Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kontrolli i trafikut ajror​—Si ju mbron?

Kontrolli i trafikut ajror​—Si ju mbron?

Kontrolli i trafikut ajror​—Si ju mbron?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FILIPINE

A E KENI pyetur ndonjëherë veten teksa fluturoni me avion se si e di piloti se ku po shkon? Mbase nuk jeni ndier rehat kur keni menduar se dhjetra ose qindra avionë u bien kryq e tërthor qiejve në të njëjtën kohë. Si ka mundësi që nuk përplasen?

Këto pyetje i shqetësojnë me të drejtë udhëtarët. Megjithatë, statistikat tregojnë se fluturimi me avion është shumë i sigurt, * madje më i sigurt se të udhëtosh me motoçikletë ose makinë. Një faktor i rëndësishëm i kësaj sigurie është sistemi i kontrollit të trafikut ajror.

Drejtojnë fluturimin tuaj të sigurt

Kapiteni, ose piloti i parë, ka përgjegjësinë kryesore për sigurinë në avion. Megjithatë, ka shumë raste kur ai nuk mund t’i shohë avionët e tjerë që fluturojnë rrotull, madje as nuk është i vetëdijshëm për praninë e tyre. Prandaj, shumë shtete kanë një sistem për kontrollin e trafikut ajror. Një ekip punonjësish ndjekin nga toka çdo fazë të fluturimeve që bëhen sipas rregullave të fluturimit me ndihmën e kontrollit të trafikut ajror.

Samueli, që prej 13 vjetësh punon si kontrollor i trafikut ajror në Kaliforni, thotë: «Specialistët e kontrollit ajror luajnë një rol jetësor për sigurinë e trafikut. Përparësia kryesore është të sigurojnë distancat midis avionëve.» Melba, që punon si mbikëqyrëse turni e trafikut ajror, shpjegon më tej: «E para dhe më e rëndësishmja është siguria. Megjithatë, ne bëjmë të mundur edhe që trafiku të rrjedhë shpejt dhe me rregull.» Pra, përveçse ndihmojnë për të shmangur përplasjet, kontrollorët e trafikut ajror sigurojnë edhe qarkullimin e avionëve.

E gjithë kjo do të thotë që, ndërsa piloti kujdeset për detyrat e veta në kabinën e pilotimit, fluturimin e ndjekin edhe shumë sy e veshë të tjerë nga toka. Piloti flet rregullisht me radio jo vetëm me kontrollorët e aeroporteve nga ku nisen dhe ku mbërrijnë avionët, por edhe me ata të pikave të ndryshme përgjatë fluturimit.

Në këtë epokë të avionëve me shpejtësi të lartë, është shumë e rëndësishme të mbash nën mbikëqyrje atë që piloti ende nuk mund ta shohë. Përfytyroni dy avionë udhëtarësh që po ndjekin një kurs që do t’i vinte ballë për ballë. Në çastin kur pilotët do ta dallonin njëri-tjetrin me sy të lirë, mund të kenë vetëm pak sekonda në dispozicion për të shmangur përplasjen! Pikërisht kontrolli i trafikut ajror ka përgjegjësinë që të parandalojë situata të tilla. Shumë kohë para se ta shohin njëri-tjetrin, pilotët kanë marrë udhëzime për të mbajtur një distancë sigurie.

Ndjekin fluturimin tuaj

Radiotransmetues nga toka përcjellin sinjale për të drejtuar avionin. Piloti ka aparatura që kapin sinjalet e këtyre transmetuesve dhe i tregojnë me saktësi se ku ndodhet. Meqë transmetuesit gjenden në pika të përcaktuara, avionët fluturojnë nga njëra pikë te tjetra derisa mbërrijnë në destinacion. Në fakt, këto pajisje ndihmëse fluturimi kanë krijuar rrugë ajrore të përcaktuara.

Kontrollorët e trafikut ajror i ndjekin avionët përgjatë këtyre rrugëve ajrore. Para se të nisen, pilotëve u kërkohet të dorëzojnë një plan fluturimi i cili tregon drejtimin që do të ndjekin. Kontrollorët kanë një kopje të atij që quhet shiriti i ecurisë së fluturimit. Salvador Rafaeli, shef i kontrollit të trafikut ajror, shpjegon rëndësinë e këtij shiriti: «Përgjatë rrugëve ajrore ka pika kryqëzimi. Kur piloti fluturon mbi to, duhet t’ia raportojë këtë kontrollorit, i cili e shënon te shiriti.» Në këtë mënyrë, kontrollori ka një ide për rrugën që po ndjek avioni.

Për të marrë këto raporte, kontrollori ka edhe një mjet tjetër​—radion. Ai e di se ku ndodhet avioni dhe i dërgon pilotit udhëzime që e ndihmojnë të mbajë një distancë sigurie nga avionët e tjerë. Kontrollorët dhe pilotët zakonisht kanë disa radio dhe frekuenca. Në rast se ndonjëra nuk punon, mund të përdorin një tjetër.

Ç’të themi për fluturimet ndërkombëtare, ku personeli flet gjuhë të ndryshme? Për të shmangur rreziqet që mund të vijnë nga keqkuptimet në komunikim, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil ka zgjedhur anglishten si gjuhë të përbashkët të aviacionit. Gjithashtu, meqë disa fjalë, germa dhe numra tingëllojnë njësoj në radio, kontrollorët e trafikut ajror mësojnë të përdorin fraza dhe shqiptime standarde kur u japin udhëzime pilotëve. Për të rritur edhe më tej shkallën e sigurisë, pilotëve u kërkohet të përsëritin disa udhëzime të kontrollorëve.

Një mjet tjetër që përdorin kontrollorët e trafikut ajror janë radarët. Valët e radios që përplasen me avionët kthehen pas dhe kapen nga antena e radarit. Avionët shfaqen si objekte ose shenja në ekranin e radarit të kontrollorëve. Shumë avionë janë të pajisur me një aparaturë e cila i transmeton antenës së radarit një sinjal identifikues. Kur ky sinjal bashkohet me të dhënat që gjenden në kompjuter, në ekranin e radarit shfaqet avioni, bashkë me numrin e fluturimit, shpejtësinë, lartësinë dhe me tipin e avionit.

Nëse e sheh të nevojshme se avioni duhet të manovrojë për të parandaluar ndonjë përplasje, kontrollori ka disa mundësi veprimi. Ai mund ta udhëzojë pilotin të ndryshojë: (1) kursin, ose drejtimin. Ky quhet ndryshe vektorizim. Ose mund ta udhëzojë të ndryshojë (2) shpejtësinë, në rast se një avion duket se po i afrohet një tjetri dhe mund ta parakalojë. Një mënyrë shumë e zakonshme se si ai i ndan avionët, është duke u ndryshuar (3) lartësinë.

Shumë sisteme radarësh kanë edhe një veçori tjetër për të rritur sigurinë: ata mund t’i lajmërojnë kontrollorët kur lindin situata të rrezikshme. Për shembull, alarme pamore dhe dëgjimore ndizen nëse sistemi parashikon që dy avionë do të afrohen shumë me njëri-tjetrin. Një alarm tjetër ndizet nëse ndonjë avion duket se po i afrohet tepër sipërfaqes së tokës.

Synimi​—Siguria juaj

Tashmë janë duke u vënë në zbatim plane për të përmirësuar sistemin e kontrollit të trafikut ajror. Shpesh sistemet e drejtimit nga toka i detyrojnë avionët të mbajnë vetëm disa kurse dhe lartësi të përcaktuara. Kjo sjell si pasojë që hapësira ajrore të mbetet e pashfrytëzuar dhe itineraret e fluturimit të jenë më të gjata. Në të ardhmen, drejtimi i fluturimeve do të bazohet edhe më shumë në sisteme satelitore, si Sistemi Global i Pozicionimit (GPS), të cilat do të krijojnë më shumë elasticitet në përcaktimin e itinerareve të avionëve dhe do ta bëjnë më të lehtë kontrollimin e fluturimeve transoqeanike.

Siç e keni parë edhe në këtë trajtim të shkurtër të kontrollit të trafikut ajror, piloti nuk është i vetmi që e di se ku ndodhet në çdo moment avioni me të cilin po fluturoni. Në të vërtetë, shumë njerëz të tjerë nga toka janë duke mbikëqyrur ecurinë e fluturimit. Sistemi është projektuar që të zvogëlojë rreziqet dhe të rritë sigurinë. Ja përse nuk habitemi që numri i aksidenteve të avionëve civilë është shumë i ulët.

Kështu pra, nëse udhëtoni me avion, nuk keni arsye për të pasur frikë. Herën tjetër kur të bëni një fluturim të gjatë, mos harroni që sytë dhe veshët e kontrollorëve të trafikut ajror vigjilojnë për sigurinë tuaj. Prandaj, rehatohuni në sedilje dhe shijoni një udhëtim të këndshëm!

[Shënimi]

^ par. 4 Në një nga vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara avionët civilë përshkuan rreth 11 miliardë kilometra dhe, mesatarisht, ndodhi vetëm një aksident në çdo 334.448 orë fluturimi.

[Diagrami në faqet 14, 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

NDJEKIN FLUTURIMIN TUAJ

Sistemi Global i Pozicionimit

Sistemi i kontrollit të trafikut ajror

Radiotransmetues nga toka

Radio

Antenë radari

[Figura në faqen 15]

Kulla e kontrollit të trafikut ajror

[Figura në faqen 15]

Kontrollorë të trafikut ajror

[Figura në faqen 15]

Qendër e kontrollit të trafikut ajror

[Burimet e figurave në faqen 15]

Kulla dhe kontrollorët Qendra kërkimore e NASA-s në Emz; qendër kontrolli: Administrata Federale e Aviacionit, SHBA