Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 14

Perëndia flet me anë të profetëve

Perëndia flet me anë të profetëve

Profetët caktohen nga Jehovai të shpallin mesazhe për gjykimin, për adhurimin e pastër dhe për shpresën e ardhjes së Mesisë

GJATË periudhës së mbretërve të Izraelit e të Judës, spikati një grup i veçantë burrash: profetët. Këta kishin besim e guxim të jashtëzakonshëm dhe shpallën fjalët e Perëndisë. Shqyrto katër tema të rëndësishme për të cilat folën profetët e Perëndisë.

1. Shkatërrimi i Jerusalemit. Shumë kohë para se të ndodhte, profetët e Perëndisë, sidomos Isaia dhe Jeremia, nisën të paralajmëronin se Jerusalemi do të shkatërrohej e do të braktisej. Ata përshkruan me terma të gjallë pse Perëndia ishte zemëruar me atë qytet. Banorët e Jerusalemit pohonin se përfaqësonin Jehovain, por e përgënjeshtronin këtë me praktikat fetare të rreme, korrupsionin e dhunën.—2 Mbretërve 21:10-15; Isaia 3:1-8, 16-26; Jeremia 2:1–3:13.

2. Rivendosja e adhurimit të pastër. Pas 70 viteve në mërgim, populli i Perëndisë do të çlirohej nga Babilonia. Do të ktheheshin në atdheun e tyre të shkretuar dhe do të rindërtonin tempullin e Jehovait në Jerusalem. (Jeremia 46:27; Amosi 9:13-15) Rreth 200 vjet më përpara, Isaia paratha emrin e pushtuesit, Kirit, që do të mundte Babiloninë dhe do ta lejonte popullin e Perëndisë të rivendoste adhurimin e pastër. Madje, Isaia përshkroi me hollësi strategjinë ushtarake të veçantë që do të përdorte Kiri.—Isaia 44:24–45:3.

3. Ardhja e Mesisë dhe përvojat e tij. Mesia do të lindte në qytetin e Betlehemit. (Mikea 5:2) Ai do të ishte i përulur, duke mbërritur në Jerusalem hipur në një gomar. (Zakaria 9:9) Ndonëse i butë e mirëdashës, shumë veta nuk do ta pëlqenin dhe do ta hidhnin poshtë. (Isaia 42:1-3; 53:1, 3) Do të përjetonte një vdekje mizore. A do të mbaronte me kaq jeta e tij? Jo, sepse me anë të flijimit të tij do t’u faleshin mëkatet shumë vetave. (Isaia 53:4, 5, 9-12) Kjo do të realizohej vetëm me anë të ringjalljes së tij.

4. Mbretërimi i Mesisë mbi tokën. Njerëzit e papërsosur nuk janë fare të aftë të vetëqeverisen në mënyrë paqësore, kurse Mbreti mesianik do të quhej Princ i Paqes. (Isaia 9:6, 7; Jeremia 10:23) Nën sundimin e tij, të gjithë njerëzit do të ishin në paqe me njëri-tjetrin, e madje edhe me kafshët. (Isaia 11:3-7) Sëmundjet do të zhdukeshin. (Isaia 33:24) Edhe vdekja do të përpihej përgjithmonë. (Isaia 25:8) Gjatë mbretërimit të Mesisë, njerëzit që kishin vdekur, do të ringjalleshin për të jetuar në tokë.—Danieli 12:13.

Bazuar në librat e Isaisë, Jeremisë, Danielit, Amosit, Mikesë dhe Zakarisë.