1 Korintasve 14:1-40
14 Ndiqni dashurinë, e megjithatë vazhdoni të kërkoni me zell dhuratat frymore,+ por më mirë që të profetizoni.+
2 Sepse ai që flet një gjuhë të huaj, nuk u flet njerëzve, por Perëndisë, pasi askush nuk dëgjon,+ por ai thotë sekrete të shenjta+ me anë të frymës.
3 Megjithatë, ai që profetizon, i ndërton,+ u jep zemër dhe i ngushëllon njerëzit me anë të fjalëve të veta.
4 Ai që flet një gjuhë të huaj, ndërton veten, por ai që profetizon, ndërton kongregacionin.
5 Unë do të desha që të gjithë ju të flitnit gjuhë të huaja,+ por parapëlqej të profetizoni.+ Në të vërtetë, ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të huaja,+ veç në përktheftë, që të ndërtohet edhe kongregacioni.
6 Por tani, vëllezër, sikur të vija e t’ju flisja në gjuhë të huaja, ç’të mirë do t’ju bëja, po të mos ju flisja me zbulesë,+ me njohuri,+ me profeci apo me një mësim?
7 Ja, gjërat pa shpirt nxjerrin tingull,+ qoftë fyell, qoftë harpë. Mirëpo, po të mos kishin një interval ndërmjet toneve, si do të dallohej se çfarë po luhet në fyell e çfarë në harpë?
8 Në të vërtetë, sikur trumbeta të nxirrte si sinjal një tingull të paqartë, kush do të bëhej gati për betejë?+
9 Po ashtu edhe ju, po të mos thoni me anë të gjuhës fjalë që kuptohen lehtësisht,+ si do të merret vesh se çfarë po thuhet? Do të ishit, në fakt, duke folur në erë.+
10 Ka të ngjarë që në botë të ketë shumë e shumë lloje tinguj gjuhësh, por asnjë nuk është pa kuptim.
11 Nëse unë nuk e kuptoj forcën e tingullit të gjuhës, do të jem një i huaj+ për atë që flet, dhe ai që flet, do të jetë një i huaj për mua.
12 Edhe ju, meqë dëshironi me zell dhuratat e frymës,+ kërkoni t’i keni me bollëk për ndërtimin e kongregacionit.+
13 Prandaj, kush flet një gjuhë të huaj, le të lutet edhe që të përkthejë.+
14 Sepse, nëse unë lutem në gjuhë të huaj, është dhurata ime e frymës që po lutet,+ por mendja ime është e pafrytshme.
15 Ç’duhet bërë, pra? Do të lutem me dhuratën e frymës, por do të lutem edhe me mendjen time. Do të këndoj lavde+ me dhuratën e frymës, por do të këndoj lavde edhe me mendjen time.+
16 Përndryshe, nëse ti thur lavde me një dhuratë të frymës, si do të thotë «amin»+ për falënderimet që jep ti, ai që është njeri i thjeshtë, kur nuk e di se ç’po thua?
17 Vërtet, ti jep falënderime në mënyrë të shkëlqyer, por tjetri nuk po ndërtohet.+
18 Falënderoj Perëndinë që flas më shumë gjuhë se të gjithë ju.+
19 Gjithsesi, në kongregacion më mirë të flisja pesë fjalë me mendjen time, që të mësoja gojarisht edhe të tjerë, sesa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të huaj.+
20 Vëllezër, mos u bëni si fëmijë të vegjël në aftësitë për të kuptuar.+ Jini foshnja për sa i përket së keqes,+ por bëhuni tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar.+
21 Në Ligj është shkruar: «Do t’i flas këtij populli+ me gjuhën e të huajve dhe me buzët e të panjohurve,+ mirëpo edhe atëherë ata nuk do të ma vënë veshin,—thotë Jehovai.»+
22 Prandaj, gjuhët janë si shenjë+ për jobesimtarët,+ jo për besimtarët, ndërsa profetizimi nuk është për jobesimtarët, por për besimtarët.+
23 Kështu, sikur tërë kongregacioni të mblidhej në një vend të vetëm e të gjithë të flitnin në gjuhë të huaja,+ mirëpo të hynin edhe njerëz të thjeshtë ose jobesimtarë, a nuk do të thoshin se ju jeni të çmendur?
24 Por, sikur ju të gjithë të jeni duke profetizuar dhe të hyjë ndonjë jobesimtar ose njeri i thjeshtë, ky qortohet nga të gjithë+ dhe nga të gjithë shqyrtohet me kujdes.
25 Të fshehtat e zemrës së tij dalin qartë,+ dhe ai do të bjerë me fytyrë përtokë, do të adhurojë Perëndinë dhe do të thotë: «Perëndia është vërtet mes jush.»+
26 Ç’duhet bërë pra, o vëllezër? Kur mblidheni bashkë, dikush ka një psalm, një tjetër ka një mësim për të dhënë, tjetri ka një zbulesë, dikush tjetër ka një gjuhë, një tjetër ka një interpretim.+ Çdo gjë le të bëhet për ndërtim.+
27 Nëse disa flasin gjuhë të huaja, kjo gjë të kufizohet në dy ose e shumta tre veta, dhe njëri pas tjetrit, kurse dikush të përkthejë.+
28 Por, nëse nuk ka përkthyes, ai le të heshtë në kongregacion dhe t’i flasë vetes+ dhe Perëndisë.
29 Veç kësaj, le të flasin dy ose tre profetë,+ ndërsa të tjerët le të dallojnë kuptimin.+
30 Por, nëse dikush tjetër ka një zbulesë+ kur rri ulur atje, i pari le të heshtë.
31 Sepse, ju të gjithë mund të profetizoni+ njëri pas tjetrit, që të gjithë të mësojnë e të marrin zemër.+
32 Dhuratat e frymës për të profetizuar duhet të jenë nën kontrollin e profetëve.
33 Sepse Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit,+ por i paqes.+Ashtu si në të gjitha kongregacionet e të shenjtëve,
34 gratë le të heshtin+ në kongregacione, sepse atyre nuk u lejohet të flasin, por le të jenë të nënshtruara,+ ashtu siç thotë Ligji.+
35 Pra, nëse duan të mësojnë diçka, të pyesin burrat në shtëpi, sepse për një grua është e turpshme+ të flasë në kongregacion.
36 Çfarë? Mos doli nga ju fjala e Perëndisë?+ Apo vetëm arriti deri te ju?
37 Nëse dikush mendon se është profet ose se ka dhuratën e frymës, le t’i pranojë gjërat që po ju shkruaj, sepse janë urdhërimet e Zotërisë.+
38 Por, nëse dikush dëshiron të mbetet në padije, në padije le të mbetet.
39 Prandaj, vëllezërit e mi, vazhdoni të kërkoni me zell profetizimin,+ e megjithatë mos ndaloni të flitet në gjuhë të huaja.+
40 Por çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.+