Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 19

Jezui jep një profeci me shtrirje të gjerë

Jezui jep një profeci me shtrirje të gjerë

Jezui përshkruan disa aspekte që do të karakterizojnë praninë e tij si Mbret dhe përfundimin e këtij sistemi

NË Malin e Ullinjve, nga shihej një pamje e mrekullueshme e Jerusalemit dhe e tempullit të tij, katër apostuj e pyetën veçmas Jezuin për disa komente që kishte bërë. Ai sapo kishte thënë se tempulli në Jerusalem do të shkatërrohej. Edhe më parë, u kishte folur për ‘përfundimin e sistemit’. (Mateu 13:40, 49) Tani apostujt e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?»—Mateu 24:3.

Si përgjigje, Jezui u tha ç’do të ndodhte para se të shkatërrohej Jerusalemi. Por fjalët e tij përfshinin më tepër se kaq. Më vonë profecia e tij do të kishte një përmbushje më të madhe në mbarë botën. Jezui profetizoi për një sërë ngjarjesh dhe kushtesh botërore që së bashku do të formonin një shenjë. Kjo shenjë do t’u tregonte njerëzve në tokë se kishte filluar prania e Jezuit si Mbret në qiell. Me fjalë të tjera, shenja do të tregonte se Perëndia Jehova e kishte bërë Jezuin Mbret të Mbretërisë mesianike të premtuar kohë më parë. Shenja do të nënkuptonte se Mbretëria së shpejti do të zhdukte ligësinë e do t’i sillte paqe të vërtetë njerëzimit. Kështu, gjërat që paratha Jezui do të karakterizonin ditët e fundit të sistemit të vjetër, ku përfshihen sistemet e sotme fetare, politike e shoqërore, dhe fillimin e një sistemi të ri.

Duke shpjeguar ç’do të ndodhte në tokë gjatë pranisë së tij si Mbret në qiell, Jezui tha se do të kishte luftëra ndërkombëtare, mungesa ushqimi, tërmete të mëdha dhe epidemi. Paligjshmëria do të shtohej. Dishepujt e vërtetë të Jezuit do ta predikonin në gjithë tokën lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. E gjithë kjo do të arrinte kulmin në një ‘shtrëngim të madh’ si kurrë më parë.—Mateu 24:21.

Si do ta dinin dishepujt e Jezuit se ky shtrëngim është afër? ‘Mësoni nga fiku’—tha Jezui. (Mateu 24:32) Kur çelin gjethet e fikut, kjo është një shenjë e dukshme se po afron vera. Po ashtu, kur të gjitha gjërat që paratha Jezui të ndodhnin në një periudhë kohore të vetme, kjo do të ishte shenjë e dallueshme se fundi është afër. Ditën dhe orën e saktë se kur do të fillonte shtrëngimi i madh nuk do ta dinte askush përveç Atit. Prandaj Jezui i nxiti dishepujt: «Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar.»—Marku 13:33.

—Bazuar te Mateu, kapitujt 24 dhe 25; Marku, kapitulli 13; Luka, kapitulli 21.

^ par. 14 Për një trajtim të mëtejshëm të profecisë së Jezuit, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitulli 9, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.