Habakuku 1:1-17
1 Shpallja që profeti Habakuk pa në vegim:
2 Deri kur, o Jehova, do të thërras për ndihmë dhe ti nuk do të më dëgjosh?+ Deri kur do të thërras për ndihmën tënde kundër dhunës e ti nuk do të më shpëtosh?+
3 Përse më bën të shoh të keqen dhe vazhdon të vështrosh ligësinë? Përse para meje ka grabitje dhe dhunë, pse ka grindje dhe zënka?+
4 Prandaj ligji mpihet dhe e drejta nuk del kurrë.+ Ngaqë i ligu rrethon të drejtin, drejtësia shtrembërohet.+
5 «Shihni mes kombeve, shikoni dhe zgurdulloni sytë të shtangur.+ Habituni, sepse në ditët tuaja po kryhet një vepër, të cilën nuk do ta besoni, edhe sikur t’jua tregojnë.+
6 Sepse ja tek po ngre kaldeasit,+ kombin e egër dhe të rrëmbyer, i cili shkon për në vendet e hapura të tokës, për të shtënë në dorë vendbanime që nuk i përkasin.+
7 Është i lemerishëm e të ngjall frikë. Drejtësia dhe lavdia e tij dalin nga ai vetë.+
8 Kuajt e tij kanë dalë më të shpejtë se leopardët, më të egër se ujqërit+ e mbrëmjes. Kuajt e tij të luftës kanë rrahur dheun me thundra, ata vijnë prej së largu. Fluturojnë si shqiponja që shpejton për të ngrënë diçka.+
9 Vijnë të tërë vetëm për dhunë.+ Të mbledhura së bashku, fytyrat e tyre janë si era e lindjes+ dhe i mbledhin robërit si rëra.
10 Ai i qesëndis mbretërit, kurse zyrtarët e lartë janë diçka qesharake për të.+ Ai qesh madje me çdo vend të fortifikuar,+ grumbullon dhé, pastaj e pushton.
11 Në atë kohë ai ka për të lëvizur përpara si era, do të kalojë tutje dhe ka për t’u bërë fajtor.+ Këtë fuqi e ka falë perëndisë së tij.»+
12 A nuk je ti që nga shumë kohë më parë, o Jehova?+ O Perëndia im, i Shenjti im, ti nuk vdes.+ Ti, o Jehova, e ke vënë për të gjykuar. O Shkëmb,+ e ke themeluar për të qortuar.+
13 Sytë e tu janë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk mund ta shohësh ligësinë.+ Përse i shikon ata që veprojnë pabesisht+ dhe hesht kur i ligu përpin dikë që është më i drejtë se ai?+
14 Përse i bën njerëzit si peshqit e detit, si rrëshqanorë mbi të cilët nuk sundon kurrkush?+
15 Armiku i ngre të gjithë vetëm me një grep,+ i merr zvarrë në rrjetën e tij tratë dhe i mbledh me rrjetën e peshkimit.+ Ja përse gëzon e kënaqet.+
16 Ja përse i paraqet flijime rrjetës tratë dhe i djeg temjan rrjetës së peshkimit, sepse prej tyre pjesa e tij është gjithë vaj dhe ushqimi i tij i shëndetshëm.+
17 Mos vallë për këtë do ta zbrazë rrjetën tratë, dhe ka për të vrarë vazhdimisht kombe pa treguar fare dhembshuri?+