Ezekieli 38:1-23
38 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:
2 «Bir njeriu,+ ktheje fytyrën nga Gogu i vendit të Magogut,+ kryeprijësi i Meshekut+ e i Tubalit,+ dhe profetizo kundër tij
3 e thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë jam kundër teje, o Gog, kryeprijës i Meshekut dhe i Tubalit.
4 Unë do të të kthej mbrapsht, do të të vë grremça në nofulla+ dhe do të të nxjerr me gjithë ushtrinë:+ kuaj e kalorës, të tërë të veshur me shumë shije,+ një turmë të madhe, me mburoja të mëdha e me shqyte, dhe të gjithë me shpata në dorë.+
5 Bashkë me ta do të jenë edhe Persia,+ Etiopia+ dhe Puti,+ të gjithë me shqyte e përkrenare;
6 Gomeri+ me tërë trupat e tij, Togarmahu+ nga viset më të thella të veriut me tërë trupat e tij, po, shumë popuj do të jenë me ty.+
7 Rri gati dhe bëj përgatitje, ti bashkë me tërë turmën+ që është mbledhur pranë teje, dhe do të jesh roja i tyre.
8 Pas shumë ditësh, vëmendja do të drejtohet nga ti. Në vitet e fundit, ti do të vish në vendin+ e popullit që shpëtoi nga shpata dhe që është mbledhur nga shumë popuj+ e është sjellë në malet e Izraelit, të cilat kanë qenë të shkretuara për një kohë të gjatë. Po, në vendin ku është sjellë ai, pasi është mbledhur nga popujt dhe ku jeton i sigurt.+
9 Ti do të ngjitesh patjetër. Do të vish si shtrëngata.+ Si retë do ta mbulosh vendin+ me tërë ushtritë e tua dhe me njerëzit e tu të shumtë.’
10 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Atë ditë do të të vlojnë në zemër mendime+ e do të kurdisësh një plan të keq.+
11 Do të thuash: “Do të shkoj kundër këtij vendi të parrethuar.+ Do t’u sulem atyre që nuk i shqetëson kush, që banojnë të gjithë të sigurt e të parrethuar me mure+ dhe që nuk kanë as derë e as shul”,
12 me qëllimin që të zësh një pre të madhe+ e të bësh shumë plaçkë, të vësh dorë mbi vendet e populluara rishtas, që dikur ishin të shkreta,+ dhe mbi popullin e mbledhur nga kombet,+ që po grumbullon pasuri dhe prona,+ mbi ata që banojnë në zemër+ të tokës.
13 Sheba,+ Dedani,+ tregtarët e Tarshishit+ dhe tërë luanët e rinj me krifë+ do të të thonë: “Ke ardhur për të zënë një pre të madhe? E ke mbledhur turmën për të bërë shumë plaçkë, për të marrë argjendin dhe arin, për të marrë pasuritë dhe pronat e për të zënë një pre të madhe?”’”
14 Prandaj, bir njeriu, profetizo dhe thuaji Gogut: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Atë ditë kur populli im, Izraeli, të banojë i sigurt, a nuk do ta dish ti?+
15 Ti do të vish nga vendi yt, nga viset më të thella të veriut,+ bashkë me shumë popuj, që të gjithë të hipur në kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e madhe.+
16 Ke për t’u sulur mbi Izraelin, popullin tim, si retë që mbulojnë vendin.+ Në ditët e fundit, unë do të të çoj kundër vendit tim,+ me qëllim që kombet të më njohin kur të shenjtërohem nëpërmjet teje para syve të tyre, o Gog.’+
17 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘A nuk fola për ty+ në ditët e mëparshme nëpërmjet shërbëtorëve të mi, profetëve të Izraelit, që profetizuan atëherë për vite të tëra se do të të çoja kundër tij?+
18 Por atë ditë kur Gogu t’i sulet tokës së Izraelit,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—mua do të më hipë tërbimi në flegrat e hundës.+
19 Unë do të flas me tërë vrullin+ dhe zjarrin e zemërimit tim të furishëm.+ Atë ditë në tokën e Izraelit do të bjerë një tërmet i madh.+
20 Prej meje do të dridhen peshqit e detit, zogjtë e qiellit, kafshët e egra të fushës, rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut.+ Malet do të rrëzohen,+ vendet e rrëpirëta do të shemben dhe të gjitha muret do të bien përtokë.
21 Kudo nëpër rajonin tim malor, unë do të thërras kundër tij shpatën,—thotë Zotëria Sovran Jehova.+—Secili do t’ia drejtojë shpatën vëllait të vet.+
22 Unë do ta gjykoj,+ duke e goditur me murtajë+ e me gjak.+ Do të hedh mbi të, mbi trupat e tij dhe mbi popujt e shumtë që do të jenë me të, një rrebesh përmbytës, breshër,+ zjarr+ e squfur.+
23 Atëherë unë do të madhërohem, do të shenjtërohem+ e do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe ato kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”+