Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tigri i Siberisë​—A do të mbijetojë?

Tigri i Siberisë​—A do të mbijetojë?

Tigri i Siberisë​—A do të mbijetojë?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË RUSI

Një ditë të kthjellët dimri, në lindjen e largët të Rusisë, një tigër gjigant vrapon nëpër borën vezulluese, i ndjekur nga një helikopter. Një snajper me pushkë në dorë zgjat trupin jashtë helikopterit, ndërsa tigri kërcen në një pemë dhe lëshon një ulërimë sfiduese. Snajperi shtie. Helikopteri ulet dhe njerëzit që ndodheshin brenda i afrohen me kujdes bishës së goditur.

MOS janë gjahtarë të paligjshëm? Jo, janë studiues që përdorin qetësues. Kanë ardhur të studiojnë një nga kafshët më të rrezikuara në tokë, tigrin e pakapshëm të Siberisë. *

Një krijesë madhështore

Një herë e një kohë tigrat e Siberisë endeshin në Kore, Kinën Veriore, Mongoli, deri në perëndim në liqenin Bajkal, Rusi. Mirëpo shekullin e kaluar numri i tyre është pakësuar. Strofka e tyre e fundit ka mbetur një vargmal i largët në veri të Vladivostokut, në Rusi, pranë detit të Japonisë.

Tigrat e njohin mirë njëri-tjetrin nga era, dhe kjo u lejon meshkujve të kërkojnë femrat në kohën e çiftimit. Këlyshët lindin dy ose tre njëherësh, të verbër dhe të lëvizshëm. Megjithatë, në ndryshim nga kotelet e maceve, tigrat e Siberisë nuk mësojnë kurrë të gërhijnë. Duke hungëritur lehtë, ata ushqehen me qumështin e së ëmës për pesë a gjashtë muaj dhe pastaj fillojnë të ushqehen me mish. Fillimisht, ata dalin për gjah bashkë me të ëmën, ndonëse nuk janë gati të gjuajnë vetë pa mbushur 18 muaj. Tigrat e rinj mund të qëndrojnë me nënën deri në dy vjet. Më pas largohen dhe përcaktojnë territorin e tyre.

Në natyrë, disa nga këta tigra arrijnë përmasa shumë të mëdha. Meshkujt mund të peshojnë deri 270 kg dhe të arrijnë një gjatësi prej më shumë se 3 metra bashkë me bishtin. Tigrat janë të pajisur më së miri për të përballuar dimrin e ftohtë dhe me dëborë. Një gëzof i trashë mbulon trupin e tyre dhe putrat e mëdha të tigrit janë të mbuluara me pellush që u shërben si këpucë bore.

Tigrat e Siberisë kanë një gëzof ngjyrë portokalli me vija të errëta. Këto vija, që janë unike për çdo tigër, e dallojnë një tigër nga një tjetër ashtu si shenjat e gishtave dallojnë njerëzit. Kur është në pyll, këto vija dhe ngjyra shpesh e bëjnë të padallueshëm një tigër që s’lëviz. Mirëpo, nëse në dimër një tigër del në vend të hapur, ai bëhet qartësisht i dukshëm në një sfond me dëborë. Kjo nuk i shpëton syrit të «grabitqarit» të vetëm të tigrave, njeriut.

Në rrezik mbijetese

Që të mbijetojë, tigri i Siberisë duhet të vrasë kafshë të mëdha, si kaprolli, dreri brilopatë dhe derri i egër. Mirëpo, në Siberinë Lindore, këto kafshë po bëhen gjithnjë e më të rralla në natyrë. Një zonë pyjore prej 1.000 km katrorë mund të sigurojë pre të mjaftueshme vetëm për katër ose pesë tigra. Pra, që tigrat e Siberisë të mbijetojnë në natyrë, duhet të kenë një territor të bollshëm.

Për vite me radhë, pyjet e pafundme dhe të padepërtueshme të Siberisë ishin një territor ideal për këta tigra të mëdhenj. Njerëzit, që përbëjnë të vetmin kërcënim serioz për ekzistencën e tigrit, vërtiteshin rrallë atyre anëve. Megjithatë, kohët e fundit, ndërmarrje sharrash nga vende të huaja kanë shfarosur një pjesë të madhe të këtyre pyjeve.

Me zhdukjen e pemëve, zhduken edhe kaprojtë, drerët brilopatë, derrat e egër dhe tigrat e Siberisë. Për të ndalur sadopak pakësimin e numrit të tyre, qeveria ruse ka hapur disa rezervate natyrore të mëdha, si Rezervati Natyror i Sikhote-Alinit. Por, kur tigrat dalin nga këto zona, bëhen pre e gjahtarëve të paligjshëm që merren me tregtinë e suvenirëve ekzotikë. Dhëmbët, thonjtë, kockat dhe gëzofi i tigrave, përfshirë edhe ato të këlyshëve, shiten me çmime të kripura.

Në shpëtim të tigrit

Po bëhen përpjekje edhe më të mëdha për të shpëtuar tigrin e Siberisë dhe banorët vendës janë të parët në këtë drejtim. Për rrjedhojë, numri i tigrave të Siberisë ka pasur një rritje modeste. Sipas një numërimi në vitin 2005, në Siberi jetonin 430 deri 540 tigra.

Në krahun tjetër, tigrat e Siberisë që nuk janë në gjendje të lirë shumëzohen kollaj dhe po ecin relativisht mirë. Nëpër kopshtet zoologjike anembanë botës ka më shumë se 500 tigra siberianë. Pra, përse të mos lihen në gjendje të lirë disa prej tyre që të shtojnë numrin e tigrave në natyrë? Shkencëtarët ngurrojnë. «S’do të kishte shumë dobi t’i lije këto kafshë në natyrë,—thotë një studiuese,—pa siguruar më parë të ardhmen e tyre.»

Të gjitha gjallesat, përfshirë edhe macet e mëdha, janë prova të mençurisë e të fuqisë së Perëndisë dhe ai i quan të denja për vëmendjen dhe kujdesin e tij. (Psalmi 104:10, 11, 21, 22) Shumë njerëz që i çmojnë veprat e Krijuesit kanë besim se do të vijë koha kur tigri i Siberisë nuk do të jetë më në rrezik zhdukjeje.

[Shënimi]

^ par. 4 Disa herë tigri i Siberisë quhet edhe tigri i Amurit, meqë këto kafshë kryesisht gjenden në zonën e lumit Amur, në lindjen e largët të Rusisë.

[Kuti dhe figura në faqet 16, 17]

MACJA MË E MADHE

Tigrit të Siberisë ia kalon për nga përmasat ligri, një kryqëzim mes një luani mashkull dhe një tigri femër. Ligrat mund të kalojnë 3 metra gjatësi dhe mund të peshojnë më shumë se 500 kg. Ata shumëzohen nëpër kopshte zoologjike, dhe janë të rrallë, për të mos thënë që nuk gjenden fare, në natyrë.

[Burimet e figurave në faqen 16]

Lart: © photodisc/​age fotostock; poshtë: Hobbs, me mirësjellje nga kopshti zoologjik i Sierra-Safarit, Reno, NV