Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë të keqe kanë fjalët e pista?

Çfarë të keqe kanë fjalët e pista?

Të rinjtë pyesin

Çfarë të keqe kanë fjalët e pista?

«Doja të isha si shokët e shkollës. Ja pse m’u bë zakon të thosha fjalë të pista.»​—Milena. *

«Mendoja se s’ishte ndonjë gjë e madhe të thoshe fjalë të pista. Dëgjoja sa të duash gjithë kohën, si në shkollë edhe në shtëpi.»​—Davidi.

PËRSE kur të rriturit thonë fjalë të pista shpesh duket normale, kurse, kur i thonë fëmijët dhe adoleshentët, njerëzit skandalizohen? A është mosha ajo që përcakton nëse është e gabuar të thuhen fjalë të pista? Meqë kaq shumë njerëz thonë fjalë të ndyra dhe duket se ndryshe gjykohen të rriturit e ndryshe adoleshentët, mund të të lindë pyetja: «Çfarë të keqe kanë fjalët e pista?»

Nga merret ky ves?

S’ka dyshim se fjalë të pista dëgjon gjithandej. Madje, disa të rinj thonë se po t’u jepnin dhjetë lekë për çdo fjalë banale që dëgjojnë në shkollë, nuk do të kishin kurrë nevojë të punonin dhe prindërit fare mirë mund të dilnin në pension. «Në bisedat e përditshme,​—thotë Eva 15-vjeçare,​—në çdo fjali shokët e shkollës shajnë disa herë. Kur dëgjon gjithë ditën e ditës këto lloj fjalësh është e vështirë të mos bësh si shumica.»

A dëgjon rreth e qark fjalë të pista ashtu si Eva? A të është bërë ves ? * Në rast se po, ndalu një çast dhe mendo se çfarë të shtyn të thuash fjalë të pista. Pas kësaj, do ta kesh më të lehtë ta heqësh këtë ves.

Për të kuptuar çfarë të shtyn, përgjigjju pyetjeve të mëposhtme.

Në përgjithësi, pse thua fjalë të pista?

□ Nga inati ose mërzitja

□ Për të tërhequr vëmendjen

□ Për t’u pranuar nga shokët

□ Për t’u dukur i fortë

□ Në shenjë rebelimi ndaj autoritetit

□ Arsye të tjera ․․․․․

Në cilat raste të vjen më shumë të thuash fjalë të pista?

□ Në shkollë

□ Në punë

□ Kur shkruaj mesazhe në Internet dhe në celular

□ Kur jam vetëm

Çfarë justifikimi gjen për fjalët e pista?

□ Shokët i thonë

□ Prindërit i thonë

□ Mësuesit i thonë

□ Televizori, radio e të gjitha si këto, janë plot me fjalë të pista

□ Nuk është ndonjë gjë e madhe, fjalë janë

□ I them vetëm kur jam me njerëz që nuk bezdisen

□ Arsye të tjera ․․․․․

Në fund të fundit, pse ta heqësh këtë ves? A është vërtet kaq problem të thuash fjalë të pista? Mendo për sa vijon.

Nuk janë vetëm fjalë. Jezui tha: «Fjalët e tua tregojnë çfarë ke në zemër.» (Luka 6:45, Contemporary English Version) Vër re se ajo që themi nuk tregon vetëm ç’lloj njeriu duam të jemi, por tregon ç’lloj njeriu jemi. Edhe kur thua fjalë banale vetëm ngaqë i thonë të tjerët, fakti që imiton shembullin e tyre, tregon se ‘shkon pas shumicës’ dhe se nuk u qëndron parimeve të tua.​—Dalja 23:2.

Por nuk është vetëm kjo. Specialisti i gjuhës Xhejms V. O’Konor thotë: «Njerëzit që thonë fjalë të pista, shpesh janë nevrikë, kritikues, cinikë, zemërakë, grindavecë dhe vetëm ankohen.» Për shembull, ata që shajnë sa herë që diçka nuk del siç e prisnin, duket se mendojnë që çdo gjë duhet të shkojë vaj. Me sa duket nuk i tolerojnë dot gabimet. Nga ana tjetër, sipas O’Konorit, ata që nuk thonë fjalë banale «shpesh janë njerëz të qetë, . . . të pjekur, që dinë t’i përballojnë kokëçarjet e përditshme». Po ti, ç’lloj njeriu dëshiron të jesh?

Fjalët e pista të prishin reputacionin. Si shumë të rinj ka të ngjarë që edhe ti e ke merak paraqitjen tënde. Dëshiron të lësh përshtypje të mirë. Por, a e di se ajo që thua mund të ndikojë më shumë te të tjerët se paraqitja? Nga mënyra si flet, varen gjëra të tilla, si:

▪ Ç’lloj shoqërie do të kesh.

▪ Nëse do të të marrin apo jo në ndonjë vend pune.

▪ Sa do të të respektojnë.

Është e vërtetë se, shpesh, përshtypja fillestare që u lë njerëzve pamja jonë, fashitet shpejt sa zëmë të flasim. O’Konori thotë: «S’ke për ta marrë vesh kurrë sa raste për të bërë miq ke çuar kot ose sa njerëz të janë larguar a kanë humbur disi respektin për ty, ngaqë, pa e vrarë mendjen, ke thënë fjalë të ndyra.» Ç’mësim del nga kjo? Kur thua fjalë banale, po i bën dëm vetëm vetes.

Fjalët e pista tregojnë mungesë respekti për Krijuesin e të folurit. Ta zëmë se i dhuron një shoku një bluzë ose këmishë. Si do të ndiheshe po ta shihje që ai e përdor si një leckë për pluhurat ose ku fshin këpucët? Pra mendo si ndihet Krijuesi ynë kur ne e përdorim keq dhuratën e të folurit. S’është habi që Fjala e Perëndisë thotë: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.»​—Efesianëve 4:31.

Siç e sheh, ka arsye të forta për të mos thënë fjalë të pista. Po nëse ky ves të është ngulitur thellë, si ta mposhtësh?

Së pari: prano nevojën për të ndryshuar. Ka të ngjarë që, po të mos i kuptosh dobitë që do të kesh po ta pastrosh fjalorin, nuk ke për t’i lënë fjalët e pista. Cilët nga faktorët e mëposhtëm do të të nxitnin të mos thoshe fjalë të pista?

□ T’i pëlqej Krijuesit të të folurit

□ Të fitoj respektin e të tjerëve

□ Të pasuroj fjalorin

□ Të bëhem njeri më i mirë

Së dyti: kupto se çfarë të shtyn të thuash fjalë të pista. Milena thotë: «Fjalët e pista më bënin të ndihesha e fortë. Nuk doja që njerëzit të bënin si cuba me mua. Doja t’i kisha gjërat nën kontroll, t’u tregoja vendin të tjerëve, siç bënin të gjithë shokët e mi.»

Po ty çfarë të shtyn? Të kuptosh pse thua fjalë të pista është çelësi për të gjetur zgjidhjen e problemit. Për shembull, po qe se thua fjalë banale ngaqë kështu bëjnë të tjerët, ke nevojë të kesh më shumë besim te cilësitë e tua të mira. Të jesh krenar për parimet e tua është thelbësore për t’u rritur dhe të ndihmon shumë ta heqësh vesin e fjalëve të ndyra.

Së treti: gjej mënyra të tjera për t’u shprehur. Nuk është puna vetëm të mbash gjuhën. Për të hequr këtë ves duhet veshur ‘personaliteti i ri’. (Efesianëve 4:22-24) Kjo do të të ndihmojë të kesh më shumë vetëkontroll e respekt për veten dhe më shumë respekt për të tjerët.

Shkrimet e mëposhtme do të të ndihmojnë të veshësh dhe të mbash personalitetin e ri.

Kolosianëve 3:2: «Mbajeni mendjen të ngulitur te gjërat në qiell.»

Zbatimi: Stërvite mendjen që t’i çmojë gjërat e drejta. Mendimet e tua ndikojnë në mënyrën si flet.

Proverbat 13:20: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»

Zbatimi: Ti mund të infektohesh nga fjalori i shokëve.

Psalmi 19:14: «Fjalët e gojës sime dhe meditimi i zemrës sime, qofshin të këndshme para teje, o Jehova!»

Zbatimi: Jehovai e sheh si e përdorim dhuratën e të folurit.

A ke nevojë ende për ndihmë? Përse të mos përdorësh tabelën e mësipërme për të parë sa ke përmirësuar, duke shënuar sa herë ke përdorur fjalë të pista? Do të habitesh sa shpejt po e pastron fjalorin.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 8 Të krishterët kanë arsye të forta për të mos thënë fjalë të ndyra, pasi Bibla thotë: «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur.» «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë.»​—Efesianëve 4:29; Kolosianëve 4:6.

PËR TË MENDUAR

Si mund të ndikojë fjalori i pistë

▪ te lloji i shoqërisë që do të kesh?

▪ nëse do të të marrin apo jo në një vend pune?

▪ te mendimi i të tjerëve për ty?

[Tabela në faqen 21]

SHËNO SA KE PËRMIRËSUAR

E hënë E martë E mërkurë E enjte E premte E shtunë E diel

Java 1 ․․․․․․ ․․․․․․․ ․․․․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․

Java 2 ․․․․․․ ․․․․․․․ ․․․․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․

Java 3 ․․․․․․ ․․․․․․․ ․․․․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․

Java 4 ․․․․․․ ․․․․․․․ ․․․․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․ ․․․․․․․․ ․․․․․․

[Figura në faqen 20]

Një dhuratë të vyer nuk do ta keqpërdorje. Pse ta keqpërdorësh dhuratën e të folurit?