Ezekieli 41:1-26
41 Ai më futi në tempull dhe zuri të maste shtyllat anësore. Gjerësia e tyre ishte gjashtë kute nga njëra anë dhe gjashtë kute nga ana tjetër.
2 Hyrja ishte dhjetë kute e gjerë dhe muret anësore të hyrjes ishin pesë kute nga njëra anë e pesë kute nga ana tjetër. Kurse dhoma ishte dyzet kute e gjatë dhe njëzet kute e gjerë.
3 Ai hyri brenda dhomës tjetër dhe mati shtyllën anësore të hyrjes, që ishte dy kute e gjerë. Hyrja ishte gjashtë kute, kurse muret e hyrjes ishin nga shtatë kute.
4 Më pas, mati shenjtëroren para tempullit: gjatësia ishte njëzet kute dhe gjerësia ishte njëzet kute.+ Pastaj më tha: «Kjo është Më e Shenjta.»+
5 Mati murin e shtëpisë, dhe ishte gjashtë kute. Dhomat anësore ishin katër kute të gjera dhe gjendeshin rreth e qark shtëpisë.+
6 Dhomat anësore ishin mbi njëra-tjetrën, duke formuar tri kate me nga tridhjetë dhoma secili. Ato, domethënë dhomat anësore rreth e qark, futeshin në mur për t’u mbajtur, por nuk mbështeteshin në murin e shtëpisë.+
7 Dhomat anësore zgjeroheshin sa më lart që ngjiteshe, dhe shkallët rrethore të shtëpisë ngjiteshin lart nëpër shtëpi.+ Kështu, lart shtëpia zgjerohej dhe nga kati i poshtëm mund të ngjiteshe në të sipërmin,+ duke kaluar nëpër të ndërmjetmin.
8 Rreth e qark shtëpisë pashë një platformë të ngritur, mbi të cilën ndodhej shtëpia. Themelet e dhomave anësore ishin sa një kallam i plotë gjashtë kute deri te pjesa ku bëhej lidhja me murin.+
9 Muri i jashtëm i dhomave anësore ishte pesë kute i gjerë. Anash vendit ku ishin ndërtuar dhomat anësore të shtëpisë, kishte një pjesë të dalë.
10 Largësia midis dhomave të ngrënies+ dhe shtëpisë ishte njëzet kute, nga të dyja anët.
11 Hyrja për në dhomat anësore ishte te pjesa e dalë. Njëra hyrje ishte në veri dhe tjetra në jug. Kjo pjesë e dalë ishte pesë kute rreth e qark.
12 Ndërtesa që ndodhej në anën perëndimore të hapësirës boshe, ishte shtatëdhjetë kute e gjerë. Muri rreth e qark i ndërtesës ishte pesë kute i gjerë, dhe ndërtesa ishte nëntëdhjetë kute e gjatë.
13 Ai mati shtëpinë, dhe ishte njëqind kute e gjatë. Edhe hapësira boshe bashkë me ndërtesën dhe muret e saj e kishin gjatësinë njëqind kute.
14 Gjerësia e pjesës së përparme të shtëpisë nga lindja, bashkë me hapësirat boshe, ishte njëqind kute.
15 Ai mati gjatësinë e ndërtesës përballë hapësirës boshe, në pjesën e pasme të saj, me gjithë korridoret e saj që gjendeshin si nga njëra anë e murit, ashtu edhe nga ana tjetër, dhe ishte njëqind kute.Gjithashtu, mati tempullin, pjesën e brendshme+ dhe portikun përballë oborrit.
16 Këta të tre kishin rreth e qark pragje, fole dritaresh që vinin duke u ngushtuar+ dhe korridore. Përballë pragut kishte veshje druri rreth e qark,+ nga dyshemeja deri te dritaret. Edhe pjesët rreth dritareve ishin të veshura.
17 Pjesa mbi hyrjen, pjesa e brendshme dhe e jashtme e shtëpisë dhe tërë muri rreth pjesës së brendshme dhe të jashtme të saj kishin të gjitha përmasa të caktuara.
18 Ishin gdhendur edhe kerubinë+ e figura palmash.+ Mes njërit kerubin dhe tjetrit kishte një palmë, dhe çdo kerubin kishte dy fytyra.+
19 Drejt palmës në njërën anë ishte kthyer fytyra e njeriut dhe drejt palmës në anën tjetër+ ishte kthyer fytyra e një luani të ri me krifë. Ata ishin gdhendur rreth e qark tërë shtëpisë.
20 Në murin e tempullit, nga dyshemeja deri sipër hyrjes, ishin gdhendur kerubinë dhe figura palmash.
21 Shtalkat e tempullit ishin katrore,+ dhe përballë vendit të shenjtë kishte diçka që i ngjante një altari,
22 një altari prej druri tri kute i lartë dhe dy kute i gjatë, i cili kishte mbajtëse në qoshe.+ Nga ana gjatësore e tij, faqet anësore ishin prej druri. Ai më tha: «Kjo është tryeza që qëndron para Jehovait.»+
23 Tempulli dhe vendi i shenjtë kishin dy dyer.+
24 Dyert kishin nga dy kanate të lëvizshme. Njëra derë kishte dy kanate dhe dera tjetër kishte dy kanate.
25 Në to, në dyert e tempullit, ishin gdhendur kerubinë dhe figura palmash+ si ato që kishte në mure. Mbi pjesën e përparme të portikut, nga jashtë, kishte një strehë prej druri.
26 Përgjatë anëve të portikut, dhomave anësore të shtëpisë dhe strehëve kishte dritare me fole, që vinin duke u ngushtuar,+ dhe figura palmash, si nga njëra anë, ashtu edhe nga ana tjetër.