Jeremia 38:1-28
38 Shefatiahu, biri i Matanit, Gedaliahu, biri i Pashkurit, Jukali,+ biri i Shelemiahut, dhe Pashkuri, biri i Malkijahut,+ dëgjuan fjalët që Jeremia i thoshte gjithë popullit:+
2 «Kështu thotë Jehovai: ‘Ai që do të rrijë në këtë qytet, do të vdesë nga shpata,+ nga zia e bukës+ dhe nga murtaja.+ Kurse ai që do t’u dorëzohet kaldeasve, do të jetojë, do të ketë si plaçkë shpirtin e vet dhe do ta ruajë gjallë atë.’+
3 Kështu thotë Jehovai: ‘Ky qytet do të bjerë patjetër në duart e forcave ushtarake të mbretit të Babilonisë, dhe ai do ta pushtojë.’»+
4 Prandaj, princat i thanë mbretit: «Të lutemi, le të vritet ky njeri,+ pasi me këto fjalë po shkurajon* luftëtarët që kanë mbetur në këtë qytet dhe gjithë popullin.+ Sepse ai njeri nuk kërkon që ky popull të ketë paqe, por gjëmë.»
5 Atëherë mbreti Zedekia tha: «Ja, ai është në dorën tuaj. Mbreti nuk mund t’ju ndalë për asgjë.»+
6 Ata e morën Jereminë dhe e hodhën në sternën e Malkijahut,+ birit të mbretit, e cila ndodhej tek Oborri i Rojës.+ Kështu pra, Jereminë e lëshuan poshtë me litarë. Në sternë nuk kishte ujë, por llucë, dhe Jeremia po zhytej në llucë.+
7 Etiopasi Ebed-Melek,+ i cili ishte eunuk dhe ndodhej në shtëpinë e mbretit, mori vesh se Jereminë e kishin futur në sternë. Ndërkohë mbreti rrinte ulur te Porta e Beniaminit.+
8 Kështu Ebed-Meleku doli nga shtëpia e mbretit, dhe shkoi e i tha:
9 «O mbret, zotëria im, këta njerëz kanë vepruar keq në gjithçka që i kanë bërë profetit Jeremia. E kanë hedhur në sternë, dhe ai do të vdesë+ atje nga uria,+ sepse nuk ka më bukë në qytet.»
10 Atëherë mbreti e urdhëroi etiopasin Ebed-Melek: «Merr nën komandë tridhjetë burra nga ky vend dhe nxirre nga sterna profetin Jeremia para se të vdesë.»+
11 Kështu Ebed-Meleku mori nën komandë burrat dhe hyri në shtëpinë e mbretit, poshtë thesarit,+ mori që atje lecka të vjetra dhe copa pëlhure të vjetra e ia zbriti me litarë Jeremisë në sternë.+
12 Pastaj etiopasi Ebed-Melek i tha Jeremisë: «Të lutem, vëri leckat e vjetra dhe copat e pëlhurës nën sqetull rreth litarëve.» Dhe Jeremia bëri ashtu.+
13 Së fundi ata e tërhoqën Jereminë me litarë dhe e nxorën nga sterna. Pastaj Jeremia ndenji tek Oborri i Rojës.+
14 Mbreti Zedekia dërgoi njerëz të merrnin profetin Jeremia+ e ta çonin tek ai, te hyrja e tretë,+ që ndodhej në shtëpinë e Jehovait.+ Pastaj mbreti i tha Jeremisë: «Do të të pyes për diçka. Mos më fshih asgjë.»+
15 Jeremia iu përgjigj Zedekisë: «Po të ta them, a nuk do të më vrasësh me siguri? Edhe po të të këshilloja, ti nuk do të më dëgjoje.»+
16 Por mbreti Zedekia iu betua Jeremisë në atë vend të fshehtë: «Siç është e vërtetë që rron Jehovai, i cili ka bërë shpirtin e njeriut,+ unë nuk do të të vras dhe nuk do të të dorëzoj në duart e këtyre njerëzve, që kërkojnë shpirtin tënd.»+
17 Atëherë Jeremia i tha Zedekisë: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i ushtrive,+ Perëndia i Izraelit:+ ‘Nëse do t’u dorëzohesh princave të Babilonisë,+ shpirti yt do të jetojë dhe këtij qyteti nuk do t’i vënë zjarrin, e ti bashkë me ata të shtëpisë sate do të jetoni.+
18 Por në rast se nuk u dorëzohesh princave të Babilonisë, ky qytet do të bjerë në duart e kaldeasve, dhe ata do t’i vënë zjarrin,+ kurse ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre.’»+
19 Atëherë mbreti Zedekia i tha Jeremisë: «Kam frikë se mos më dorëzojnë në duart e judenjve që kanë kaluar nga ana e kaldeasve,+ dhe ata më keqtrajtojnë.»+
20 Por Jeremia ia ktheu: «Nuk do të të dorëzojnë. Prandaj, të lutem, bindju zërit të Jehovait për atë që po të them, dhe do të të shkojë mbarë+ e shpirti yt do të jetojë.
21 Mirëpo, po nuk pranove të dorëzohesh,+ ja se ç’më ka bërë të shoh Jehovai:
22 Të gjitha gratë që kanë mbetur në shtëpinë e mbretit të Judës,+ po i nxjerrin jashtë për te princat e mbretit të Babilonisë,+ dhe ato thonë:‘Njerëzit që ishin në paqe me ty, ta kanë prishur mendjen,+ dhe kanë dalë më të fortë se ti.+E kanë bërë këmbën tënde të zhytet në llum; janë tërhequr në drejtim të kundërt.’+
23 Gjithë gratë dhe bijtë e tu po i nxjerrin jashtë te kaldeasit, dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre,+ por do të të kapë dora e mbretit të Babilonisë. E për shkakun tënd, këtij qyteti do t’i vihet zjarri.»+
24 Zedekia i tha Jeremisë: «Të mos i marrë vesh askush këto gjëra, që të mos vdesësh.
25 Po qe se princat+ dëgjojnë se kam folur me ty dhe vijnë e të pyesin: ‘Hajt na thuaj: për çfarë fole me mbretin? Mos na fshih asgjë, që të mos të vrasim. Ç’të tha mbreti?’,
26 thuaju: ‘Po i bëja mbretit kërkesë për hir, që të mos më kthente në shtëpinë e Jehonatanit+ e të vdisja atje.’»
27 Pas njëfarë kohe princat shkuan te Jeremia dhe filluan ta pyetnin. Ai iu përgjigj tamam siç e kishte urdhëruar mbreti.+ Kështu ata heshtën para tij, sepse nuk e kishin marrë vesh.
28 E këto gjëra ndodhën pikërisht kur Jerusalemi u pushtua.+ Jeremia ndenji akoma në Oborrin e Rojës+ deri në ditën kur Jerusalemi u pushtua.+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «po u dobëson duart».