Kalo te përmbajtja

Qeveria që do të sjellë Parajsën

Qeveria që do të sjellë Parajsën

Qeveria që do të sjellë Parajsën

Kur ishte në tokë, Jezui u tha ithtarëve të tij të luteshin për Mbretërinë e Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.» (Mateu 6:9, 10) Gjithashtu, ai foli vazhdimisht për «lajmin e mirë të mbretërisë». (Mateu 4:23) Në fakt, ai ka folur për Mbretërinë më shumë sesa për çdo gjë tjetër. Përse? Sepse Mbretëria është mjeti që do të përdorë Perëndia për të zgjidhur problemet që na e vështirësojnë kaq shumë jetën sot. Përmes Mbretërisë, Perëndia do t’u japë së shpejti fund luftërave, urisë, sëmundjeve e krimeve dhe do të vendosë paqe e unitet.

A do të të pëlqente të jetoje në një botë të tillë? Nëse po, atëherë duhet të lexosh këtë broshurë. Në të do të mësosh se Mbretëria është një qeveri, por shumë më e mirë se çdo qeveri që ka sunduar deri tani mbi njerëzimin. Do të shikosh, gjithashtu, mënyrën madhështore në të cilën Perëndia u shpjegoi gradualisht shërbëtorëve të vet qëllimet e tij në lidhje me Mbretërinë. Përveç këtyre, do të shohësh se si mund të të ndihmojë Mbretëria edhe sot.

Vërtet, ti mund të bëhesh që tani një nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë. Por, para se të vendosësh të bëhesh i tillë, duhet të dish më shumë mbi të. Prandaj, ne të inkurajojmë ta shqyrtosh këtë broshurë. Çdo gjë që do të të mësojë mbi Mbretërinë, është marrë nga Bibla.

Së pari, le të shohim përse kemi kaq shumë nevojë për Mbretërinë e Perëndisë.

Në fillim të historisë njerëzore, Perëndia e bëri njeriun të përsosur dhe e vuri atë në një parajsë. Në atë kohë, Mbretëria nuk nevojitej.

Megjithatë, Adami dhe Eva, prindërit tanë të parë, dëgjuan Satanain, një engjëll rebel. Ai i gënjeu ata për Perëndinë dhe bëri që edhe ata të rebeloheshin kundër Perëndisë. Në këtë mënyrë, ata merituan vdekjen, sepse «paga e mëkatit është vdekja».—Romakëve 6:23.

Një njeri i papërsosur mëkatar nuk mund të ketë fëmijë të përsosur. Për këtë arsye, të gjithë fëmijët e Adamit lindën të papërsosur, mëkatarë dhe të vdekshëm.—Romakëve 5:12.

Duke filluar që atëherë, njerëzve u nevojitej Mbretëria e Perëndisë për t’i ndihmuar të çliroheshin nga mallkimi i mëkatit dhe i vdekjes. Gjithashtu, Mbretëria do të pastrojë emrin e Perëndisë nga gënjeshtrat që Satanai tha kundër tij.

Perëndia Jehova premtoi se do të lindte një ‘farë’ (ose pasardhës) e veçantë, për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati. (Zanafilla 3:15) Kjo ‘farë’ do të bëhej Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Kush do të ishte ai?

Rreth 2.000 vjet pas mëkatit të Adamit, jetoi një njeri shumë besnik, i quajtur Abraham. Jehovai i tha Abrahamit ta linte qytetin e tij dhe të jetonte nëpër tenda në tokën e Palestinës.

Abrahami i bëri të gjitha ato që i tha Jehovai, duke përfshirë edhe një gjë mjaft të vështirë. Jehovai i tha atij të flijonte mbi altar birin e tij, Isakun.

Në të vërtetë, Jehovai nuk dëshironte një sakrificë njerëzore. Por donte të dinte sa shumë e donte Abrahami. Abrahami gati po e vriste Isakun, kur Jehovai e ndaloi.

Për shkak të besimit të madh të Abrahamit, Jehovai premtoi t’u jepte pasardhësve të tij tokën e Palestinës dhe tha se Fara e premtuar do të vinte përmes pasardhësve së tij dhe të birit të tij, Isakut.—Zanafilla 22:17, 18; 26:4, 5.

Isaku pati dy binjakë, Esaun dhe Jakobin. Jehovai tha se Fara e premtuar do të vinte përmes Jakobit.—Zanafilla 28:13-15.

Jakobi, të cilin Jehovai e quajti edhe Izrael, pati 12 bij, të cilët patën të gjithë fëmijë. Në këtë mënyrë, fëmijët e Abrahamit filluan të shumohen.—Zanafilla 46:8-27.

Kur në atë zonë pllakosi një uri e madhe, Jakobi dhe familja e tij shkuan në Egjipt me ftesë të faraonit, sundimtarit të Egjiptit.—Zanafilla 45:16-20.

Në Egjipt u zbulua se Fara e premtuar do të ishte pasardhës i Judës, birit të Jakobit.—Zanafilla 49:10.

Përfundimisht Jakobi vdes dhe pasardhësit e tij rriten në numër, derisa u bënë si një komb. Më pas, egjiptianët filluan t’u frikësoheshin atyre, kështu që i bënë skllevër.—Të Dalët 1:7-14.

Së fundi, Jehovai dërgoi Moisiun, një njeri shumë besnik që t’i kërkonte faraonit të atëhershëm lirimin e bijve të Izraelit.—Të Dalët 6:10, 11.

Faraoni nuk pranoi, prandaj Jehovai u shkaktoi dhjetë plagë egjiptianëve. Në plagën e fundit, ai dërgoi engjëllin e vdekjes të vriste të gjithë të parëlindurit e Egjiptit.—Të Dalët, kapitujt 7 deri në 12.

Perëndia u tha izraelitëve se nëse do të thernin një qengj për darkë dhe të spërkatnin me pak gjak shtalkun e derës, engjëlli i vdekjes do të kalonte mbi shtëpitë e tyre. Në këtë mënyrë, të parëlindurit izraelitë shpëtuan.—Të Dalët 12:1-35.

Si pasojë, faraoni i urdhëroi izraelitët të iknin nga Egjipti. Por më pas, ai ndryshoi mendje dhe i ndoqi për t’i kthyer përsëri.

Jehovai hapi përmes Detit të Kuq një rrugë shpëtimi për izraelitët. Kështu, kur faraoni dhe ushtritë e tij u përpoqën t’i ndiqnin, ata u mbytën.—Të Dalët 15:5-21.

Jehovai i çoi izraelitët në shkretëtirë, në malin Sinai. Atje u dha atyre Ligjin e tij dhe tha se nëse do ta mbanin, do të bëheshin një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Kështu, me kalimin e kohës, izraelitët patën mundësi të ishin një pjesë e rëndësishme e Mbretërisë së Perëndisë.—Të Dalët 19:6; 24:3-8.

Pasi izraelitët kishin qëndruar gati një vit në malin Sinai, Jehovai i çoi ata drejt Palestinës, tokës që i kishte premtuar paraardhësit të tyre, Abrahamit.

Në Palestinë, Perëndia i lejoi më vonë izraelitët të sundoheshin nga mbretër. Në atë kohë, Perëndia pati një mbretëri në tokë.

Mbreti i dytë i Israelit ishte Davidi, një pasardhës i Judës. Davidi i mundi të gjithë armiqtë e Izraelit dhe e bëri Jerusalemin qytetin kryesor të kombit.

Ngjarjet gjatë mbretërimit të Davidit tregojnë se kur Jehovai e mbështet një mbret, s’ka sundimtar në tokë që mund ta mposhtë atë.

Jehovai tha se Fara e premtuar do të ishte një nga pasardhësit e Davidit.—1. Kronikave 17:7, 11, 14.

Pas Davidit, mbretëroi Solomoni biri i tij. Ai ishte një mbret i mençur dhe nën mbretërimin e tij Izraeli përparoi.

Gjithashtu, Solomoni ndërtoi një tempull të shkëlqyer në Jerusalem. Kushtet e Izraelit nën mbretërimin e Solomonit na tregojnë disa nga bekimet që Mbretëria e ardhshme e Perëndisë do t’i sjellë njerëzimit.—1. Mbretërve 4:24, 25.

Mirëpo, shumë mbretër pas Solomonit ishin shumë të pabesë.

Por, ndërkohë që pasardhësit e Davidit sundonin akoma në Jerusalem, Jehovai përdori profetin e tij Isaia, për të treguar për Birin e ardhshëm të Davidit, i cili do të sundonte gjithë tokën në besnikëri. Ky do të ishte Fara e premtuar.—Isaia 9:6, 7.

Profeti Isaia e paratha sundimin e Tij si më të lavdishëm se ai i Solomonit.—Isaia, kapitujt 11 dhe 65.

Tani, shërbëtorët e Perëndisë pyetnin veten më shumë se kurrë se kush do të ishte kjo Farë.

Mirëpo, para ardhjes së Farës, mbretërit e Izraelit u bënë kaq të ligj, sa në vitin 607 p.e.s., Jehovai lejoi që kombi të mundej nga babilonasit dhe pjesa më e madhe e popullit mërgoi në Babiloni. Megjithatë, Perëndia nuk e kishte harruar premtimin e tij. Prapëseprapë fara do të vinte nga linja e pasardhjes së Davidit.—Ezekieli 21:25-27.

Ajo që ndodhi me Izraelin tregoi se megjithëse një mbret njerëzor i mençur dhe besnik mund të sillte bekime, ato ishin të kufizuara. Njerëzit besnikë vdesin dhe ata që vijnë pas tyre mund të mos jenë besnikë. Cila ishte zgjidhja? Fara e premtuar.

Më në fund, pas mijëra vjetësh u shfaq Fara e premtuar. Kush ishte ai?

Një engjëll i Perëndisë i dha përgjigje për këtë një vajze të pamartuar izraelite me emrin Marije. Ai i tha se ajo do të kishte një bir, emri i të cilit do të ishte Jezu. Ja çfarë tha engjëlli:

«Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë.»—Luka 1:32, 33.

Pra, Jezui do të ishte Fara e premtuar dhe së fundi Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Por, përse Jezui ishte i ndryshëm nga njerëzit besnikë që kishin jetuar më parë?

Jezui lindi nga një mrekulli. Nëna e tij ishte virgjëreshë dhe ai nuk pati baba njerëzor. Jezui kishte jetuar më parë në qiell dhe fryma e shenjtë e Perëndisë ose forca aktive e barti jetën e Jezuit nga qielli në mitrën e Marijes. Në këtë mënyrë, ai nuk trashëgoi mëkatin e Adamit. Gjatë gjithë jetës së tij, Jezui nuk mëkatoi.—1. Pjetrit 2:22.

Kur ishte 30 vjeç, Jezui u pagëzua.

Ai u foli njerëzve për Mbretërinë e Perëndisë dhe së fundi e prezantoi veten si Mbret të asaj Mbretërie.—Mateu 4:23; 21:4-11.

Ai kreu edhe shumë mrekulli.

Ai shëroi të sëmurët.—Mateu 9:35.

Ushqeu në mënyrë të mrekullueshme të uriturit.—Mateu 14:14-22.

Ai ringjalli edhe të vdekurit.—Gjoni 11:38-44.

Këto mrekulli tregojnë se çfarë do të bëjë Jezui për njerëzimin si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë.

A të kujtohet se si Mbreti David e kishte bërë Jerusalemin qytetin kryesor të mbretërisë së tij? Jezui shpjegoi se Mbretëria e Perëndisë nuk do të ishte në tokë, por në qiell. (Gjoni 18:36) Ja, përse Mbretëria u quajt «Jerusalemi qiellor».—Hebrenjve 12:22, 28.

Jezui theksoi ligjet të cilave duhej t’u bindeshin ata që do të ishin nënshtetas të Mbretërisë. Këto ligje tani janë në Bibël. Ligjet më të rëndësishme ishin dashuria për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin.—Mateu 22:37-39.

Jezui zbuloi, gjithashtu, se ai nuk do të ishte i vetëm në sundimin e Mbretërisë së tij. Do të zgjidheshin njerëz për të shkuar në qiell dhe për të sunduar atje me të. (Luka 12:32; Gjoni 14:3) Sa do të ishin këta? Zbulesa 14:1 përgjigjet: 144.000.

Përderisa vetëm 144.000 shkojnë në qiell për të sunduar me Jezuin, çfarë shprese ka pjesa tjetër e njerëzimit?

Bibla thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:29.

Ata që do të jetojnë përgjithmonë në tokë quhen «dele të tjera».—Gjoni 10:16.

Pra, ekzistojnë dy shpresa. 144.000 janë ftuar nga Perëndia Jehova që të shkojnë në qiell për të sunduar me Jezu Krishtin. Kurse miliona të tjerë kanë shpresën e sigurt për të jetuar përgjithmonë në tokë si nënshtetas të Mbretërisë së tij.—Zbulesa 5:10.

Satanai e urrente Jezuin dhe ishte kundër tij. Pasi Jezui predikoi për tre vjet e gjysmë, Satanai e arrestoi dhe e vrau, duke e gozhduar në një shtyllë. Përse e lejoi Perëndia këtë?

Mos harro se për shkak se jemi pasardhës të Adamit, ne të gjithë mëkatojmë dhe meritojmë vdekjen.—Romakëve 6:23.

Mos harro, gjithashtu, se për shkak të mënyrës së mrekullueshme në të cilën lindi Jezui, ai ishte i përsosur dhe nuk e meritonte të vdiste. Mirëpo, Perëndia lejoi që Satanai ‘ta plagoste Jezuin në thembër’, ta vriste atë. Megjithatë, Perëndia e ngriti atë përsëri në jetë si një frymë të pavdekshme. Meqenëse ai kishte akoma të drejtën e jetës së përsosur njerëzore, mund ta përdorte atë tani për të na liruar me shpërblesë ne njerëzit nga mëkati.—Zanafilla 3:15; Romakëve 5:12, 21; Mateu 20:28.

Për të na ndihmuar të kuptojmë plotësisht domethënien e sakrificës së Jezuit, Bibla flet mbi të përmes shembujve profetikë.

Për shembull, a të kujtohet se si Jehovai i tha Abrahamit të sakrifikonte birin e tij për të provuar dashurinë e tij?

Ky ishte një shembull profetik i sakrificës së Jezuit. Ai tregonte se si dashuria e Jehovait për njerëzimin ishte kaq e madhe, sa ai lejoi që Biri i tij, Jezui, të vdiste për ne, që të mund të jetonim.—Gjoni 3:16.

A të kujtohet mënyra se si i çliroi Jehovai izraelitët nga Egjipti dhe shpëtoi të parëlindurit e tyre, duke i thënë engjëllit të vdekjes të kalonte sipër tyre?—Të Dalët 12:12, 13.

Ky ishte një shembull profetik. Ashtu si gjaku i qengjit nënkuptonte jetën për të parëlindurit e izraelitëve, gjaku i derdhur i Jezuit nënkupton jetën për ata që besojnë në të. Dhe ashtu si ngjarjet e asaj nate nënkuptonin lirinë për izraelitët, vdekja e Jezuit i sjell njerëzimit liri nga mëkati dhe vdekja.

Ja, përse Jezui është quajtur «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës».—Gjoni 1:29.

Megjithatë, ndërkohë që ishte në tokë, Jezui mblodhi dishepuj dhe i stërviti ata për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë edhe pas vdekjes së tij.—Mateu 10:5, Luka 10:1.

Këta qenë njerëzit e parë që zgjodhi Perëndia për të sunduar me Jezuin në Mbretërinë e tij.—Luka 12:32.

A të kujtohet se Perëndia u premtoi hebrenjve se nëse do të ruanin Ligjin e tij, ata do të ishin «një mbretëri priftërinjsh»? Tani, ata kishin një mundësi të ishin pjesë e Mbretërisë së Perëndisë dhe të shërbenin si priftërinj qiellorë, nëse pranonin Jezuin. Por shumica e tyre e hodhën poshtë Jezuin.

Prandaj, që nga ajo kohë, hebrenjtë nuk ishin më kombi i zgjedhur i Perëndisë; Palestina nuk ishte më Toka e Premtuar.—Mateu 21:43; 23:37, 38.

Që nga ditët e Jezuit e deri më sot, Jehovai ka mbledhur ata që do të mbretërojnë në qiell me Jezuin. Disa mijëra prej tyre jetojnë ende sot në tokë. Ne i quajmë ata mbetja e mirosur.—Zbulesa 12:17.

Tani po fillon të kuptosh se çfarë është Mbretëria e Perëndisë. Është një qeveri në qiell me Mbret të saj Jezu Krishtin, të cilin e shoqërojnë 144.000 njerëz nga toka. Ajo do të sundojë mbi njerëzimin besnik në tokë dhe do të ketë fuqi të sjellë paqe në tokë.

Pas vdekjes, Jezui u ringjall dhe shkoi në qiell. Atje, ai priti që Perëndia t’i thoshte se kur do të ishte koha të fillonte të sundonte si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. (Psalmi 110:1) Kur do të ishte kjo?

Nganjëherë Jehovai u ka dërguar ëndrra njerëzve të tij, për t’u treguar atyre disa gjëra në lidhje me Mbretërinë.

Në ditët e Danielit, Jehovai i dërgoi një ëndërr të tillë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. Ishte për një pemë gjigante.—Danieli 4:10-37.

Pemën e prenë, ndërsa trungun e tij e rrethuan me rrathë për shtatë vjet.

Pema paraqiste Nabukodonosorin. Ashtu si trungu u rrethua me rrathë për shtatë vjet, edhe Nabukodonosorit i iku mendja për shtatë vjet. Më pas, atij i erdhi përsëri shëndeti mendor.

I gjithë ky ishte një shembull profetik. Nabukodonosori paraqiste sundimin mbarëbotëror të Jehovait. Në fillim, kjo u ushtrua përmes pasardhësve të Mbretit David në Jerusalem. Kur Babilonia mundi Jerusalemin në vitin 607 p.e.s, linja e mbretërve u ndërpre. Nuk do të kishte më kurrë një mbret tjetër në linjën e Davidit «derisa të vinte ai që kishte të drejtën ligjore». (Ezekieli 21:27) Ky ishte Jezu Krishti.

Sa kohë duhej të kalonte nga viti 607 p.e.s. deri në fillimin e mbretërimit të Jezuit? Shtatë vjet profetikë. Kjo do të thotë 2.520 vjet. (Zbulesa 12:6, 14) Duke llogaritur 2.520 vjet nga viti 607 p.e.s. arrijmë në vitin 1914 të e.s.

Kështu, në 1914-ën, Jezui filloi të sundonte në qiell. Çfarë do të thotë kjo?

Bibla na tregon përmes vizionit që pa apostulli Gjon.

Ai pa një grua në qiell që lindi një fëmijë mashkull.—Zbulesa 12:1-12.

Gruaja paraqiste organizatën qiellore të Perëndisë, të përbërë nga të gjithë shërbëtorët engjëllorë të Perëndisë në qiell. Fëmija mashkull paraqiste Mbretërinë e Perëndisë. Ajo «lindi» në 1914-ën.

Çfarë ndodhi më pas? Gjëja e parë që bëri Jezui si Mbret, ishte hedhja nga qielli në tokë e Satanait dhe e atyre engjëjve që u rebeluan me të.—Zbulesa 12:9.

Bibla na tregon pasojat: «Gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush, duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.»—Zbulesa 12:12.

Kështu, kur Jezui filloi të mbretërojë në qiell, armiqtë e tij u bënë shumë aktivë në tokë. Siç parathotë Bibla, ai filloi të sundojë në mes të armiqve të tij.—Psalmi 110:1, 2.

Çfarë do të nënkuptonte kjo për njerëzimin?

Jezui paratha luftëra, mungesa ushqimi, sëmundje dhe tërmete.—Mateu 24:7, 8; Luka 21:10, 11.

Ne kemi vërejtur se këto gjëra ndodhin që nga 1914-a, që është një tjetër arsye përse ne e dimë që Mbretëria filloi të sundonte në këtë vit.

Do të ketë, gjithashtu, «ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës . . . njerëzit do të mpaken nga frika». Edhe këtë e kemi parë që nga 1914-a.

Apostulli Pavël shtoi se njerëzit do të ishin «egoistë, lakmues parash, . . . të pabindur ndaj prindërve, . . . të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur».—2. Timoteut 3:1-5.

Tani e di se përse jeta sot është kaq e vështirë. Satanai ka qenë shumë aktiv. Megjithatë, edhe Mbretëria e Perëndisë ka qenë aktive.

Shpejt pas vitit 1914, mbetja e mirosur e atyre që shpresojnë të sundojnë me Jezuin në qiell, filluan të shpallin lajmin e mirë se Mbretëria ishte vendosur. Tani, kjo vepër është përhapur në të gjithë tokën, ashtu siç tha Jezui se do të ishte.—Mateu 24:14.

Cili është qëllimi i kësaj vepre të predikimit?

Së pari, t’u tregojë njerëzve mbi Mbretërinë e Perëndisë.

Së dyti, të ndihmojë njerëzit të vendosin nëse duan të jenë nënshtetas të Mbretërisë.

Jezui tha se në ditët tona i gjithë njerëzimi do të ndahet, në mënyrë që me kohë të ketë njerëz ngjashëm deleve dhe njerëz ngjashëm cjepve.—Mateu 25:31-46.

«Delet» do të jenë ata që e kanë dashur atë dhe vëllezërit e tij. «Cjeptë» do të jenë ata që nuk e kanë bërë këtë.

«Delet» do të marrin jetën e përhershme, ndërsa «cjeptë» jo.

Kjo vepër e ndarjes kryhet përmes predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë.

Këtu kemi një profeci të profetit Isaia.

«Në ditët e fundit do të vijë që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet.»—Isaia 2:2.

Njerëzimi është duke përjetuar tani «ditët e fundit».

«Shtëpia» e adhurimit të Jehovait është ‘ngritur’ mbi fetë e rreme.

«Shumë popuj do të vijnë, duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’»—Isaia 2:3..

Prandaj, nga të gjitha kombet vijnë shumë njerëz për të adhuruar Jehovain dhe ftojnë edhe të tjerë të bashkohen me ta. Ata mësojnë si të veprojnë në mënyrën që dëshiron Jehovai.

«Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»—Isaia 2:4.

Ata që adhurojnë Jehovain janë të bashkuar dhe paqedashës.

Rezultati i këtij aktiviteti të Mbretërisë së Perëndisë, është se tani ka gati pesë milionë njerëz në të gjithë botën që janë nënshtetas të Mbretërisë.

Ata janë mbledhur rreth mbetjes, atyre që kanë shpresë për të shkuar në qiell e për të sunduar me Krishtin.

Ata marrin ushqim frymor përmes organizatës së Perëndisë.—Mateu 24:45-47.

Ata janë një vëllazëri ndërkombëtare të krishterësh, të cilët vërtet kanë dashuri për njëri-tjetrin.—Gjoni 13:35.

Ata gëzojnë paqe në mendje, një shpresë për të ardhmen.—Filipianëve 4:7.

Së shpejti, do të ketë përfunduar predikimi i lajmit të mirë. «Delet» do të jenë mbledhur. Çfarë do të bëjë Mbretëria atëherë?

A të kujtohet se Mbreti besnik David i mundi të gjithë armiqtë e popullit të Perëndisë? Të njëjtën gjë do të bëjë edhe Jezui.

Mbreti Nabukodonosor pa njëherë një ëndërr me një figurë vigane, që simbolizonte të gjitha perandoritë botërore që nga koha e tij deri në ditët tona.

Pastaj, ai pa një gur që rrokullisej nga mali dhe që e bëri figurën copa-copa. Guri paraqiste Mbretërinë e Perëndisë.

Kjo nënkupton shkatërrimin e sistemit të tanishëm të lig të gjërave.—Danieli 2:44.

Këtu paraqiten disa gjëra që do të përmbysë Mbretëria.

Feja e rremë do të zhduket si guri i mullirit i hedhur në det.—Zbulesa 18:21.

Për këtë arsye, të gjithë ata që e duan Perëndinë, janë të inkurajuar të dalin nga feja e rreme TANI.—Zbulesa 18:4.

Pastaj, Mbreti Jezu do të ‘godasë kombet . . . dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri’.—Zbulesa 19:15.

Si pasojë, Dëshmitarët e Jehovait megjithëse paguajnë taksat dhe u binden ligjeve të vendit, nuk përfshihen në politikë.

Së fundi, vetë Satanai, «dragoi» i madh, hidhet në humnerë.—Zbulesa 20:2, 3.

Vetëm «delet», ata që i nënshtrohen Jezuit si Mbret, do ta mbijetojnë këtë mjerim.—Mateu 25:31-34, 41, 46.

Apostulli Gjon pa vizionin e «deleve» që mbijetojnë mjerimin.

«Pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre.»—Zbulesa 7:9.

‘Turma e madhe’ përbëhet nga të gjithë ata që i përgjigjen predikimit të lajmit të mirë.

Ata «vijnë nga mjerimi i madh».—Zbulesa 7:14, BR.

‘Palmat’ tregojnë se ata e mirëpresin Jezuin si Mbretin e tyre.

‘Rrobat e bardha’ tregojnë se ata kanë besim në sakrificën e Jezuit.

‘Qengji’ është Jezu Krishti.

Çfarë bekimesh do të gëzojnë ata atëherë? A të kujtohet lumturia e Izraelit, kur mbretëronte Mbreti besnik Solomon? Ky ishte një kuadër i vogël i lumturisë në tokë nën Mbretin Jezu.

Ashtu siç paratha Isaia, do të ketë paqe të vërtetë mes njerëzve dhe mes njerëzve dhe kafshëve.—Psalmi 46:9; Isaia 11:6-9.

Ashtu si Jezui i shëroi të sëmurët kur ishte në tokë, ashtu do të eliminojë sëmundjet nga gjithë njerëzimi.—Isaia 33:24.

Ashtu siç ushqeu turmat e njerëzve, ashtu do të zhdukë mungesat e ushqimit për gjithë njerëzimin.—Psalmi 72:16.

Ashtu siç ringjalli të vdekurit, ashtu do të ringjallë ata të vdekur që nuk patën mundësi t’i nënshtroheshin Mbretërisë së Perëndisë.—Gjoni 5:28, 29.

Ai do ta çojë gradualisht njerëzimin drejt përsosmërisë që humbi Adami.

A nuk është kjo një e ardhme e mrekullueshme? A do të dëshiroje ta gëzoje? Nëse po, përpiqu t’i nënshtrohesh tani Mbretërisë së Perëndisë dhe të bëhesh një «dele».

Studio Biblën dhe merr njohuri për Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin!—Gjoni 17:3.

Shoqërohu me ata që janë nënshtetas të Mbretërisë!—Hebrenjve 10:25.

Mëso ligjet e Mbretërisë dhe bindju atyre!—Isaia 2:3, 4.

Dedikoja jetën shërbimit të Jehovait dhe pagëzohu!—Mateu 28:19, 20.

Largohu nga gjërat e këqija, si vjedhja, gënjeshtra, imoraliteti dhe dehja, të cilat nuk i pëlqejnë Perëndisë Jehova!—1. Korintasve 6:9-11.

Merr pjesë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë!—Mateu 24:14.

Atëherë, me ndihmën e Perëndisë, do të shohësh të rivendoset parajsa që humbi Adami për pasardhësit e vet dhe do të shikosh plotësimin e këtij premtimi: «Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ‘Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.’»—Zbulesa 21:3, 4.

[Tabela në faqen 20]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

607 p.e.s. 1914 të e.s.

p.e.s. | e.s.

500 1.000 1.500 2.000 2.520

[Figurat në faqen 11]

Abrahami

Isaku

Jakobi

Juda

Davidi

[Figura në faqen 14]

144.000

[Figurat në faqen 16]

Adami

Jezui