Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 25

Këshilla për besimin, sjelljen dhe dashurinë

Këshilla për besimin, sjelljen dhe dashurinë

Jakovi, Pjetri, Gjoni e Juda shkruajnë letra për t’u dhënë zemër bashkëbesimtarëve

JAKOVI dhe Juda ishin vëllezër të Jezuit nga nëna. Pjetri dhe Gjoni ishin ndër 12 apostujt e Jezuit. Këta burra shkruan gjithsej shtatë letra që gjenden në Shkrimet e Krishtere Greke. Secila nga letrat mban emrin e shkrimtarit të saj. Këshillat e frymëzuara që gjenden në to, kishin si synim t’i ndihmonin të krishterët t’i qëndronin besnikë Jehovait dhe Mbretërisë së tij.

Të krishterët duhet të tregojnë besim. Nuk mjafton vetëm të thuash se ke besim. Besimi i vërtetë të nxit të veprosh. Jakovi shkruan: «Vërtet, . . . besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovi 2:26) Nëse veprojmë me besim kur hasim sprova, zhvillojmë qëndrueshmëri. Që t’ia dalë mbanë, një i krishterë duhet t’i kërkojë mençuri Perëndisë, i bindur se ai do t’ia japë. Qëndrueshmëria bën që të fitojmë miratimin e Perëndisë. (Jakovi 1:2-6, 12) Në qoftë se një adhurues tregon besim duke mbajtur integritetin, Perëndia Jehova do t’i përgjigjet. Jakovi thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.

Besimi i një të krishteri duhet të jetë aq i fortë sa ta ndihmojë t’u bëjë ballë tundimeve dhe ndikimeve imorale. Mjedisi moral i lig që mbizotëronte, e shtyu Judën t’i nxitë bashkëbesimtarët ‘të luftojnë me të gjitha forcat për besimin’.—Juda 3.

Të krishterët duhet të mbajnë sjellje të pastër. Jehovai pret që adhuruesit e tij të jenë të shenjtë, domethënë, të pastër në çdo aspekt. Pjetri shkruan: «Bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë [Jehovai] jam i shenjtë!’» (1 Pjetrit 1:15, 16) Të krishterët kanë një shembull që ia vlen ta imitojnë. Pjetri thotë: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Ndonëse mund të vuajnë ngaqë zbatojnë normat e Perëndisë, të krishterët mbajnë «një ndërgjegje të mirë». (1 Pjetrit 3:16, 17) Pjetri i nxit të krishterët të kryejnë me bollëk vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime që pasqyrojnë përkushtimin hyjnor, ndërsa presin ditën e gjykimit të Perëndisë dhe botën e re të premtuar, në të cilën «do të banojë drejtësia».—2 Pjetrit 3:11-13.

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8

Të krishterët duhet të shfaqin dashuri. «Perëndia është dashuri»,—shkruan Gjoni. Apostulli thekson se Perëndia e shfaqi dashurinë e tij të madhe duke dërguar Jezuin si ‘flijim për mëkatet tona’. Si duhet të reagojnë të krishterët? Gjoni shpjegon: «Të dashur, nëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne vetë kemi detyrimin ta duam njëri-tjetrin.» (1 Gjonit 4:8-11) Një mënyrë për ta shfaqur këtë dashuri është t’u tregojmë mikpritje bashkëbesimtarëve.—3 Gjonit 5-8.

Por, si ta tregojnë adhuruesit e Jehovait dashurinë për të? Gjoni përgjigjet: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3; 2 Gjonit 6) Ata që i binden Perëndisë në këtë mënyrë, kanë sigurinë se do ta ruajnë veten në dashurinë e Perëndisë «me sytë nga jeta e përhershme».—Juda 21.

Bazuar te Jakovi; 1 Pjetrit; 2 Pjetrit; 1 Gjonit; 2 Gjonit; 3 Gjonit; Juda.