Estera 8:1-17
8 Po atë ditë mbreti Asuer i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit,+ të atij që tregonte armiqësi ndaj judenjve.+ Vajti edhe Mordekai para mbretit, sepse Estera i kishte treguar çfarë e kishte.+
2 Atëherë mbreti hoqi unazën e tij me nënshkrim+ që ia mori Hamanit dhe ia dha Mordekait, kurse Estera e caktoi Mordekain të drejtonte shtëpinë e Hamanit.+
3 Veç kësaj, Estera foli përsëri me mbretin, ra në këmbët e tij, qau dhe i kërkoi+ këtë nder: të largohej e keqja+ që kishte bërë Hamani, agagiti, dhe të prishej plani+ që kishte kurdisur ai kundër judenjve.+
4 Atëherë mbreti shtriu skeptrin+ prej ari drejt Esterës dhe ajo u ngrit e qëndroi në këmbë para tij.
5 Pastaj tha: «Nëse mbreti e sheh të udhës, nëse kam gjetur hir+ para tij, në qoftë me vend kjo gjë për mbretin dhe në qofsha e mirë në sytë e tij, le të shkruhet që të kthehen mbrapsht dokumentet e shkruara,+ plani i Hamanit, birit të Hamedatit, agagitit,+ që ai shkroi për të shfarosur judenjtë+ që janë në tërë provincat e mbretit!+
6 Si mund të duroj, kur të shoh gjëmën që do ta gjejë popullin tim dhe shfarosjen e të afërmve të mi?»
7 Mbreti Asuer i tha mbretëreshës Ester dhe judeut Mordekai: «Ja, shtëpinë e Hamanit ia kam dhënë Esterës,+ kurse atë e kanë varur në shtyllë,+ meqë shtriu dorën kundër judenjve.
8 Ju shkruani vetë një dokument në emër të mbretit,+ si t’ju duket më mirë për judenjtë, dhe vuloseni me unazën me nënshkrim të mbretit, sepse shkresa që është shkruar në emër të mbretit dhe që është vulosur me unazën me nënshkrim të tij nuk mund të kthehet mbrapsht.»+
9 Kështu, në atë kohë, ditën e njëzetetretë të muajit të tretë, domethënë në muajin sivan, u thirrën sekretarët+ e mbretit. U shkruan të gjitha ato që Mordekai urdhëroi për judenjtë, satrapët,*+ guvernatorët dhe princat e njëqind e njëzet e shtatë provincave+ nga India deri në Etiopi. Ato iu dërguan çdo province sipas shkrimit të vet,+ çdo populli në gjuhën e vet+ dhe judenjve sipas shkrimit të tyre dhe në gjuhën e tyre.+
10 Ai bëri dokumente të shkruara dhe i vulosi+ me unazën me nënshkrim+ të mbretit. Pastaj i nisi ato nëpërmjet korrierëve+ që kalëronin kuaj poste të përdorur për shërbim në oborrin mbretëror, pjella të pelave të shpejta. Në to ai shkroi në emër të mbretit+ Asuer
11 që vetë mbreti i lejonte judenjtë e të gjitha qyteteve të mblidheshin+ e të mbronin jetën* e tyre. Ata lejoheshin të shfarosnin, të vritnin e të zhduknin të gjithë njerëzit e armatosur të atij populli+ dhe të asaj province që tregonte armiqësi ndaj tyre, gra e fëmijë, dhe t’u plaçkitnin atyre ç’të kishin.+
12 Kjo do të bëhej në një ditë të vetme+ në tërë provincat e mbretit Asuer, ditën e trembëdhjetë+ të muajit të dymbëdhjetë, domethënë në muajin adar.+
13 Një kopje+ e shkresës duhej dhënë si ligj në tërë provincat e ndryshme anembanë dhe u duhej shpallur tërë popujve, që judenjtë të bëheshin gati për këtë ditë, që të hakmerreshin+ kundër armiqve të tyre.
14 Korrierët+ që kalëronin kuaj poste, të përdorur për shërbim në oborrin mbretëror, dolën me ngut dhe të nxitur nga fjala e mbretit që të shpejtonin.+ Ky ligj doli në kështjellën e Shushanit.+
15 Mordekai doli nga prania e mbretit me veshjen mbretërore+ blu e të lirtë, me një kurorë të madhe ari dhe me një mantel prej cope të punuar hollë,+ prej leshi të ngjyer në të kuqe të purpurt.+ E kështu, qyteti i Shushanit sokëllinte dhe ishte i gëzuar.+
16 Për judenjtë kishte dritë, gëzim,+ ngazëllim dhe nderim.
17 Në tërë provincat dhe qytetet e ndryshme, kudo ku arrinte fjala e mbretit dhe ligji i tij, për judenjtë kishte gëzim, ngazëllim dhe gosti;+ për ta ishte një ditë e bardhë. Shumë nga popujt+ e vendit e shpallnin veten judenj,+ sepse i kishte zënë tmerri nga ata.+