Isaia 30:1-33
30 «Mjerë bijtë kokëfortë,+—thotë Jehovai,—ata që thurin një plan që nuk vjen nga unë,+ dhe që lidhin një aleancë duke derdhur libacion, por jo me frymën time, që kështu t’i shtojnë mëkatet njëri pas tjetrit!+
2 Mjerë ata që, pa më pyetur mua,+ nisen të zbresin në Egjipt,+ që të gjejnë mbrojtje te kalaja e faraonit dhe që të strehohen nën hijen e Egjiptit!+
3 Kalaja e faraonit do të bëhet turpi juaj,+ kurse strehimi nën hijen e Egjiptit, poshtërimi juaj.+
4 Sepse prijësit ndodhen në Zoan,+ kurse të dërguarit kanë arritur në Hanes.
5 Të gjithëve do t’u vijë turp për një popull që nuk i sjell dobi askujt, që s’jep asnjë ndihmë dhe që nuk sjell asnjë dobi, por vetëm turp dhe poshtërim.»+
6 Shpallja kundër kafshëve të jugut.+ Përmes një vendi vuajtjesh+ dhe kushtesh të vështira, me luanë dhe leopardë që ulërijnë, me nepërka dhe gjarpërinj helmues+ që hidhen si shigjetë, ata mbartin gjithë ç’kanë mbi kurrizin e gomarëve dhe thesaret mbi gungat e deveve.+ Por ato s’do t’i hyjnë në punë popullit.
7 Egjiptianët janë kot dhe s’do të ndihmojnë për asgjë.+ Prandaj unë e quajta atë: «Rahabë+ që rri kot.»
8 «Tani eja, shkruaje këtë në një pllakë në prani të tyre, po, në një libër,+ që të shërbejë për një ditë të ardhme, si një dëshmi e përjetshme.+
9 Sepse janë një popull rebel,+ bij gënjeshtarë+ që nuk kanë dashur ta dëgjojnë ligjin e Jehovait,+
10 që u kanë thënë parashikuesve: ‘Mos shikoni’, dhe atyre që shohin vegime: ‘Mos shikoni në vegime gjëra të vërteta për ne.+ Na thoni lajka; shihni në vegim mashtrime.+
11 Largohuni nga ajo udhë, lëreni atë shteg.+ Mos na e përmendni më të Shenjtin e Izraelit, sepse ai s’ekziston për ne.’»+
12 Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: «Meqë e keni hedhur poshtë këtë fjalë,+ meqë keni besim te gënjeshtrat dhe mashtrimet, e meqë mbështeteni tek ato,+
13 ky faj do të bëhet për ju si një pjesë e plasaritur në një mur të lartë që është fryrë dhe është gati të bjerë+ e mund të shembet papritur, në një çast.+
14 Ajo do të copëtohet si një qyp i madh prej balte+ që, pa iu dhimbsur askujt, bëhet copë e çikë, aq sa mes copëzave të saj të thyera nuk gjen dot as edhe një copë qeramike për të marrë zjarr në vatër ose për të marrë ujë nga faqja e moçalit.»+
15 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova, i Shenjti i Izraelit:+ «Ju do të shpëtoni duke u kthyer dhe duke ndenjur të qetë. Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.»+ Por ju nuk deshët+
16 dhe thatë: «Jo, do t’ia mbathim me kuaj!»+ Prandaj do t’ia mbathni. «Mbi kuaj të shpejtë do të kalërojmë!»+ Prandaj ata që do t’ju ndjekin, do të jenë të shpejtë.+
17 Një mijë do të dridhen prej kërcënimit të një të vetmi.+ Ju do t’ia mbathni prej kërcënimit të pesë vetave dhe ata që do të mbeten nga ju, do të jenë si një shtyllë në majë të malit dhe si një sinjal mbi kodër.+
18 Por Jehovai mezi pret që t’ju japë hir+ dhe do të ngrihet që t’ju tregojë mëshirë.+ Sepse Jehovai është një Perëndi që gjykon me drejtësi.+ Lum+ ata që presin të veprojë ai!+
19 Kur populli i Sionit+ të banojë në Jerusalem,+ ti nuk do të qash.+ Me të dëgjuar klithmën tënde, ai do të të japë hir, po, me ta dëgjuar, ai do të të përgjigjet.+
20 Jehovai do t’ju japë vuajtje si bukë dhe shtypje si ujë.+ E megjithatë Mësuesi yt i Madh nuk do të fshihet më, dhe sytë e tu do të shohin Mësuesin tënd të Madh.+
21 Ngado që të shkoni, djathtas ose majtas,+ veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: «Kjo është udha.+ Ecni në të!»
22 Ju do të ndotni veshjen prej argjendi të shëmbëlltyrave tuaja të skalitura+ dhe veshjen prej ari të shtatores suaj të derdhur.+ Ti do t’i flakësh ato+ dhe, ashtu si një grua me të përmuajshmet, do t’u thuash: «Ç’ndyrësi!»+
23 Ai do të dërgojë shi për farën që ke mbjellë në tokë,+ dhe toka do të të japë bukë të ushqyeshme që të ngop.+ Atë ditë bagëtia jote do të kullotë në një livadh të gjerë.+
24 Gjedhët dhe gomarët që punojnë tokën, do të hanë tagji të përzier me lëpjetë, që është pastruar duke e hedhur në erë me lopatë+ dhe me sfurk.
25 Ditën e masakrës së madhe, kur të bien kullat,+ mbi çdo mal dhe kodër të lartë do të ketë rrëke,+ kanale me ujë.
26 Ditën që Jehovai do të lidhë kockën e thyer+ të popullit të tij dhe do të shërojë+ plagën e rëndë që i shkaktoi goditja e tij, drita e hënës së plotë do të bëhet si drita e diellit rrëzëllues dhe drita e diellit rrëzëllues do të jetë shtatë herë më e fortë,+ sa drita e shtatë ditëve.
27 Ja, emri i Jehovait po vjen nga larg, i ndezur nga zemërimi+ dhe me re të dendura. Buzët e tij janë plot dënime dhe gjuha e tij është si një zjarr që përpin.+
28 Fryma e tij është si një përrua përmbytës që arrin deri në grykë.+ Ajo vjen që t’i shoshitë+ kombet e që t’i hedhë si gjëra të kota. Ai do të vërë në nofullat e popujve një fre+ që i çon ata andej-këtej.+
29 Ju do të këndoni+ ashtu si këndoni natën, kur shenjtëroheni për një festë,+ dhe do të keni gëzim në zemër ashtu si ai që ecën duke i rënë fyellit,+ ndërsa ngjitet në malin e Jehovait,+ Shkëmbit të Izraelit.+
30 Mes flakëve të një zjarri që përpin,+ mes rrebeshit, shtrëngatës+ dhe breshrit,+ Jehovai do të bëjë që të dëgjohet madhështia e zërit të tij+ dhe të shihet krahu i tij+ që ulet për të goditur, kur i ndizet zemërimi.+
31 Asirinë do ta pushtojë tmerri+ nga zëri i Jehovait. Ai do ta godasë me shkop.+
32 Çdo goditje që do t’i japë Jehovai Asirisë me thuprën e ndëshkimit, do të shoqërohet me dajre e me harpa.+ Ai do të luftojë kundër tyre në beteja ku vringëllijnë armët.+
33 Sepse tashmë Tofeti+ është bërë gati për të. Ai është përgatitur edhe për mbretin.+ Atje ai ka mbushur me dru një vend të thellë. Zjarri bubulon dhe drutë janë me shumicë. Fryma e Jehovait, ashtu si një përrua squfuri, po e ndez atë.+