Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 4

Perëndia bën një besëlidhje me Abrahamin

Perëndia bën një besëlidhje me Abrahamin

Abrahami i bindet me besim Perëndisë Jehova, që i premton se do ta bekojë e do t’i shtojë pasardhësit e tij

KISHIN kaluar rreth 350 vjet që nga Përmbytja e ditëve të Noesë. Patriarku Abraham (i njohur edhe si Ibrahim) jetonte në qytetin e begatë të Urit, aty ku sot ndodhet Iraku. Abrahami ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm. Por tani besimi do t’i vihej në provë.

Jehovai i tha Abrahamit të largohej nga vendlindja e të shkonte në një vend të huaj, që siç e mori vesh më vonë, ishte Kanaani. Abrahami u bind pa ngurruar. Mori të shoqen Sarën (Sarenë), nipin Lotin (Lutin) dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, e pas një udhëtimi të gjatë, nisi të banonte në tenda në Kanaan. Në një besëlidhje që bëri me Abrahamin, Jehovai i premtoi se do ta bënte një komb të madh, se gjithë familjet e tokës do të bekoheshin nëpërmjet tij dhe se pasardhësit e tij do të zotëronin vendin e Kanaanit.

Abrahami dhe Loti u begatuan dhe grumbulluan kope të mëdha delesh e gjedhësh. Me altruizëm, Abrahami e la Lotin të zgjidhte vendin që donte. Loti zgjodhi krahinën pjellore të lumit Jordan dhe u vendos me banim pranë qytetit të Sodomës. Por, burrat e Sodomës ishin imoralë, mëkatarë të mëdhenj kundër Jehovait.

Më vonë, Perëndia Jehova e siguroi përsëri Abrahamin se pasardhësit e tij do të bëheshin të shumtë si yjet e qiellit. Abrahami i besoi atij premtimi. Por Sara, gruaja e tij e dashur, ende s’kishte fëmijë. Pastaj, kur Abrahami ishte 99 vjeç dhe Sara po i afrohej të 90-ave, Perëndia u tha se do të bëheshin me djalë. Ai e mbajti fjalën dhe Sara lindi Isakun (Is-hakun). Abrahami pati edhe fëmijë të tjerë, por Çlirimtari i premtuar në Eden do të vinte nëpërmjet Isakut.

Ndërkohë, Loti dhe familja e tij jetonin në Sodomë, por ai njeri i drejtë nuk u bë si banorët imoralë të qytetit. Kur Jehovai vendosi të ekzekutonte gjykimin mbi Sodomën, dërgoi engjëj që ta paralajmëronin Lotin për shkatërrimin që do të vinte. Engjëjt i nxitën Lotin dhe familjen e tij të iknin nga Sodoma e të mos e kthenin kokën pas. Pastaj Perëndia bëri të binte zjarr e squfur mbi Sodomë e mbi Gomorrë, një qyteti i lig aty pranë, duke i shkatërruar të gjithë banorët. Loti dhe dy vajzat e tij shpëtuan, kurse e shoqja ktheu kokën pas, ndoshta duke parë me dëshirim gjërat që kishte lënë. Këtë mosbindje e pagoi me jetën e saj.

—Bazuar te Zanafilla 11:10–19:38.