaktuar zëra dhe fenomene të tjera fizike në shtëpitë që i kanë bërë territor të tyre.
Përveç kësaj, frymërat e liga shfrytëzojnë edhe prirjet mëkatare të njerëzve përmes propagandës së literaturës, filmave dhe programeve televizive, të cilat veçojnë jomoralin dhe marrëdhëniet seksuale të panatyrshme. Demonët e dinë se Zanafilla 6:1, 2; 1 Selanikasve 4:3-8; Juda 6.
mendimet e gabuara, nëse nuk dëbohen nga mendja, do të shkaktojnë përshtypje të paharrueshme dhe do t’i udhëheqin njerëzit në sjellje jomorale—të ngjashme me vet demonët.—Vërtet, shumica mund ta përqeshin idenë se mbi këtë botë sundojnë frymërat e liga. Por, mosbesimi i tyre nuk befason, sepse Bibla thotë: «Vet Satanai transformohet në engjëll të dritës.» (2 Korintasve 11:14) Mashtrimi i tij më i shkathët ka qenë se ka verbuar shumicën para faktit se ai dhe demonët e tij ekzistojnë me të vërtetë. Por, mos u mashtro! Djalli dhe demonët e tij janë të vërtetë dhe është e nevojshme që t’i kundërshtosh ata vazhdimisht.—1 Pjetrit 5:8, 9.
Lumturisht, tani është afër koha kur Satanai dhe shoqëruesit e tij s’do të ekzistojnë më! «Bota [duke përfshirë edhe sundimtarët e saj djallëzor] po kalon,—thotë Bibla,—por, ai që kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:17) Ç’lehtësim do të jetë kur të zhduket ky ndikim i lig! Prandaj, le të jemi në mesin e atyre që kryejnë vullnetin e Perëndisë dhe që përgjithmonë do t’i gëzohen jetës në botën e re të drejtë të Perëndisë.—Psalmi 37:9-11, 29; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.
[Figura në faqen 4]
A do të mund t’ia ofronte Satanai Jezuit të gjitha mbretëritë e kësaj bote, sikur të mos i takonin atij?