Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është filantropia zgjidhja?

A është filantropia zgjidhja?

A është filantropia zgjidhja?

EDHE pse në lajme flitet kryesisht për katastrofat natyrore, varfërinë, urinë, sëmundjet dhe rreziqet që i kanosen mjedisit, tani vërehet edhe një prirje më pozitive: shtimi i akteve të bamirësisë. Herë pas here lajmet njoftojnë për të pasurit që dhurojnë qindra milionë, madje miliarda dollarë për kauza të denja. Disa të famshëm po e përdorin shpesh famën e tyre që t’ua drejtojnë vëmendjen njerëzve te problemet serioze. Madje edhe shumë njerëz me të ardhura mesatare po kontribuojnë për kauza të ndryshme. Megjithatë, deri në ç’masë mund të ndihmojë dhënia e parave, sidomos në vitet e ardhshme?

Një epokë e artë filantropike?

Prirja për të dhënë duket se po merr vrull në disa vende. Një libër shkroi: «Në fillim të shekullit të njëzetenjëtë, ka më shumë fondacione [filantropike] me më shumë të ardhura dhe në më shumë vende se kurrë më parë.» Teksa numri i të pasurve rritet, pritet të vazhdojë edhe bamirësia. Jo vetëm që disa do të kenë më shumë për të dhënë, por, ndërsa të pasurit vdesin dhe lënë trashëgimi pasuritë e tyre, përqindja e këtyre pasurive që u jepet organizatave bamirëse pritet të rritet. Jo më kot gazeta britanike The Economist tha se ndoshta po shohim agimin e «një epoke të artë filantropike».

Një arsye për këtë prirje është dështimi i qeverive për të zgjidhur problemet botërore më urgjente. Një përfaqësues i posaçëm i OKB-së për HIV-in dhe SIDA-n në Afrikë përmendi «boshllëkun total të udhëheqjes politike» si një arsye pse gjithnjë e më tepër njerëz të famshëm përfshihen në çështjet e shëndetit botëror. Pavarësisht nëse problemet përfshijnë varfërinë, kujdesin shëndetësor, mjedisin, arsimimin apo drejtësinë sociale, sipas autorit Xhoel Flajshmen, të pasurit në veçanti po bëhen «gjithnjë e më të paduruar me përpjekjet e pamjaftueshme qeveritare dhe ndërkombëtare për t’i zgjidhur ose përmirësuar këto probleme». (Libri Fondacioni: Një sekret i madh amerikan​—Si po e ndryshon botën pasuria private?) Të etur për t’i përmirësuar gjërat që tani, disa filantropë të pasur përpiqen të përdorin metodat që i bënë të suksesshëm në biznes.

Fuqia e filantropisë

Edhe në agimin e shekullit të 20-të u vërejt një e ashtuquajtur epokë e artë filantropike. Titanë të tillë të financës, si Endru Karnegi dhe Xhon D. Rokfeleri, vendosën ta përdornin pasurinë për të ndihmuar nevojtarët. Këta bamirës panë që, ndonëse organizata bamirëse të njohura ushqenin të uriturit ose kujdeseshin për fëmijët e sëmurë, ato nuk i zgjidhnin shkaqet e vërteta të këtyre problemeve. Duke kuptuar nevojën për një planifikim më të mirë, krijuan institute dhe fondacione që do të nxitnin ndryshime shoqërore dhe do të financonin kërkimet që kishin si synim eliminimin që në rrënjë të problemeve. Që në ato vite të hershme, anembanë botës, janë ngritur dhjetëra mijë organizata të tilla. Më tepër se 50 prej tyre kanë një pasuri me vlerë mbi një miliard dollarë.

Nuk mund t’i mohojmë të mirat që janë bërë. Për këtë dëshmojnë shumë shkolla, biblioteka, spitale, parqe dhe muze që janë ngritur. Po ashtu, programet e organizuara për të shtuar prodhimin e të korrave dhe të produkteve ushqimore, kanë ndihmuar që t’u sigurohet më shumë ushqim vendeve të varfra. Financimi i kërkimeve mjekësore ka ndihmuar për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe, në disa raste, për çrrënjosjen e disa sëmundjeve, si ethet e verdha.

Sot, kur problemet globale po luftohen më me urgjencë dhe me më shumë burime se kurrë, mundësia për t’ia dalë mbanë, shumë vetave u duket e ndritur. Në vitin 2006, një ish-president i SHBA-së deklaroi para një grupi filantropësh: «Nuk arrijmë ta theksojmë sa duhet ndikimin që do të kenë kontributet e privatëve në të mirë të publikut.»

Por, shumë veta kanë rezerva për këtë çështje. Lori Garet, eksperte në fushën e kujdesit global shëndetësor, shkroi: «Dikush mund të mendojë se me gjithë këto para, duhet të jemi në prag të zgjidhjes së problemeve të shumta globale. Por e ka gabim.» Pse? Ajo përmend si shkaqe burokracinë e kushtueshme, korrupsionin, mungesën e koordinimit të përpjekjeve dhe prirjen e donatorëve për të kufizuar llojet e sëmundjeve për të cilat duhen përdorur fondet, si për shembull SIDA.

Ngaqë përpjekjet nuk janë të koordinuara dhe paratë po përdoren «kryesisht për sëmundje specifike të bujshme, e jo për shëndetin publik në përgjithësi», Garet mendon se «ekziston rreziku i madh që epoka e tanishme e bamirësisë jo vetëm të mos jetë siç pritet, por faktikisht t’i përkeqësojë gjërat».

Pse paratë nuk mjaftojnë

Suksesi i filantropisë do të jetë gjithmonë i kufizuar, pavarësisht nga synimi i saj. Pse? Pikësëpari, as paratë, as arsimimi i mirë nuk mund të zhdukin probleme të tilla, si lakmia, urrejtja, paragjykimi, nacionalizmi, krenaria fisnore dhe bindjet e rreme fetare. Ndonëse këto ua shtojnë mjerimet njerëzve, nuk janë shkaqet rrënjësore të vuajtjeve. Siç tregon Bibla, çështja shkon më thellë se kaq.

Njëra arsye është se njeriu është i papërsosur, ka lindur mëkatar. (Romakëve 3:23; 5:12) Për shkak të gjendjes sonë të papërsosur, kemi prirjen të mendojmë e të bëjmë gjëra të gabuara. «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij»,​—thotë Zanafilla 8:21. Duke u dorëzuar para kësaj prirjeje të gabuar, miliona njerëz kryejnë imoralitet seksual dhe abuzojnë me drogën. Si pasojë, këto gjëra kontribuojnë për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme, përfshirë edhe SIDA-n.​—Romakëve 1:26, 27.

Një arsye tjetër thelbësore pse vuajnë njerëzit është paaftësia e tyre për të qeverisur me efektshmëri. «Njeriut . . . nuk i takon as të drejtojë hapat e vet»,​—thotë Jeremia 10:23. ‘Boshllëku total i udhëheqjes politike’, që u përmend më parë, është një arsye pse shumë organizata filantropike veprojnë pa kërkuar ndihmën e qeverisë. Bibla shpjegon se njerëzit u krijuan që të kishin si Sundimtar Krijuesin, e jo njëri-tjetrin.​—Isaia 33:22.

Për më tepër, Bibla premton se Krijuesi, Perëndia Jehova, do t’i zgjidhë të gjitha problemet që mundojnë njerëzimin. Në të vërtetë, tashmë ai i ka ndërmarrë hapat kryesorë për këtë qëllim.

Filantropi më i Madh

Fjala «filantropi» vjen nga një fjalë greke që do të thotë «dashuri për njerëzimin». Askush nuk ka dashuri më të madhe për njerëzimin sesa Krijuesi ynë. Gjoni 3:16 thotë: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» Po, Jehovai dha diçka shumë më të shtrenjtë se paratë që t’i çlironte njerëzit nga kthetrat e mëkatit e të vdekjes. Ai dha Birin e tij të shtrenjtë si «shpërblesë për shumë njerëz». (Mateu 20:28) Apostulli Pjetër shkroi për Jezuin: «Ai vetë mbarti mëkatet tona në trupin e tij në shtyllë, që ne të mos kishim të bënim më me mëkatet dhe të jetonim për drejtësinë. Dhe ‘me plagët e tij u shëruat’.»​—1 Pjetrit 2:24.

Gjithashtu, Jehovai ka zgjidhur edhe problemin e qeverisjes. Për këtë qëllim, ai ka vendosur një qeveri botërore që quhet Mbretëria e Perëndisë. Kjo qeveri qiellore do të zhdukë të gjithë të ligjtë dhe do të sjellë paqe e harmoni në planetin Tokë.​—Psalmi 37:10, 11; Danieli 2:44; 7:13, 14.

Duke eliminuar shkaqet rrënjësore të vuajtjeve njerëzore, Perëndia do të kryejë atë që nuk mund ta bëjnë dot njerëzit, qoftë si individë, qoftë si grup. Prandaj, në vend që të formojnë organizata filantropike, Dëshmitarët e Jehovait imitojnë Jezu Krishtin dhe parapëlqejnë t’ia kushtojnë kohën dhe burimet financiare shpalljes së ‘lajmit të mirë për mbretërinë’ e Perëndisë.​—Mateu 24:14; Luka 4:43.

[Kutia dhe figura në faqen 21]

«Perëndia do një dhënës të gëzuar»

Dëshmitarët e Jehovait udhëhiqen nga ky parim që gjendet në Bibël, te 2 Korintasve 9:7. Kur përdorin kohën, energjitë dhe të mirat materiale për dobinë e të tjerëve, ata përpiqen t’i vënë veshin këshillës: «Le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.»​—1 Gjonit 3:18.

Kur lind ndonjë nevojë, si për shembull, kur ndodhin katastrofa natyrore, Dëshmitarët e konsiderojnë një privilegj t’i ndihmojnë ata që kanë pësuar dëme. Për shembull, pasi uraganet Katrina, Rita dhe Vilma goditën rajonet jugore të Shteteve të Bashkuara, mijëra vullnetarë Dëshmitarë vërshuan për te zonat e goditura që të ndihmonin për shpërndarjen e ndihmave dhe rindërtimin e objekteve. Nën mbikëqyrjen e komiteteve vendëse për dhënien e ndihmës, vullnetarët riparuan dhe meremetuan më shumë se 5.600 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait dhe 90 Salla Mbretërie, pra, pothuajse të gjitha ato që u dëmtuan.

Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të detyruar të japin të dhjetën e të ardhurave dhe nuk kërkojnë fonde në asnjë mënyrë. Vepra e tyre mbështetet tërësisht nga kontributet vullnetare.​—Mateu 6:3, 4; 2 Korintasve 8:12.

[Figurat në faqen 19]

Paratë nuk mund t’i eliminojnë shkaqet rrënjësore të sëmundjeve dhe të vuajtjeve

[Burimi]

© Chris de Bode/​Panos Pictures