Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhuna ndaj grave​—Një problem botëror

Dhuna ndaj grave​—Një problem botëror

Dhuna ndaj grave​—Një problem botëror

NJËZET E PESË nëntori është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave. Kjo ditë u pranua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999, me synimin që t’i bënte njerëzit më të vetëdijshëm për të drejtat e grave. Pse u konsiderua e nevojshme kjo?

Në shumë kultura gratë shihen e trajtohen si më të ulëta ose me më pak vlerë. Paragjykimet ndaj tyre janë të rrënjosura thellë. Dhuna ndaj grave, në të gjithë format e saj, është një problem i vazhdueshëm, madje edhe në botën e ashtuquajtur të zhvilluar. Sipas ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Ananit, «dhuna ndaj grave ka një shtrirje botërore dhe vërehet në të gjitha shoqëritë dhe kulturat. Ajo i prek të gjitha gratë, pavarësisht nga raca, përkatësia etnike, prejardhja shoqërore, rangu në të cilin kanë lindur apo ndonjë faktor tjetër».

Radhika Kumarasvami, ish e dërguara e posaçme e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, pranë OKB-së, thotë lidhur me dhunën ndaj grave se për pjesën dërrmuese të tyre kjo dhunë është «një çështje tabu, e fshehur në shoqëri dhe një realitet i turpshëm i jetës». Statistikat e nxjerra nga një institut në Holandë tregojnë se 23 për qind e grave në një vend të Amerikës Jugore, ose rreth 1 në 4 gra, përjetojnë ndonjë formë të dhunës në familje. Po kështu, sipas Këshillit të Evropës, 1 në 4 gra evropiane përjetojnë dhunë në familje. Sipas Ministrisë së Brendshme Britanike, në një nga vitet e fundit, në Angli dhe në Uells, mesatarisht dy gra çdo javë janë vrarë nga bashkëshorti ose ish-bashkëshorti i tyre. Revista India Today International raportonte se «për gratë në mbarë Indinë frika është një shoqe e pandashme dhe përdhunimi është një i huaj që mund ta ndeshin në çdo qoshe, në çdo rrugë, në çdo vend publik dhe në çdo orë». Organizata Amnesty International e përshkruan dhunën ndaj grave dhe vajzave si «problemin më të përhapur në lidhje me të drejtat e njeriut».

A pasqyrojnë statistikat e sipërpërmendura pikëpamjen e Perëndisë ndaj grave? Kjo pyetje do të trajtohet në artikullin vijues.