Isaia 36:1-22
36 Vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të mbretit Hezekia, Senakeribi,+ mbreti i Asirisë,+ sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.+
2 Pastaj mbreti i Asirisë dërgoi rabshakehun*+ te mbreti Hezekia. Ai u nis nga Lakishi+ për në Jerusalem+ me forca të mëdha ushtarake dhe u ndal pranë kanalit+ të rezervuarit+ të sipërm, në rrugën për tek ara e rrobalarësit.+
3 Atëherë dolën për ta takuar Eliakimi,+ biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë, sekretari Shebna+ dhe regjistruesi Joah,+ biri i Asafit.+
4 Rabshakehu u tha: «I thoni Hezekisë: “Kështu thotë mbreti i madh,+ mbreti i Asirisë:+ ‘Ku e gjen këtë siguri? Te kush ke besim?+
5 Është një fjalë goje të thuash se ke strategjinë dhe fuqinë e nevojshme për luftë.+ Te kush, pra, paske besim, që ke ngritur krye kundër meje?+
6 Ja, ti ke besim te përkrahja e këtij kallami të thyer,+ tek Egjipti.+ E pra, po të mbështetej njeri tek ai, do t’i hynte në dorë dhe do ta shponte. Kështu është faraoni,+ mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që kanë besim tek ai.+
7 Edhe nëse më thua: “Kemi besim te Jehovai, Perëndia ynë”, a nuk je ti, o Hezekia, që ia ke hequr atij vendet e larta+ dhe altarët+ dhe i ke thënë Judës e Jerusalemit: “Para këtij altari duhet të përkuleni.”’”+
8 Tani pra, vër bast+ me zotërinë tim, mbretin e Asirisë,+ dhe unë do të të jap dy mijë kuaj e le të shohim nëse i gjen dot kalorësit për ta.+
9 Si vallë, mund të sprapsësh qoftë edhe një guvernator ndër shërbëtorët më të vegjël të zotërisë tim,+ kur ke nevojë të mbështetesh tek Egjipti për karroca dhe kalorës?+
10 Mos vallë kam dalë kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa lejen e Jehovait? Vetë Jehovai më tha:+ ‘Sulmoje këtë vend dhe shkatërroje.’»+
11 Atëherë Eliakimi,+ Shebna+ dhe Joahu,+ i thanë rabshakehut:+ «Të lutemi, folu shërbëtorëve të tu në gjuhën siriane,+ se ne të kuptojmë, dhe mos na fol në gjuhën e judenjve,+ se të dëgjojnë njerëzit që janë përmbi mur.»+
12 Por rabshakehu ua ktheu: «Mos vallë zotëria im më ka dërguar t’ia them këto fjalë vetëm zotërisë tuaj dhe juve? A nuk më ka dërguar t’ua them burrave që rrinë ulur përmbi mur, të cilët janë të dënuar të hanë jashtëqitjet e veta dhe të pinë urinën e tyre bashkë me ju?»+
13 Rabshakehu rrinte në këmbë+ e bërtiste në gjuhën e judenjve.+ Pastaj tha: «Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë!+
14 Kështu thotë mbreti: “Mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë,+ sepse ai nuk ju çliron dot.+
15 Mos e lini Hezekinë t’jua mbushë mendjen që të keni besim te Jehovai,+ duke ju thënë: ‘Jehovai do të na çlirojë patjetër.+ Ky qytet nuk do të bjerë në duart e mbretit të Asirisë.’+
16 Mos e dëgjoni Hezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: ‘Kapitulloni+ dhe ejani tek unë. Secili le të hajë nga hardhia e vet e nga fiku i vet+ dhe le të pijë nga uji i sternës së vet,+
17 derisa të vij dhe t’ju çoj në një vend si vendi juaj,+ plot drithë dhe verë të re, ku ka bukë dhe vreshta.
18 Të mos jua prishë mendjen+ Hezekia, duke ju thënë: “Vetë Jehovai do të na çlirojë.” Mos i kanë çliruar perënditë e kombeve vendet e tyre nga duart e mbretit të Asirisë?+
19 Ku janë perënditë e Hamathit+ dhe të Arpadit?+ Ku janë perënditë e Sefarvaimit?+ Po Samarinë, a e kanë çliruar perënditë nga duart e mia?+
20 Cila nga gjithë perënditë e këtyre vendeve e ka çliruar vendin e vet nga duart e mia,+ që Jehovai të çlirojë Jerusalemin?’”»+
21 Por ata heshtën e nuk i kthyen asnjë fjalë,+ sepse mbreti kishte urdhëruar: «Mos iu përgjigjni.»+
22 Atëherë Eliakimi,+ biri i Hilkiahut, që ishte përgjegjës për shtëpinë,+ sekretari Shebna+ dhe regjistruesi Joah,+ biri i Asafit, vajtën me rroba të shqyera+ te Hezekia dhe i treguan fjalët e rabshakehut.+