Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 13

Mbretër të mirë e të këqij

Mbretër të mirë e të këqij

Izraeli ndahet në dy pjesë. Gjatë kësaj periudhe sundojnë shumë mbretër, pjesa më e madhe e të cilëve nuk janë besnikë. Jerusalemin e shkatërrojnë babilonasit

PIKËRISHT siç kishte parathënë Jehovai, pasi Solomoni u largua nga adhurimi i pastër, Izraeli u nda. I biri që e pasoi në fron, Rehoboami, ishte i ashpër. Prandaj, dhjetë fise të Izraelit ngritën krye dhe formuan mbretërinë veriore të Izraelit. Dy fise i qëndruan besnike mbretit që ishte në fronin e Davidit në Jerusalem dhe formuan mbretërinë jugore të Judës.

Të dyja mbretëritë patën një histori të trazuar, kryesisht për faj të mbretërve që nuk kishin besim te Perëndia e nuk bindeshin. Izraeli e pësoi më keq se Juda, pasi mbretërit e tij që në fillim nxitën adhurimin e rremë. Pavarësisht nga veprat e fuqishme të profetëve të tillë, si Elija dhe Eliseu—të cilët madje ringjallën të vdekur—Izraeli vazhdimisht i kthehej rrugës së keqe. Në fund, Perëndia lejoi që mbretërinë veriore ta shkatërronte Asiria.

Në krahasim me Izraelin, Juda zgjati pak më shumë se një shekull, por edhe ajo u ndëshkua nga Perëndia. Vetëm disa mbretër të Judës ua vunë veshin paralajmërimeve të profetëve të Perëndisë e u përpoqën ta kthenin kombin te Jehovai. Për shembull, mbreti Josia nisi ta pastronte Judën nga adhurimi i rremë dhe meremetoi tempullin e Jehovait. Kur u gjet një kopje origjinale e Ligjit që Perëndia kishte dhënë me anë të Moisiut, Josia u prek thellë dhe e intensifikoi fushatën e reformave.

Por, mjerisht, ata që trashëguan fronin pas Josisë nuk ndoqën shembullin e mirë të atij mbreti. Kështu Jehovai lejoi që kombi i Babilonisë ta pushtonte Judën, të shkatërronte Jerusalemin dhe tempullin e tij. Ata që mbijetuan, i çuan në mërgim në Babiloni. Perëndia kishte parathënë se mërgimi do të zgjaste 70 vjet. Juda mbeti e shkretë gjithë atë kohë, derisa izraelitët u lejuan të ktheheshin në tokën e tyre, siç kishte premtuar Perëndia.

Por, nuk do të kishte më mbretër të linjës së Davidit derisa të vinte mbretërimi i Çlirimtarit të premtuar, Mesisë së parathënë. Shumica e mbretërve që ishin ulur në fronin e Davidit në Jerusalem, treguan se njerëzit e papërsosur nuk janë të kualifikuar të sundojnë mbi të tjerët. Vetëm Mesia do të ishte vërtet i kualifikuar. Prandaj, Jehovai i tha mbretit të fundit të linjës së Davidit: «Hiqe kurorën. . . . Ajo nuk do t’i jepet askujt, gjersa të vijë ai që ka të drejtën ligjore, dhe atij do t’ia jap.»—Ezekieli 21:26, 27.

—Bazuar te 1 Mbretërve; 2 Mbretërve; 2 Kronikave, kapitujt 10 deri në 36; Jeremia 25:8-11.