Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Qumështi i nënës

Qumështi i nënës

 «Qumështi artificial për foshnjat nuk mund të jetë kurrë si qumështi i nënës», citohet në një udhëzues për mamitë. Pse qumështi i nënës është ideal për fëmijën? Një nga arsyet është se trupi i nënës e ndryshon përbërjen e qumështit sipas nevojave të foshnjës.

 Shqyrto faktet: Qumështi i nënës pëson ndryshime sa herë që foshnja fillon të pijë e deri kur mbaron. Në fillim, qumështi ka më shumë proteina, vitamina, minerale dhe ujë, kurse më vonë përmban më shumë yndyrë, që foshnja të ndihet e ngopur. Qumështi ndryshon edhe në bazë të moshës së foshnjës dhe stinës.

 Në qumështin e nënës, sasia e disa hormoneve, si e melatoninës, arrin kulmin gjatë natës, ndërsa hormone të tjera e arrijnë kulmin gjatë ditës. Në varësi të momentit të ditës, këto ndryshime hormonale nxisin përgjumjen ose zgjimin, të cilat e ndihmojnë foshnjën të krijojë një cikël gjumi e zgjimi.

 Ditët e para pas lindjes, nëna prodhon një qumësht të verdhë të quajtur kulloshtër. Ai është i lehtë për t’u tretur dhe ka sasi të mëdha të lëndëve ushqyese, prandaj edhe pak qumësht sjell shumë dobi në stomakun e vogël të foshnjës. Gjithashtu kulloshtra është e pasur me antitrupa të rëndësishëm që e mbrojnë foshnjën e pambrojtur nga infeksionet. Përveç kësaj, ky qumësht vepron si laksativ, duke ndihmuar në pastrimin e sistemit tretës të të porsalindurit.

 Një nënë nuk duhet të jetë në ankth nëse do të ketë mjaftueshëm qumësht, edhe nëse lind binjakë, sepse trupi i saj prodhon në mënyrë të natyrshme sasinë e nevojshme që i duhet foshnjës.

 Si mendon? A erdhi me evolucion qumështi i nënës me të gjitha vlerat unike që ka? Apo është projektuar?