Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 15

Një profeti në mërgim i jepen vegime për të ardhmen

Një profeti në mërgim i jepen vegime për të ardhmen

Danieli profetizon për Mbretërinë e Perëndisë dhe për ardhjen e Mesisë. Bie Babilonia

DANIELIN, një të ri tejet besnik, e çuan në mërgim në Babiloni para se të shkatërrohej Jerusalemi. Ata që i zunë robër, u dhanë njëfarë lirie atij dhe disa judenjve të tjerë të mërguar nga mbretëria e mundur e Judës. Gjatë gjithë jetës së tij në Babiloni, Danieli u bekua shumë nga Perëndia, madje i shpëtoi vdekjes në gropën e luanëve dhe iu dhanë vegime për të ardhmen e largët. Profecitë më të rëndësishme të Danielit përqendroheshin te Mesia dhe te sundimi i Tij.

Danieli mëson kur do të vijë Mesia. Danielit iu tha se kur mund ta priste populli i Perëndisë ardhjen e ‘Mesisë, Udhëheqësit’: 69 javë vjetore pasi të dilte urdhri për të restauruar dhe rindërtuar muret e Jerusalemit. Një javë normale ka shtatë ditë; një javë vjetore ka shtatë vjet. Ai urdhër doli shumë kohë pas ditëve të Danielit, domethënë në vitin 455 p.e.s. Që nga ajo kohë, filluan 69 «javët» që zgjatën 483 vjet dhe mbaruan në vitin 29 të e.s. Në pjesën vijuese të këtij botimi, do të shohim ç’ndodhi atë vit. Danieli paratha edhe se Mesia ‘do të vritej’ për shlyerjen e mëkateve.—Danieli 9:24-26.

Mesia do të bëhej Mbret në qiell. Në një vegim të pazakontë të qiellit, Danieli pa «dikë si një bir njeriu», siç iu referua ai Mesisë, t’i afrohej fronit të Jehovait. Jehovai i dha «sundim, lavdi dhe mbretëri». Kjo Mbretëri do të zgjaste përgjithmonë. Danieli mësoi edhe një hollësi tjetër mahnitëse për Mbretërinë mesianike: Mbreti do të kishte edhe bashkësundimtarë, një grup të quajtur «të shenjtët e Tejet të Lartit».—Danieli 7:13, 14, 27.

Mbretëria do t’i shkatërrojë qeveritë e kësaj bote. Perëndia i dha Danielit aftësinë të interpretonte një ëndërr që kishte çoroditur Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë. Mbreti kishte parë një shëmbëlltyrë gjigante me kokën prej ari, gjoksin dhe krahët prej argjendi, barkun dhe kofshët prej bakri, kërcinjtë prej hekuri dhe këmbët nga kyçet e poshtë pjesërisht prej hekuri e pjesërisht prej argjile. Një gur i shkëputur nga një mal e goditi shëmbëlltyrën te këmbët e brishta dhe e thërrmoi. Danieli shpjegoi se pjesët e shëmbëlltyrës paraqitnin një radhë të gjatë fuqish botërore që do të vinin njëra pas tjetrës, duke nisur me Babiloninë si koka prej ari. Danieli paratha se Mbretëria e Perëndisë do të vepronte në kohën e fuqisë së fundit sunduese të kësaj bote të ligë. Ajo do t’i thërrmonte të gjitha qeveritë e kësaj bote. Pastaj do të sundonte përgjithmonë.—Danieli, kapitulli 2.

Danieli shumë i plakur arriti të shihte rënien e Babilonisë. Mbreti Kir e pushtoi qytetin pikërisht siç kishin parathënë profetët. Pak më vonë, judenjtë më në fund u liruan nga mërgimi. Kjo ndodhi pikërisht në kohë, pas shkretimit të parathënë 70-vjeçar të vendit të tyre. Nën drejtimin e guvernatorëve, priftërinjve dhe profetëve besnikë, judenjtë si përfundim e rindërtuan Jerusalemin dhe tempullin e Jehovait. Por, ç’do të ndodhte pasi të mbaronin 483 vjetët?

Bazuar në librin e Danielit.