Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1 Maji: Çfarë domethënie ka për ju?

1 Maji: Çfarë domethënie ka për ju?

1 Maji: Çfarë domethënie ka për ju?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

Çfarë ju vjen në mendje kur dëgjoni për 1 Majin? Parada dhe demonstrata? Ndonjë kërcim i veçantë i quajtur Meipol? Një ditë pushimi?

JU MUND të keni pikëpamje të ndryshme për ditën e 1 Majit, dhe kjo varet nga vendi ku jetoni. Megjithatë, të gjitha ato lidhen me njëra-tjetrën. Një vështrim i shkurtër rreth origjinës së 1 Majit, do të hedhë dritë për mënyrën se si festohet kjo ditë sot.

Origjina e saj

Në Romën e lashtë, dita e parë e Majit, mbahej gjatë festës së Floralias, e quajtur kështu për nder të Florës, perëndeshës së luleve dhe të pranverës. Gjatë kësaj feste, kishte këngë, valle dhe parada me lule shumëngjyrëshe. Në veçanti, në këtë festë gëzonin prostitutat romake pasi e shihnin Florën si perëndeshën e tyre mbrojtëse.

Kur romakët pushtuan territore të tjera, përhapën në to edhe zakonet e tyre. Megjithatë, kur ata shkuan në vendet kelte, zbuluan se tashmë dita e parë e majit festohej dhe quhej festa e Beltanës. Për keltët, mbrëmja shënonte fillimin e një dite të re. Kështu, në mbrëmjen para kësaj feste shuheshin të gjitha zjarret dhe, kur lindte dielli, njerëzit ndiznin zjarre të mëdha në majë të kodrave ose nën pemët e shenjta për t’i dhënë mirëseardhjen pranverës dhe rigjallërimit të jetës. Bagëtitë nxirreshin jashtë që të kullotnin dhe njerëzit u kërkonin perëndive t’i mbronin ato. S’kaloi shumë dhe Floralia u gërshetua me Beltanën, dhe kështu lindi festa e 1 Majit.

Për popujt gjermanishtfolës dhe skandinavë, Valpërgesi ishte ekuivalenti i festës të Beltanës. Festimet fillonin në natën e Valpërgesit, duke ndezur zjarre të mëdha për të larguar shtrigat dhe frymërat e liga. Edhe popujt e tjerë evropianë zhvilluan zakonet e tyre të 1 Majit, shumë prej të cilave ekzistojnë ende.

Kishat e krishterimit nuk bënë asgjë për t’i ndaluar këto festa pagane. «1 Maji​—ose Beltana​—ishte dita më toleruese e kalendarit, e vetmja festë që Kisha e Krishterë dhe autoritetet e tjera nuk mund ta mbanin nën kontroll»,​—vëren gazeta angleze Guardian.

Zakonet e 1 Majit

Aty nga Mesjeta, festës së 1 Majit, që tashmë ishte një nga më të preferuarat e anglezëve, iu shtuan disa zakone të reja. Burrat dhe gratë e kalonin natën nëpër pyjet aty përqark duke mbledhur lule dhe degë që kishin çelur sythe, kështu sapo të lindte dielli «t’i jepnin majit mirëseardhjen». * Sipas pamfletit Anatomia e abuzimeve (anglisht) e puritanit Filip Stëbsit, imoraliteti ishte shumë i përhapur. Dëfryesit vendosën një trung në mes të fshatit, që u bë i njohur si Meipoli (shtylla e 1 Majit), i cili ishte qendra e kërcimeve dhe e lojërave që vazhdonin gjatë gjithë ditës. Filip Stëbsi iu referua kësaj shtylle si «idhulli i neveritshëm». Njerëzit zgjidhnin mbretëreshën e 1 Majit dhe shpesh edhe mbretin, që të drejtonin festimet. Ngritja e këtyre shtyllave, meipoleve, dhe zgjedhja e mbretëreshës së 1 Majit, ishin zakone që gjendeshin edhe në vende të tjera të Evropës.

Cila ishte domethënia e këtyre zakoneve të 1 Majit? Një enciklopedi shpjegon: «Në fillim këto rite bëheshin me qëllim që të kishin bollëk të korrash, dhe kjo do të sillte si pasojë shtimin e bagëtisë dhe të popullsisë. Por, në shumicën e rasteve, kjo domethënie humbi pak nga pak dhe këto zakone ngelën thjesht festime popullore.»​—Encyclopædia Britannica.

Baticat dhe zbaticat

Reformatorët Protestantë u përpoqën ta ndalonin këtë festë, të cilën e konsideronin si pagane. Në vitin 1555, kalvinisti Skotland e ndaloi me ligj festën e 1 Majit. Pastaj, në vitin 1644, një parlament anglez që drejtohej nga puritanët, ndaloi ngritjen e meipoleve. Gjatë periudhës midis viteve 1649 deri në 1660, kur Anglia nuk kishte mbret, «ritet e lejuara» të 1 Majit u kufizuan. Sidoqoftë, me rivendosjen e monarkisë meipolet u ngritën përsëri.

Gjatë shekullit të 18-të dhe nga fillimi i shekullit të 19-të, festimet e meipolit gradualisht u rralluan. Megjithatë, më vonë u rigjallëruan duke marrë një ngjyrim më moral. Shumë nga traditat e sotme të 1 Majit,​—si për shembull, fëmijët që kërcejnë përqark meipolit, ku janë lidhur rripa me ngjyra të ndezura,​—e kanë origjinën nga këto kohë të mëvonshme. Megjithatë, folkloristët që po gërmojnë për të kaluarën e largët të 1 Majit, po zbulojnë rrënjët e saj pagane.

Emigrantët evropianë i përhapën zakonet e 1 Majit në vendet e reja ku shkuan, dhe disa nga pasardhësit e tyre ende e festojnë këtë ditë sipas mënyrës tradicionale. Por, në shumë vende 1 Maji, ose e hëna e parë pas 1 Majit, është thjesht dita e punëtorëve.

1 Maji bëhet dita e punëtorëve

Në kohët moderne, paradat dhe demonstratat gjatë festës së 1 Majit nisën në Amerikën e Veriut. Pse pikërisht këtu? Revolucioni industrial solli makineri të reja që punonin pareshtur, dhe si pasojë pronarët e fabrikave kërkonin që punëtorët të punonin të paktën 16 orë në ditë, përveç të dielave. Për të përmirësuar jetën e tyre, një federatë punëtorësh e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, kërkoi që dita e punës të bëhej 8-orëshe, duke filluar nga 1 Maji i vitit 1886. Pjesa më e madhe e punëdhënësve nuk ranë dakord, dhe si pasojë më 1 Maj, mijëra punëtorë hynë në grevë.

Njerëzit e parë që humbën jetën sepse përkrahën lëvizjen punëtore në Shtetet e Bashkuara, vdiqën në kryengritjen e Haymarket të Çikagos, Ilinois. Punëtorët në Angli, Francë, Holandë, Itali, Rusi dhe Spanjë u bashkuan me ta. * Në vitin 1889, në Paris u mbajt një kongres i partive socialiste të të gjithë botës, dhe e shpalli 1 Majin e vitit 1890 ditën ndërkombëtare të demonstratave në mbështetje të kërkesës për t’i pasur ditët e punës 8-orëshe. Që nga ky vit, në ditën e 1 Majit punëtorët ngriheshin për të kërkuar të drejtat për kushte më të mira pune.

Në republikat e Bashkimit Sovjetik, festimi tradicional i 1 Majit bëhej me parada ushtarake dhe tregoheshin arritjet në fushën e teknologjisë. Sot, shumë vende e kanë 1 Majin ditë pushimi dhe quhet Dita e Punëtorëve ose Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kurse, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e festojnë Ditën e Punëtorëve, të hënën e parë të shtatorit.

Lidhje mes të kaluarës dhe të sotmes

Kjo festë ka qenë përherë një festë popullore. Punëtorët e kanë bërë pushim atë ditë, pavarësisht nëse punëdhënësit e tyre kanë qenë dakord ose jo. Rolet në shoqëri kishin ndryshuar vendet. Për shembull, mbreti dhe mbretëresha e 1 Majit, zgjidheshin nga populli i thjeshtë, dhe shpesh klasa qeverisëse bëhej objekt i romuzeve. Kështu, është normale që njerëzit filluan ta lidhnin ditën e 1 Majit me lëvizjet e punëtorëve, dhe në shekullin e 20-të, socialistët e shpallën ditë feste.

Ashtu si 1 Maji i hershëm, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, është një ditë me parada nëpër rrugë. Por vitet e fundit, dhuna është bërë e zakonshme gjatë festimeve të kësaj dite. Për shembull, më 1 Maj të vitit 2000, në të gjithë botën u bënë protesta kundër kapitalizmit. Në këto protesta pati përleshje, plagosje dhe dëmtime pronash.

Nevoja për ndryshim: Si do të plotësohet?

Të jemi realistë, a mund të presim që njeriu të sjellë ndryshimet e nevojshme globale, të cilat do të ishin me dobi për të gjithë zemërbutët? Vështirë se po! Herë pas here, ky proverb i lashtë biblik ka dalë i vërtetë, pra: «Njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»​—Jeremia 10:23.

Për të sjellë kushte paqësore në të gjithë botën, nevojitet një fuqi e jashtëzakonshme, përtej asaj njerëzore. Burimi i kësaj fuqie është vetë Krijuesi i tokës, Perëndia Jehova. Fjala e tij Bibla, flet për të si ai që ‘hap dorën e tij dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë’. (Psalmi 145:16) Përse të mos i shqyrtoni vetë premtimet madhështore të Perëndisë?

Në përmbushje të lutjes model që Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, u mësoi ithtarëve të tij, Mbretëria e Perëndisë do të vijë dhe vullneti i Perëndisë do të bëhet me siguri në tokë. Bibla premton se Sundimtari i caktuar nga Perëndia, Jezu Krishti, «do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna».​—Psalmi 72:12-14.

[Shënimet]

^ par. 11 Pak më shumë se 400 vjet më parë, para se të përdorej kalendari gregorian, 1 Maji ishte 11 ditë më vonë se sot, dhe si rezultat ishte më ngrohtë dhe kishte shumë gjelbërim.

^ par. 19 Kjo trazirë arriti kulmin pas një përleshjeje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dhe si pasojë, disa punëtorë humbën jetën.

[Figura në faqen 12]

Shtylla e 1 Majit, që në shekullin e 16-të ngrihej afër një kishe në Londër

[Burimi]

Nga libri Observations on Popular Antiquities

[Figura në faqen 14]

Protestë kundër kapitalizmit 1 Maj 2000, Londër, Angli

[Burimi]

© Philip Wolmuth/Panos Pictures