Ezekieli 26:1-21
26 Vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, fjala e Jehovait m’u drejtua:
2 «Bir njeriu, Tiri+ ka thënë për Jerusalemin:+ ‘Ah, sa mirë! Ai që ishte porta nga ku hynin popujt,+ është rrëzuar!+ Tani ata do të drejtohen tek unë. Tani që ai është shkretuar,+ unë do të mbushem.’
3 Prandaj, ja çfarë thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë jam kundër teje, o Tir, dhe do të sjell kundër teje shumë kombe,+ ashtu si deti sjell dallgë.+
4 Ato do të t’i rrënojnë muret, o Tir,+ dhe do të t’i shembin kullat.+ Unë do të t’i heq rrënojat dhe do të të kthej në një shkrep të zhveshur e të lëmuar.
5 Ti do të kthehesh në një vend në mes të detit+ për të tharë rrjetat.+Unë kam folur,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—dhe ty do të të plaçkitin kombet.
6 Në fshatrat e tua, që shtrihen në fushë, do të bëjë kërdinë shpata, dhe njerëzit kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’+
7 Sepse kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do të çoj nga veriu kundër Tirit Nabukodrezarin,* mbretin e Babilonisë,+ mbretin e mbretërve,+ me kuaj,+ me karroca lufte,+ me kalorës dhe me një turmë të madhe,+ po, me një mori njerëzish.
8 Me shpatën e tij, ai do të bëjë kërdinë në fshatrat që ke në fushë, do të bëjë kundër teje një mur e një ledh rrethues+ dhe do të ngrejë kundër teje një mburojë të madhe.
9 Ai do ta drejtojë makinën e tij të sulmit kundër mureve të tua, dhe me armët e tij do të rrëzojë kullat e tua.
10 Ty do të të mbulojë pluhuri nga kuajt e tij të shumtë,+ që rendin me galop. Muret e tua do të dridhen nga poterja e kalorësve, e rrotave dhe e karrocave të luftës, kur ai të hyjë nëpër portat e tua, sikundër hyhet në një qytet ku janë hapur të çara.
11 Me thundrat e kuajve të tij, ai do të shkelë tërë rrugët e tua.+ Njerëzit e tu do t’i vrasë me shpatë dhe shtyllat e tua madhështore do t’i rrëzojë përtokë.
12 Ata do të grabitin pasuritë e tua,+ do të plaçkitin mallrat e tua,+ do të shembin muret e tua dhe do të rrëzojnë shtëpitë e tua të bukura. Gurët, punimet prej druri dhe rrënojat e tua të mbetura, do t’i hedhin në mes të ujit.
13 Unë do të bëj që të pushojë zhurma e këngëve të tua+ dhe tingulli i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.+
14 Unë do të të kthej në një shkrep të zhveshur e të lëmuar.+ Ti do të kthehesh në një vend për të tharë rrjetat.+ Nuk do të rindërtohesh më kurrë, sepse unë, Jehovai, kam folur’,—thotë Zotëria Sovran Jehova.+
15 Kështu i thotë Zotëria Sovran Jehova Tirit: “A nuk do të dridhen, vallë, ishujt, nga zhurma e rënies sate, nga rënkimi i të plagosurit për vdekje dhe nga masakra që do të bëhet mes teje?+
16 Të gjithë prijësit e detit do të zbresin+ nga fronet e tyre+ e do të heqin pelerinat dhe rrobat e qëndisura. Ata do të vishen me drithërima, do të ulen përtokë,+ do të dridhen në çdo çast+ dhe do të t’i ngulin sytë të shtangur.
17 Ata do t’ia nisin një kënge të përvajshme+ dhe do të të thonë:‘Si paske marrë fund, ti që ishe i banuar me të ardhur nga deti,+ o qytet i lëvduar, që u bëre i fuqishëm në det,+ ti dhe banorët e tu që u kallnit tmerrin të gjithë atyre që banonin mbi dhé!
18 Ditën e rënies sate ishujt do të dridhen. Ishujt e detit do të tronditen nga zhdukja jote.’”+
19 Sepse kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Kur të të kthej në një qytet gërmadhë, si qytetet ku s’banon askush, kur të sjell mbi ty ujërat e thella dhe uji i paanë të të ketë mbuluar,+
20 unë do të të zbres tek ata që janë në gropë, te njerëzit e kohëve më parë,+ do të të vë të banosh në vendin më të ulët,+ si vendet e shkretuara prej kohësh, tek ata që janë në gropë,+ që te ti të mos banojë më njeri. Vendin e të gjallëve do ta stolis.+
21 Unë do të bëj që të të zënë papritur tmerret,+ dhe ti nuk do të jesh më. Do të të kërkojnë,+ por nuk do të të gjejnë më kurrë’,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.»
Shënimet
^ Ose «Nabukodonosorin».