Gjoni 11:1-57
11 Një njeri që quhej Lazar, nga Betania, nga fshati i Marisë dhe i Martës,+ motrës së saj, ishte i sëmurë.
2 Maria ishte ajo që leu Zotërinë me vaj aromatik+ dhe ia thau këmbët me flokët e vet.+ Vëllai i saj, Lazari, ishte i sëmurë.
3 Prandaj, motrat i dërguan fjalë: «Zotëri, ai që ti e ke për zemër,+ është i sëmurë.»
4 Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Qëllimi i kësaj sëmundjeje nuk është vdekja, por t’i sjellë lavdi Perëndisë,+ që nëpërmjet saj t’i jepet lavdi Birit të Perëndisë.»
5 Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin.
6 Megjithatë, kur dëgjoi se ai ishte i sëmurë, ndenji dy ditë atje ku ishte.
7 Pastaj u tha dishepujve: «Le të shkojmë prapë në Jude.»
8 Dishepujt i thanë: «Rabi,+ vetëm pak kohë më parë judeasit kërkonin të të vritnin me gurë+ e ti po shkon prapë atje?»
9 Jezui u përgjigj: «A nuk ka dymbëdhjetë orë dita? Nëse dikush ecën ditën,+ nuk përplaset pas ndonjë gjëje, sepse sheh dritën e kësaj bote.
10 Por nëse ecën natën,+ ai përplaset, sepse drita nuk është në të.»
11 Pasi u tha këto fjalë, ai shtoi: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.»+
12 Atëherë dishepujt i thanë: «Zotëri, nëse ka shkuar të pushojë, do të bëhet mirë.»
13 Megjithatë, Jezui foli për vdekjen e Lazarit, kurse ata kujtuan se tha që kishte rënë në gjumë për të pushuar.
14 Atëherë Jezui ua tha troç: «Lazari ka vdekur+
15 dhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni. Hajdeni të shkojmë tek ai.»
16 Thomai, që quhej Binjaku, u tha dishepujve të tjerë: «Ejani të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.»+
17 Kur mbërriti atje, Jezui mori vesh se ai kishte tashmë katër ditë në varr.*+
18 Betania ishte afër Jerusalemit, rreth tre kilometra larg.
19 Kështu, shumë judenj kishin vajtur te Marta e Maria që t’i ngushëllonin+ për të vëllanë.
20 Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta i doli para, kurse Maria+ ndenji ulur në shtëpi.
21 Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëllai nuk do të vdiste.+
22 Megjithatë, edhe tani, unë e di se Perëndia të jep gjithçka që ti i kërkon.»+
23 Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngrihet.»+
24 Marta i tha: «E di se do të ringjallet+ ditën e fundit.»
25 Jezui i tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta.+ Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë.+
26 Kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.+ A e beson këtë?»
27 Ajo iu përgjigj: «Po, Zotëri. Unë kam besuar se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, Ai që duhet të vijë në botë.»+
28 Pas këtyre fjalëve, ajo iku të thërriste Marinë, të motrën, dhe i tha fshehurazi: «Mësuesi+ është këtu pranë* dhe po të thërret.»
29 Kur e dëgjoi këtë, Maria u ngrit me të shpejtë dhe shkoi tek ai.
30 Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por ishte akoma atje ku i doli përpara Marta.
31 Prandaj, judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi+ dhe që po e ngushëllonin, me ta parë që ajo u ngrit shpejt dhe doli, i vajtën pas, sepse pandehën se po shkonte të qante te varri.+
32 Kur Maria mbërriti atje ku ishte Jezui dhe e pa, i ra ndër këmbë dhe i tha: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëllai nuk do të kishte vdekur.»+
33 Kur pa Marinë dhe judenjtë që erdhën me të, që po qanin, Jezui rënkoi në frymë dhe u trazua.+
34 Pastaj pyeti: «Ku e keni vënë?» Ata iu përgjigjën: «Zotëri, eja e shiko.»
35 Jezui nuk i mbajti dot lotët.+
36 Atëherë judenjtë nisën të thoshin: «Shih, sa e kishte për zemër!»+
37 Kurse disa të tjerë thanë: «Ky njeri që i hapi sytë+ të verbrit, a nuk ishte në gjendje të mos e linte atë të vdiste?»
38 Jezui rënkoi përsëri përbrenda dhe shkoi te varri.+ Në të vërtetë, ishte një shpellë, dhe në hyrje të saj kishin vënë një gur.+
39 Jezui tha: «Hiqeni gurin.»+ Marta, motra e të ndjerit, i tha: «Zotëri, tani trupi duhet të mbajë erë, se kjo është dita e katërt.»
40 Jezui ia ktheu: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?»+
41 Atëherë e hoqën gurin. Jezui ngriti sytë nga qielli+ dhe tha: «Të falënderoj, o Atë, që më ke dëgjuar!+
42 Vërtet, e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por fola për shkak të turmës+ që kam përreth, që ata të besojnë se ti më dërgove.»+
43 Si tha këto fjalë, ai thërriti me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!»+
44 Ai që kishte qenë i vdekur, doli me këmbët dhe duart të lidhura me rripa pëlhure,+ kurse fytyrën e kishte të mbështjellë me një copë pëlhure. Jezui u tha: «Zgjidheni dhe lëreni të ikë.»
45 Prandaj, shumë judenj që kishin vajtur te Maria dhe e panë atë që bëri ai, treguan besim tek ai.+
46 Por disa të tjerë shkuan te farisenjtë dhe u treguan ato që bëri Jezui.+
47 Prandaj, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën Sinedrin+ dhe nisën të thoshin: «Ç’të bëjmë? Se ky njeri po kryen shumë shenja.+
48 Po ta lëmë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai.+ Atëherë romakët+ do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit+ dhe kombin tonë.»
49 Por një nga ata, Kajafa, që atë vit ishte kryeprift,+ u tha: «Ju nuk dini gjë fare
50 dhe nuk arsyetoni se është në dobinë tuaj që të vdesë+ një njeri për popullin e të mos shkatërrohet i gjithë kombi.»+
51 Megjithatë, ai nuk e tha këtë nga vetja, por meqë atë vit ishte kryeprift, ai profetizoi se Jezui do të vdiste për kombin.
52 Madje jo vetëm për kombin, por edhe që t’i mblidhte e t’i bënte një+ fëmijët e Perëndisë, që ishin hallakatur andej-këtej.+
53 Prandaj, që nga ajo ditë, ata u këshilluan që ta vritnin.+
54 Prandaj, Jezui nuk dilte më hapur+ mes judenjve,+ por që atje shkoi në një vend afër shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim,+ dhe qëndroi atje me dishepujt.
55 Pashka+ e judenjve ishte afër dhe shumë njerëz u ngjitën nga ai vend në Jerusalem para pashkës për t’u pastruar ceremonialisht.+
56 Ata kërkonin Jezuin dhe ndërsa vinin rrotull në tempull, thoshin me njëri-tjetrin: «Si mendoni? A thua nuk do të vijë fare në festë?»
57 Por krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, nëse dikush e merrte vesh se ku ishte ai, duhej të tregonte, që ata ta kapnin.
Shënimet
^ Shih shënimin te Gjo 5:28. Njësoj edhe te Gjo 11:31 dhe 38.
^ Fjalë për fjalë «është i pranishëm».