Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dashuri më e fuqishme se uragani!

Dashuri më e fuqishme se uragani!

Dashuri më e fuqishme se uragani!

Në vitin 2005, uraganet Katrina dhe Rita goditën bregun e gjirit të Meksikës në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktuan dëme katastrofike e morën shumë jetë njerëzish. Ndër të dëmtuarit ishin edhe mijëra Dëshmitarë të Jehovait.

Nën drejtimin e zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, u hodhën në veprim komitetet e ndihmës për raste katastrofash. Në Luizianë, ato ngritën 13 qendra për të drejtuar punën për dhënien e ndihmës dhe hapën 9 magazina e 4 depo me lëndë djegëse. Fusha e tyre e veprimit ishte një zonë me sipërfaqe 80.000 km katrorë. Rreth 17.000 vullnetarë Dëshmitarë, nga çdo cep i Shteteve të Bashkuara dhe nga 13 vende të tjera, vërshuan për të dhënë ndihmë në këtë situatë urgjente dhe në punën e rindërtimit. Rezultatet treguan se forcat e natyrës nuk maten dot me dashurinë e krishterë.​—1 Korintasve 13:1-8.

Vullnetarët riparuan më shumë se 5.600 shtëpi të bashkëbesimtarëve dhe 90 Salla Mbretërie, vendet ku mblidhen Dëshmitarët e Jehovait. Këto shifra tregojnë se u riparuan thuajse të gjitha ndërtesat e dëmtuara. Në përputhje me Galatasve 6:10, që i nxit të krishterët ‘të bëjnë atë që është e mirë ndaj të gjithëve’, Dëshmitarët e Jehovait ndihmuan edhe mjaft jobesimtarë.

NDONËSE kjo punë për të dhënë ndihmë kërkonte sakrifica personale, shpërblimet ishin të shumta. Ja çfarë thanë shtatë Dëshmitarë që mbikëqyrën disa aspekte të kësaj pune.

«Kohë emocionuese në jetën time»

Roberti: Shërbimi në një komitet ndihme për katastrofat ka qenë një kohë emocionuese në jetën time. Jam 67 vjeç dhe jam më i moshuari në komitet. Shërbeva me një armatë vullnetarësh, mes të cilëve kishte shumë të rinj Dëshmitarë që ishin të mrekullueshëm dhe të zellshëm për veprën e Perëndisë. Sa zemër merr kur sheh të rinjtë që tregojnë një dashuri vetëmohuese për Jehovain e për bashkëbesimtarët!

Ime shoqe, Veronika, ka qenë ndihmëse e shkëlqyer. Ajo më mbështeti në vendimin tim për të lënë punën që bëja prej më shumë se 40 vjetësh, që të viheshim në dispozicion për ndihmë në kohë katastrofash. Tani punojmë një mbrëmje në javë si pastrues zyrash. Kemi mësuar t’ia dalim me më pak para dhe të kënaqemi me një jetë të thjeshtë. Puna me njerëz që duan t’i pëlqejnë Jehovait, na ka bërë të kuptojmë më thellë se çfarë do të thotë të vësh në vend të parë në jetë Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 6:33) Gjithnjë kemi parë se Jehovai kujdeset shumë për njerëzit e tij.

Franku: Shërbej si mbikëqyrës i repartit që siguron ushqim për vullnetarët në qendrën e ndihmës të qytetit Baton-Ruzh. Në fillim, puna për ushqimin e vullnetarëve kërkonte të punonim 10 deri në 12 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Megjithatë, bekimet ishin të shumta, si për shembull të shihnim me sytë tanë fuqinë e dashurisë së krishterë.

Shumë vullnetarë që ndihmonin në repartin e ushqimit për pak a shumë një javë, kërkonin të vinin prapë. Me anë të kartolinave dhe telefonatave, disa shprehnin mirënjohje nga zemra për privilegjin që kishin pasur të ndihmonim. Mua dhe time shoqe, Veronikën, na ka prekur shumë fryma e tyre vetëmohuese.

I rrëqethej mishi

Gregori: Unë dhe gruaja ime, Keti, e shitëm shtëpinë në Las-Vegas, Nevadë, dhe blemë një kamionçinë me rimorkio, që është bërë shtëpia jonë. Thjeshtimi i jetës ka bërë të mundur të marrim pjesë në veprën e ndihmës në Luizianë për më se dy vjet. Si kurrë më parë, po provojmë në jetën tonë sa të vërteta janë fjalët që gjenden në Bibël te Malakia 3:10: «Ju lutem, më vini në provë . . . ,​—ka thënë Jehovai i ushtrive,​—[dhe shihni] po s’ju hapa portat e qiejve dhe po s’ju derdha një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë.»

Shpesh qeshim me vete kur njerëzit thonë: «Oh, çfarë vetëmohimi që tregoni!» Tridhjetë vjet më parë, unë dhe Keti donim të shërbenim në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, por kishim fëmijë për të rritur. Puna për të ndihmuar në raste urgjence e ka plotësuar dëshirën tonë për të bërë më shumë në shërbimin e Perëndisë. Një privilegj tjetër ka qenë të punojmë bashkë me Dëshmitarë të tjerë, disa prej të cilëve janë mjaft të zotë. Për shembull, një nga kuzhinierët tanë kishte qenë kryekuzhinier në një restorant të shkëlqyer, kurse një tjetër kishte gatuar për dy presidentë të SHBA-së.

Për shumë vullnetarë që kanë ndihmuar në raste katastrofash, kjo ka qenë një përvojë që u ka ndryshuar jetën. Një 57-vjeçari i rrëqethej mishi teksa përshkruante si i kishte ndihmuar viktimat e uraganit. Edhe disa Dëshmitarë që nuk kishin mundësi të vinin, kanë qenë burim inkurajimi. Për shembull, dy vullnetarë që merren me pastrimin e mykut, na sollën një banderolë që kishin bërë pjesëtarët e tri kongregacioneve në vendin e tyre, Nebraskë. Banderolën e kishin firmosur të gjithë, përfshirë edhe fëmijët.

‘Kemi parë sa kujdeset Perëndia për të dëmtuarit’

Uendelli: Të nesërmen pasi goditi Katrina, mora një ftesë nga dega e Shteteve të Bashkuara për të llogaritur dëmin në Sallat e Mbretërisë dhe shtëpitë e Dëshmitarëve të Jehovait në Luizianë dhe Misisipi. Kështu filloi një punë që u bë edhe caktimi ynë, edhe një përvojë që na ka mësuar shumë. Ngaqë kemi jetuar 32 vjet në një zonë ku ka shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, unë dhe ime shoqe, Xhanina, e kemi parë qartë sa kujdeset Jehovai për popullin e tij. Megjithatë, tani kemi parë kujdesin e Perëndisë në një shkallë shumë më të gjerë.

Kam privilegjin të shërbej si drejtues i komitetit të ndihmës për katastrofat në Baton-Ruzh. Ndonëse i vështirë, ky caktim më ka dhënë kënaqësi pa masë. Vërtet, gjatë punës për të dhënë ndihmë, komiteti ynë ka parë me qindra herë se si Perëndia ka zgjidhur problemet, ka hapur udhën dhe është kujdesur për të dëmtuarit, në mënyra që vetëm një Atë i Plotfuqishëm dhe i dashur mund t’i bënte.

Shumë veta kanë pyetur: «Si ia dilni ti dhe gruaja të merrni pjesë akoma në këtë punë edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet?» Nuk ka qenë gjithnjë e lehtë. Na është dashur të bëjmë shumë e shumë përshtatje në jetë. Por nga ana tjetër kemi provuar sa dobi vijnë kur mban një ‘sy të thjeshtë’.​—Mateu 6:22.

Kur ishim në misionet e para të kërkim-shpëtimit në Nju-Orleans, pushonim fare pak. Si për ta rënduar gjendjen, në qytet thuajse mbizotëronte ligji i luftës, për shkak të kaosit dhe akteve mizore që ndodhnin rrugëve. Ishte e lehtë të ndiheshim të mbytur nga puna kolosale që na priste.

Takonim mijëra Dëshmitarë që kishin pësuar dëme. Luteshim me ta dhe përpiqeshim t’i ngushëllonim. Pastaj, me ndihmën e Jehovait, i hynim punës. Nganjëherë më duket sikur këta dy vjet që kam kaluar këtu kam jetuar sa për dy jetë.

Shumë herë ndodhte që tamam kur mendoja se isha i sfilitur aq sa s’mbaja më fizikisht dhe emocionalisht, mbërrinte një valë e re vullnetarësh: disa për ca muaj, të tjerë për më gjatë. Merrje forcë kur shihje kaq shumë vullnetarë që ndihmonin me gëzim e gatishmëri, ndër të cilët edhe shumë të rinj.

Shpesh Jehovai na nxirrte nga situata. Për shembull, kur mbërritëm, gjëja e parë që pamë ishin pemët që kishin zënë përposh më shumë se 1.000 shtëpi të vëllezërve. Ngaqë nuk kishim as pajisjet dhe as personelin e duhur për të hequr pemët, një punë me rrezik, si komitet u lutëm për këtë. Pikërisht të nesërmen, na erdhi në ndihmë një vëlla që kishte një kamion dhe tamam pajisjen që na duhej. Në një rast, lutja mori përgjigje vetëm pas 15 minutash, kurse një herë tjetër, pajisja për të cilën po luteshim, ishte në rrugë e sipër para se të thoshim amin. Po, Jehovai ishte vërtet ‘Dëgjuesi i lutjes’.​—Psalmi 65:2.

«Krenar që jam Dëshmitar i Jehovait»

Methju: Të nesërmen pasi goditi Katrina, ndihmova në organizimin e punës për të shpërndarë në zonën e shkatërruar 15 tonë ushqime, ujë dhe gjëra të tjera të nevojshme që ishin dhuruar. Populli i Jehovait e tregoi hapur ç’bujari të madhe ka.

Që ta bënim më mirë punën, unë dhe ime shoqe, Darlina, u transferuam në një vend që ishte dy orë larg me makinë nga zona e dëmtuar. Një Dëshmitar vendës na dha një punë me orar të shkurtuar, që shumicën e kohës të jepnim ndihmë për katastrofën. Një Dëshmitar tjetër na siguroi një apartament. Kur shoh që jam pjesë e një vëllazërie kaq të dashur, më gufon zemra nga mirënjohja dhe ndihem krenar që jam Dëshmitar i Jehovait.

Tedi: Pak kohë pas uraganit Katrina, unë dhe gruaja ime, Debi, dolëm vullnetarë për të ndihmuar. Brenda pak ditësh gjeta një rimorkio 9 metra të gjatë, që ishte aq e lehtë, sa kamionçina jonë mund ta tërhiqte dhe e blemë me gjysmë çmimi. Ishte me shumë leverdi për buxhetin tonë dhe ishte përgjigjja e lutjeve tona. Rimorkioja ka qenë shtëpia jonë për më shumë se dy vjet.

Gjatë një pushimi në punë, shitëm shtëpinë dhe shumicën e gjërave që kishim. Kështu ishim të lirë për të ndihmuar më tej në Nju-Orleans ku shërbej si koordinator i projektit. Ndër gjërat më të bukura të përvojës sonë ishte të shihnim se si Jehovai ka qenë «Perëndia i çdo ngushëllimi» për adhuruesit e tij. Shumë veta nuk kishin humbur vetëm shtëpitë dhe Sallat e Mbretërisë, por si pasojë e evakuimit, nuk kishin më as kongregacionin dhe as territorin ku kishin predikuar lajmin e mirë.​—2 Korintasve 1:3.

‘Besimi i tyre na preku’

Xhastini: Në tetor 2005 doli thirrja për vullnetarë që të ndihmonin në bregun e gjirit të Meksikës. Menjëherë bëmë kërkesën bashkë me gruan, Tifaninë, dhe në shkurt 2006 na ftuan të ndihmonim skuadrën për ndërtimin e çative, në qendrën e ndihmës në Kener, pranë Nju-Orleansit.

Çdo ditë riparonim një shtëpi të caktuar dhe takonim Dëshmitarë vendës. Prekeshim kur shihnim sa besim kishin dhe sa shumë mbështeteshin te Perëndia. Përditë e shihnim fare qartë ç’marrëzi është të besosh te gjërat materiale. S’përshkruhet dot me fjalë sa gëzim ndien kur sheh ç’mund të bëjë populli i Jehovait falë ndihmës që i jep ai, si dhe kur u bëhesh krah bashkëbesimtarëve.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

Një ditë në qendrat e ndihmës

Puna për skuadrën e kuzhinës në një qendër ndihme fillon në orën 4.30 të mëngjesit. Në orën 7.00 të mëngjesit, të gjithë vullnetarët mblidhen për të shqyrtuar një shkrim nga Bibla për dhjetë minuta, para se të hanë mëngjes. Drejtuesi mund ta shfrytëzojë këtë rast për t’u uruar mirëseardhjen të sapoardhurve dhe për të treguar ndonjë përvojë të re inkurajuese.

Pasi bëjnë një lutje falënderimi, të gjithë shijojnë një mëngjes të bollshëm, e pastaj nisen për në punë. Disa rrinë në qendër, duke punuar në zyra, në lavanderi ose në kuzhinë. Kuzhinierët përgatitin drekën dhe në mesditë vijnë ta marrin përfaqësuesit e skuadrave që punojnë larg.

Çdo të hënë në mbrëmje «familja» mblidhet për të studiuar Biblën, duke u bazuar në një artikull nga revista Kulla e Rojës, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Studimi i ndihmon të gjithë që të mbajnë të fortë besimin. Ky është sekreti për të vazhduar me gëzim dhe për ta parë punën nga këndvështrimi i duhur.​—Mateu 4:4; 5:3.

[Kutia në faqen 19]

«Kisha mendim të gabuar për ju»

Një grua në Nju-Orleans kishte vënë një shënim në derë, ku thuhej: «Dëshmitarë të Jehovait: Mos trokitni!» Një ditë, një skuadër vullnetarësh filloi të riparonte një shtëpi të dëmtuar nga uragani, në anën tjetër të rrugës. Ditë pas dite, ajo shihte qëndrimin miqësor dhe të ngrohtë të punëtorëve. S’kaloi shumë dhe kureshtja e shtyu të shkonte për t’i parë nga afër. Kur mori vesh se vullnetarët ishin Dëshmitarë të Jehovait, tha se askush nga kisha e saj nuk i kishte bërë as edhe një telefonatë që kur goditi uragani. «Është e qartë se kisha mendim të gabuar për ju»,​—tha ajo. Cili ishte rezultati? E hoqi tabelën nga dera dhe i ftoi Dëshmitarët t’i shkonin për vizitë.

[Figura në faqet 16, 17]

Roberti dhe Veronika

[Figura në faqet 16, 17]

Franku dhe Veronika

[Figura në faqen 17]

Gregori dhe Keti

[Figura në faqen 17]

Uendelli dhe Xhanina

[Figura në faqen 18]

Methju dhe Darlina

[Figura në faqen 18]

Tedi dhe Debi

[Figura në faqen 18]

Xhastini dhe Tifania