Kalo te përmbajtja

Të rinj: Çfarë do të bëni me jetën tuaj?

Të rinj: Çfarë do të bëni me jetën tuaj?

Të rinj: Çfarë do të bëni me jetën tuaj?

«DUA të bëj një jetë sa më të mirë.» Kështu u shpreh një adoleshente. Pa dyshim, edhe ti dëshiron të njëjtën gjë. Por, si arrihet një jetë ‘sa më e mirë’? Mjetet e informacionit, bashkëmoshatarët e ndoshta edhe vetë mësuesit e tu mund të thonë se kjo arrihet duke fituar shumë para dhe duke pasur ndonjë karrierë të shquar, pra, duke qenë njeri i suksesshëm.

Megjithatë, Bibla i paralajmëron të rinjtë se rendja pas suksesit ekonomik s’është gjë tjetër veçse një «rropatje pas erës». (Eklisiastiu [Predikuesi] 4:4, BR) Një arsye është se vetëm pak të rinj arrijnë ta kenë pasurinë dhe famën. Ata që ia dalin mbanë shpesh provojnë një zhgënjim shumë të madh. «Është si një kuti boshe»,—tha një i ri britanik, i cili ndoqi një karrierë të shquar arsimore.—Kur sheh brenda, s’gjen asgjë.» Vërtet, mund të ndodhë që një lloj pune të të bëjë të pasur e të famshëm. Por nuk mund të ta plotësojë ‘nevojën frymore’. (Mateu 5:3) Për më tepër, 1 Gjonit 2:17 paralajmëron se «bota po kalon». Edhe sikur të arrije të kishe sukses në këtë botë, ai do të ishte jetëshkurtër.

Predikuesi 12:1 i nxit të rinjtë në këtë mënyrë: «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.» Po, mënyra më e mirë për ta përdorur jetën është duke i shërbyer Perëndisë Jehova. Por, së pari, duhet të kualifikohesh për të qenë në shërbim të Perëndisë. Si mund ta bësh këtë? Veç kësaj, çfarë përfshin një jetë në shërbim të Perëndisë?

Si kualifikohesh për të qenë një Dëshmitar i Jehovait?

Si fillim, duhet të kultivosh dëshirën për t’i shërbyer Perëndisë, dëshirë kjo që nuk vjen vetvetiu, edhe sikur prindërit e tu të jenë të krishterë. Duhet të kesh ti vetë një marrëdhënie me Jehovain. Një adoleshente thotë se «lutja të ndihmon të kesh një marrëdhënie tënden me Jehovain».—Psalmi 62:8; Jakovit 4:8.

Te Romakëve 12:2 theksohet një tjetër hap që duhet të bësh. Aty thuhet: «Provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.» A ke pasur ndonjëherë dyshime për disa gjëra që të janë mësuar? Atëherë, ndiq këshillën biblike dhe ‘provo për veten tënde’ se këto gjëra janë të vërteta. Bëj vetë kërkime. Lexo Biblën dhe botimet që bazohen në Bibël. Megjithatë, të mësosh për Perëndinë nuk do të thotë që thjesht të përdorësh mendjen për të analizuar faktet. Lër kohë për të medituar rreth asaj që lexon, në mënyrë që informacioni të depërtojë në zemrën tënde. Kjo do të ta shtojë dashurinë për Perëndinë.—Psalmi 1:2, 3.

Pastaj përpiqu që, sa herë të të jepet rasti, të flasësh për atë që po mëson, ndoshta me shokët e shkollës. Hapi tjetër është predikimi shtëpi më shtëpi. Mund të të ndodhë që të takosh ndonjë shok shkolle ndërsa predikon dhe, në fillim, kjo mund të të vërë në siklet. Por Bibla na nxit që të mos «na vijë turp për lajmin e mirë». (Romakëve 1:16) Po u jep një mesazh jete dhe shprese! Përse të të vijë turp për këtë?

Po qe se i ke prindërit të krishterë, ndoshta tashmë po i shoqëron në veprën e predikimit. Por, a mund të bësh më shumë, pra, të mos rrish te dera në heshtje ose thjesht të japësh revista e fletushka? A je në gjendje të flasësh vetë në derë, duke përdorur Biblën për të mësuar të zotin e shtëpisë? Nëse jo, atëherë kërko ndihmë nga prindërit ose nga ndonjë pjesëtar tjetër i pjekur në kongregacion. Vër si synim që të kualifikohesh si lajmëtar i papagëzuar i lajmit të mirë!

Me kalimin e kohës do të nxitesh që të bësh kushtimin, pra, t’i betohesh Perëndisë se tani e tutje do t’i shërbesh atij. (Romakëve 12:1) Megjithatë, kushtimi nuk është thjesht një çështje private. Perëndia kërkon nga të gjithë që të bëjnë një ‘deklarim publik për shpëtim’. (Romakëve 10:10) Në kohën e pagëzimit, në fillim e deklaron me gojë besimin tënd. Pas kësaj vjen pagëzimi në ujë. (Mateu 28:19, 20) Pa dyshim, pagëzimi është një hap serioz. Por mos ngurro që ta bësh, duke menduar se mund të dështosh në ndonjë mënyrë. Nëse mbështetesh te Perëndia për të marrë forcë, ai do të të japë ‘fuqinë përtej asaj që është normale’ për të të ndihmuar që të qëndrosh i palëkundur.—2 Korintasve 4:7; 1 Pjetrit 5:10.

Kur pagëzohesh, bëhesh Dëshmitar i Jehovait. (Isaia 43:10) Kjo gjë duhet të ketë një ndikim të fuqishëm në mënyrën se si do ta përdorësh jetën. Kushtimi përfshin ‘të mohosh veten’. (Mateu 16:24) Mund të të duhet të lësh mënjanë disa synime dhe dëshira individuale dhe ‘të kërkosh së pari mbretërinë e Perëndisë’. (Mateu 6:33) Prandaj, kushtimi dhe pagëzimi të japin shumë mundësi për ta bërë këtë. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

Mundësi për t’i shërbyer Perëndisë në kohë të plotë

● Shërbimi si pionier është një nga këto mundësi. Pionieri është një i krishterë i pagëzuar shembullor, i cili ka bërë rregullime për të shpenzuar të paktën 70 orë çdo muaj në predikimin e lajmit të mirë. Duke i kushtuar më shumë kohë shërbimit, do të ndihmohesh që të zhvillosh aftësitë e predikimit dhe të mësimdhënies. Shumë pionierë kanë përjetuar gëzimin që vjen kur i ndihmon studentët e Biblës të bëhen Dëshmitarë të pagëzuar. Cila punë në botë mund të jetë kaq entuziazmuese dhe e kënaqshme?

Për të përballuar shpenzimet e jetesës, shumica e pionierëve punojnë me orar të shkurtuar. Shumë planifikojnë që më përpara për këtë përgjegjësi duke mësuar ndonjë zanat në shkollë ose nga prindërit. Mbase ti dhe prindërit mendoni se do të ishte dobiprurëse që të merrje njëfarë stërvitjeje shtesë pas përfundimit të shkollës së mesme. Në rast të tillë, sigurohu që motivet e tua nuk janë që të bësh më shumë para, por të mbështetësh shërbimin tënd dhe ndoshta të shërbesh në kohë të plotë.

Megjithatë, jeta e pionierit nuk përqendrohet te puna, por te shërbimi i tij, duke i ndihmuar të tjerët që të fitojnë jetën! Përse të mos e vësh si synim shërbimin e pionierit? Shpesh ky shërbim çon në privilegje të tjera. Për shembull, disa pionierë transferohen në zona ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Të tjerë mësojnë një gjuhë të huaj dhe shërbejnë qoftë në një kongregacion të gjuhës së huaj në vendin e tyre, qoftë në ndonjë vend të huaj. Po, shërbimi si pionier është një mënyrë jetese me shumë shpërblime!

Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë është një mundësi tjetër. Kjo shkollë dymujore shërben për të stërvitur pionierët me përvojë që janë të gatshëm të largohen nga zona ku jetojnë për të shërbyer ku ka më shumë nevojë. Duke imituar Ungjillëzuesin më të madh që ka shërbyer në tokë, Jezu Krishtin, ata thonë: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isaia 6:8; Gjoni 7:29) Të shkosh larg vendit tënd, mund të të duhet të përshtatesh me një standard më të thjeshtë jete. Kultura, klima dhe ushqimi mund të jenë krejt ndryshe nga ato me të cilat je mësuar. Madje mund të të duhet të mësosh edhe një gjuhë tjetër. Kjo shkollë i ndihmon vëllezërit e motrat beqare dhe çiftet e martuara, nga mosha 23 deri në 65 vjeç, të kultivojnë cilësitë frymore që do t’u duhen në caktim dhe aftësitë që do t’u japin mundësi të përdoren në mënyrë më të plotë nga Jehovai dhe nga organizata e tij.

Shërbimi në Bethel përfshin shërbimin si vullnetar në një nga ndërtesat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Disa pjesëtarë të familjes Bethel shërbejnë drejtpërdrejt në prodhimin e literaturës biblike. Të tjerë kanë caktime që mbështetin punën në këtë repart. Këto caktime përfshijnë mirëmbajtjen e ndërtesave dhe të pajisjeve ose kujdesjen për nevojat fizike të familjes Bethel. Të gjitha caktimet janë privilegje të shenjta shërbimi ndaj Jehovait. Veç kësaj, ata që punojnë në Bethel provojnë gëzim duke ditur se çdo gjë që bëjnë i sjell dobi një numri të madh vëllezërish përreth botës.

Ndonjëherë në Bethel ftohen të punojnë vëllezër me aftësi të veçanta. Megjithatë, shumë prej tyre stërviten kur mbërrijnë atje. Ata që janë në Bethel nuk shërbejnë për përfitime materiale, por kënaqen me masat që janë marrë për ushqimin e për strehimin dhe me një dhuratë të vogël për shpenzime vetjake. Një pjesëtar i ri i familjes Bethel e përshkruan kështu shërbimin e tij: «Është i mrekullueshëm! Rutina është një sfidë, por kam pasur shumë bekime duke shërbyer këtu.»

Shërbimi në ndërtim u jep mundësinë disave që të marrin pjesë në ndërtimin e degëve dhe të Sallave të Mbretërisë. Shërbëtorët e ndërtimit, siç quhen ata që përfshihen në këtë lloj shërbimi, ndihmojnë në këtë vepër ndërtimi. Kjo është një formë e shërbimit të shenjtë, ashtu si puna e atyre që ndërtuan tempullin në kohën e Solomonit. (1 Mbretërve 8:13-18) Rregullimet për plotësimin e nevojave të shërbëtorëve të ndërtimit janë të ngjashme me ato për familjen Bethel. Çfarë privilegji kanë vëllezërit e motrat që shërbejnë në këtë fushë veprimtarie për lavdi të Jehovait!

Shërbeji Jehovait me gjithë shpirt

Mënyra më e mirë për ta përdorur jetën është duke i shërbyer Jehovait. Përse të mos mendosh seriozisht për të vënë si synim që t’i shërbesh Perëndisë në kohë të plotë? Diskuto për shërbimin e plotkohor me prindërit, me pleqtë e kongregacionit dhe me mbikëqyrësin qarkor. Nëse dëshiron të shërbesh në Bethel ose të ndjekësh Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, ndiq mbledhjet për të interesuarit për këto lloje shërbimi që mbahen në kongreset rajonale.

Kuptohet, jo të gjithë mund të kualifikohen ose mund të jenë në gjendje të shërbejnë në kohë të plotë. Disa herë problemet shëndetësore, kushtet financiare dhe detyrimet familjare e kufizojnë atë që mund të bëjë një person. Megjithatë, të gjithë të krishterët e kushtuar duhet t’i binden urdhrit biblik: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Jehovai kërkon që të bësh më të mirën për aq sa të lejojnë rrethanat. Prandaj, sido që të jenë kushtet e tua, përqendroje jetën në shërbim të Jehovait. Vër synime teokratike të arritshme. Po, «kujto Krijuesin në ditët e rinisë sate» dhe do të bekohesh përjetësisht për këtë!

Nëse nuk tregohet ndryshe, të gjitha citimet e Shkrimeve Greke janë marrë nga Shkrimet e Krishtere Greke, Përkthimi Bota e Re, ndërsa citimet e Shkrimeve Hebraike, janë marrë nga BIBLA, përkthimi Diodati i Ri.

4/14