Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 17

Jezui u mëson të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë

Jezui u mëson të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë

Jezui u mëson dishepujve të tij shumë gjëra, por përqendrohet te një temë e vetme: Mbretëria e Perëndisë

ÇFARË misioni kishte Jezui në tokë? Ai vetë tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Shqyrtoni katër gjëra që u mësoi Jezui të tjerëve për këtë Mbretëri, e cila ishte tema qendrore e predikimit të tij.

1. Jezui ishte emëruar Mbret. Jezui e tha hapur se ishte Mesia i parathënë. (Gjoni 4:25, 26) Gjithashtu, tregoi se ishte Mbreti që kishte parë në vegim profeti Daniel. Jezui u tha apostujve se një ditë do të ulej «në fronin e tij të lavdishëm» e se edhe ata do të uleshin në frone. (Mateu 19:28) Këtij grupi sundimtarësh iu referua si ‘kopeja e vogël’. Tha se kishte edhe «dele të tjera» që nuk ishin pjesë e atij grupi.—Luka 12:32; Gjoni 10:16.

2. Mbretëria e Perëndisë do të vendoste drejtësinë e vërtetë. Jezui tregoi se Mbretëria do të zhdukte padrejtësinë më të madhe duke shenjtëruar emrin e Perëndisë Jehova dhe duke e pastruar nga çdo sharje që i ka bërë Satanai që nga rebelimi në Eden. (Mateu 6:9, 10) Po ashtu, Jezui tregoi çdo ditë paanshmëri duke mësuar pa asnjë dallim burra e gra, të pasur e të varfër. Ndonëse misioni i tij ishte të mësonte kryesisht izraelitët, ndihmoi edhe samaritanë e johebrenj. Ndryshe nga udhëheqësit fetarë të kohës së tij, ai nuk shfaqi asnjë gjurmë paragjykimi ose mbajtjeje me hatër.

3. Mbretëria e Perëndisë nuk do të ishte pjesë e kësaj bote. Jezui jetoi në një epokë trazirash të mëdha. Vendi i tij ishte nën sundimin e një fuqie të huaj. E megjithatë, kur njerëzit u orvatën ta përfshinin në çështjet politike të kohës, ai u tërhoq. (Gjoni 6:14, 15) I tha një politikani: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Dishepujve të tij u tha: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 15:19) Nuk i lejoi të përdornin armë lufte, as për të mbrojtur atë vetë.—Mateu 26:51, 52.

«Ai nisi të shkonte . . . nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë.»—Luka 8:1

4. Mbretërimi i Krishtit do të bazohej te dashuria. Jezui u premtoi njerëzve se do t’i freskonte, do t’ua lehtësonte barrët. (Mateu 11:28-30) Ai e mbajti fjalën. Dha këshilla të dashura e praktike se si të përballojmë ankthin, të përmirësojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin, t’i rezistojmë materializmit dhe të gjejmë lumturi. (Mateu, kapitujt 5-7) Ngaqë tregonte dashuri, njerëz nga çdo shtresë shoqërore e kishin të lehtë t’i afroheshin. Edhe ata më të shtypurit shkonin turma-turma tek ai, të bindur se do t’i trajtonte me dashamirësi e dinjitet. Sa Mbret i mirë do të jetë Jezui!

Jezui u mësoi të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë edhe në një mënyrë tjetër mjaft të fuqishme. Kreu shumë mrekulli. Po përse? Le ta shohim.

—Bazuar në librat e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit.