Jeremia 30:1-24
30 Kjo është fjala që i drejtoi Jehovai Jeremisë:
2 «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “Shkruaji në një libër gjithë fjalët që do të të them.+
3 Sepse Jehovai thotë: ‘Ja, po vijnë ditët kur do t’i mbledh robërit e popullit tim, Izraelit e Judës,+—thotë Jehovai,—dhe do t’i kthej në vendin që u dhashë paraardhësve të tyre, e ata do ta shtien në dorë përsëri.’”»+
4 Këto janë fjalët që u tha Jehovai Izraelit e Judës.
5 Kështu thotë Jehovai: «Kemi dëgjuar zhurmën drithëruese, tmerrin,+ dhe nuk ka paqe.
6 Pa pyesni pak dhe shihni në është një mashkull që po lind fëmijë. Pse kam parë çdo burrë me duart në ije, si një femër që po lind,+ dhe janë zverdhur tërë fytyrat?+
7 Obobo! Sepse ajo ditë është një ditë e madhe,+ dhe nuk ka tjetër si ajo.+ Për Jakobin ajo ditë është koha e brengës.+ Por ai do të shpëtojë prej saj.
8 Atë ditë,—thotë Jehovai i ushtrive,—unë do t’ua thyej zgjedhën që kanë në qafë e do t’i këput më dysh litarët e tyre,+ dhe të huajt nuk do t’i shfrytëzojnë më si shërbëtorë.
9 Ata do t’i shërbejnë Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe Davidit,+ mbretit që do të vë për ta.+
10 Por ti mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob, dhe mos u tmerro, o Izrael!+—thotë Jehovai.—Sepse unë do të të shpëtoj nga vendi i largët dhe pasardhësit e tu nga vendi i robërisë.+ E Jakobi do të kthehet dhe do të jetë rehat e pa shqetësime, e askush nuk do ta trembë.+
11 Sepse unë jam me ty për të të shpëtuar,+—thotë Jehovai,—por do të kryej një shfarosje mes gjithë kombeve ku të kam shpërndarë.+ Por mes teje nuk do të kryej shfarosje.+ Do të të ndreq në masën e duhur dhe nuk do të të lë aspak pa të ndëshkuar.»+
12 Sepse kështu thotë Jehovai: «Nuk ka shërim për shembjen tënde.+ Plaga jote është kronike.+
13 Nuk ka asnjeri që të ndërmjetësojë për të kuruar ulcerën tënde+ dhe asgjë që të të shërojë.+
14 Ata që të donin me zjarr, të kanë harruar dhe nuk të kërkojnë.+ Të kam goditur siç godet një armik,+ me ndëshkimin e një njeriu të pamëshirshëm,+ për shkak të fajit tënd të pamasë;+ mëkatet e tua janë të panumërta.+
15 Pse bërtet nga shembja?+ Dhembja jote është e pashërueshme për shkak të fajit tënd të pamasë, dhe mëkatet e tua janë të panumërta.+ Unë t’i kam bërë këto gjëra.
16 Ata që të gllabëronin, do të gllabërohen,+ dhe armiqtë e tu do të shkojnë të gjithë në robëri.+ Tërë ata që të zhvatnin, do të zhvaten, dhe gjithë ata që të plaçkitnin, do të bëj që t’i plaçkitin.+
17 Do të të sjell shërim dhe do të të shëroj plagët,+—thotë Jehovai.—Sepse ata të quanin grua e dëbuar:+ ‘Ja Sioni, që nuk e kërkon askush.’»+
18 Kështu thotë Jehovai: «Unë do të mbledh robërit e tendave të Jakobit+ dhe do të më vijë keq për tabernakujt e tij. Qyteti do të ndërtohet prapë në kodrën e vet,+ dhe kulla e banimit do të jetë në vendin e duhur.+
19 Nga atje do të vërshojnë falënderimet dhe gazi i atyre që qeshin.+ Unë do t’i shtoj, e ata nuk do të jenë pak,+ dhe do t’i bëj të shumtë, e nuk do të jenë të papërfillshëm.+
20 Bijtë e Jakobit do të bëhen si në kohët e mëparshme, dhe asambleja e njerëzve të tij do të rrijë gjithmonë para meje.+ Unë do ta drejtoj vëmendjen kundër tërë shtypësve të tij.+
21 Nga ai do të vijë i madhërishmi,+ dhe nga ai do të dalë sundimtari i vet.+ Unë do ta bëj që të afrohet, dhe ai do të më afrohet.+Sepse kush është ai që e ka vënë zemrën në rrezik, që të më afrohet?+—thotë Jehovai.—
22 Ju do të jeni populli im,+ e unë do të jem Perëndia juaj.»+
23 Ja, stuhia e Jehovait, tërbimi i tij ka shpërthyer, një furtunë e pandalshme.+ Ajo do të shtillet mbi kokën e të ligjve.+
24 Zemërimi i zjarrtë i Jehovait nuk do të tërhiqet, derisa të përmbushë dhe të plotësojë planet e zemrës së tij.+ Në ditët e fundit do ta shihni.+