Kalo te përmbajtja

Ish-burgu i Gaetës, Itali, ku ishin të burgosur disa nga vëllezërit tanë për hir të besimit

9 KORRIK 2020
ITALI

E drejta e refuzimit të shërbimit ushtarak: Kontributi i Dëshmitarëve të Jehovait në Itali

E drejta e refuzimit të shërbimit ushtarak: Kontributi i Dëshmitarëve të Jehovait në Itali

Si shumë vende sot, edhe shtetasit italianë kanë të drejtën të refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Italia e miratoi këtë të drejtë themelore të njeriut, kryesisht falë kostos së lartë që paguan Dëshmitarët e Jehovait.

Rekrutimi vazhdoi në Itali për dekada pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Në 1946-n, fill pas luftës, në gjithë Italinë ishin 120 Dëshmitarë. Por, ndërkohë që më shumë njerëz ia kushtonin jetën Jehovait, numri i kundërshtarëve të ndërgjegjshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak mes Dëshmitarëve të Jehovait, rritej. Kundërshtimi i tyre bazohej tek ajo që thotë Bibla për asnjanësinë, dhunën dhe dashurinë.

Në një përllogaritje që bëri dega e Italisë, rezultoi se të paktën 14.180 vëllezër që bënë burg ngaqë refuzuan shërbimin ushtarak, janë ende gjallë. Dënimi total i këtyre vëllezërve ishte 9.732 vjet burg, dënim i kryer kryesisht nga fundi i viteve 60 deri në fund të viteve 90.

Serxho Albezano, një historian në Torino, Itali, tha se Dëshmitarët e Jehovait përbënin «shumicën e të rinjve të burgosur ngaqë refuzonin shërbimin ushtarak». Ai shtoi se, falë bindjes së tyre të fortë, këta djem «ndihmuan që problemi të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik».

Ish-kryeministri Xhulio Andreoti, ndërsa ishte ministër i mbrojtjes në vitet 60, vendosi të takohej vetë me disa të burgosur Dëshmitarë për të kuptuar arsyet pse kundërshtonin shërbimin ushtarak. Më vonë ai shkroi: «Më bëri përshtypje motivimi i dukshëm fetar dhe mospërfshirja e tyre në asnjë spekulim politik. Jo pa shkak iu nënshtruan burgimit për vite të tëra dhe refuzonin prerazi të vishnin uniformën ushtarake.»

Ligji i parë që njohu të drejtën e qytetarëve për të refuzuar shërbimin ushtarak, u aprovua më 1972. Megjithatë, shërbimi civil alternativ që ofronte ligji, ishte akoma nën kontrollin e ushtrisë, e kjo ishte e papranueshme për vëllezërit.

Më në fund, më 8 korrik 1998, qeveria italiane miratoi një ligj të ri, ku shërbimi civil alternativ nuk ishte më nën kontrollin e ushtrisë. Prandaj tani ky shërbim ishte i pranueshëm për vëllezërit. Në gusht të vitit 2004, Italia miratoi një ligj që shfuqizoi rekrutimin e detyrueshëm ushtarak, duke filluar nga janari i 2005-s.

Ndër ekspertët e shumtë që njohin kontributin e Dëshmitarëve të Jehovait në jurisprudencën e Italisë, është edhe Serxho Lariça, avokat dhe Profesor Emeritus në Universitetin Sapienca të Romës. Ai u shpreh: «Në një periudhë kur kapelanët ushtarakë e përkufizonin refuzimin si ‘fyerje ndaj atdheut, krejt e kundërta e urdhërimit të krishterë për të dashur të tjerët, dhe si shenjë burracakërie’, qëndrimi i vendosur i shumë Dëshmitarëve të Jehovait, i kontribuoi zhvillimit të ligjit dhe të shoqërisë në Itali.»

Qëndrimi i vëllezërve tanë nuk ndikoi vetëm te legjislacioni. Disa roja burgu u bënë Dëshmitarë të Jehovait pasi vunë re sjelljen e Dëshmitarëve të burgosur. Njëri prej tyre, Xhuzepe Serra, tregon: «Sjellja e këtyre të rinjve më nxiti . . . të studioja Biblën.» Ai u bë Dëshmitar në 1972-shin. (Shih kutinë më poshtë.)

Na sjell gëzim shembulli i guximshëm që lanë breza të tërë vëllezërish dhe familjet e tyre. Po ashtu na gëzon edhe shembulli i shumë të tjerëve në familjen tonë botërore që e marrin seriozisht urdhrin ‘që të mos mësojnë më të luftojnë’.—Isaia 2:4.