Kalo te përmbajtja

25 TETOR 2021
MADAGASKAR

Del në gjuhën malagase Përkthimi Bota e Re i rishikuar

Del në gjuhën malagase Përkthimi Bota e Re i rishikuar

Më 16 tetor 2021, vëlla Entoni Moris, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, prezantoi botimin Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re të rishikuar në format dixhital në gjuhën malagase. Programi i regjistruar paraprakisht u transmetua streaming për një auditor prej rreth 40.000 vetash. Botimi i shtypur pritet të jetë në dispozicion në fillim të vitit 2022.

Gjuhën malagase e flasin rreth 27 milionë veta, kryesisht në Madagaskar, ku është gjuha kombëtare. Edhe pse Madagaskari ndodhet vetëm 400 kilometra larg bregdetit të Afrikës, kjo gjuhë i përket familjes së gjuhëve që fliten në Azinë Juglindore dhe në Paqësorin Jugor, ku futen gjuhët fixhiane, indoneziane dhe tagalole.

Përkthimi i Biblës në gjuhën malagase daton që nga fillimi i shekullit të 19-të. Misionarët që punuan për të përkthyer Shkrimet, hasën vështirësi, si malaria, kundërshtimi nga vendësit dhe mungesa e pajisjeve për shtypje. Me gjithë këto pengesa, ia dolën të nxirrnin përkthimin e parë të plotë më 1835.

Pavarësisht nga ato përpjekje të para, folësit e gjuhës moderne malagase për vite me radhë nuk kanë pasur një përkthim që mund të kuptohej lehtë. Gjithsesi, në vitin 2003 Dëshmitarët e Jehovait nxorën Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Më pas, në vitin 2008 nxorën Biblën e plotë Përkthimi Bota e Re.

Botimi i rishikuar Përkthimi Bota e Re u ofron malagasfolësve një kuptueshmëri më të qartë të të vërtetave të Biblës, pavarësisht nga dialektet e ndryshme. Një përkthyes tha: «Disa fjalë janë të zakonshme në qytete të mëdha, por të panjohura në zonat rurale dhe bregdetare, prandaj përkthyesve u është dashur të përdorin fjalë dhe shprehje që do ta bënin përkthimin sa më të qartë të ishte e mundur për njerëz që jetojnë në rajone të ndryshme.»

Një shembull është Kolosianëve 3:13, ku thuhet: «Vazhdoni të duroni . . . njëri-tjetrin.» Në botimin e mëparshëm Përkthimi Bota e Re, lexuesit që përdorin dialektin lindor, e kuptonin thjesht «vazhdoni të flitni me njëri-tjetrin». Botimi i rishikuar përdor një shprehje tjetër që e bën të qartë për të gjithë lexuesit sa e nevojshme është të kapërcejmë dhe të falim gabimet e njëri-tjetrit.

Një përkthyes tha: «Gjatë këtij projekti jam lutur më shumë se kurrë. Dalloja si na ndihmonte Jehovai me frymën e tij të shenjtë.»

Gëzojmë bashkë vëllezërit e motrat që flasin gjuhën malagase për këtë dhuratë të bukur që është shprehje e «mirësisë së pamerituar» të Jehovait.—1 Pjetrit 4:10.