Jeremia 4:1-31
4 «Nëse do që të kthehesh, o Izrael,—thotë Jehovai,—mund të kthehesh tek unë.+ Në rast se për shkakun tim do të heqësh gjërat e tua të neveritshme,+ atëherë nuk do të endesh si një i arratisur.
2 Po u betove:+ ‘Siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe shfaq të vërtetën,+ drejtësinë dhe të drejtën’,+ atëherë kombet do të bekohen falë tij dhe falë tij do të mburren.»+
3 Kështu u thotë Jehovai njerëzve të Judës e të Jerusalemit: «Punoni arën tuaj dhe mos mbillni më mes gjembave.+
4 Rrethprituni për Jehovain, rrethpritni zemrën,+ o banorë të Judës dhe banorë të Jerusalemit, që tërbimi im të mos shpërthejë si zjarr e të djegë, dhe askush të mos e shuajë dot, për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja.»+
5 Tregojeni në Judë, shpalleni në Jerusalem,+ thuajeni me zë të lartë dhe bjerini bririt në mbarë vendin!+ Bërtitni fort: «Mblidhuni dhe le të hyjmë në qytetet e fortifikuara!+
6 Ngrini një sinjal për në Sion. Gjeni strehë ku të futeni, mos rrini pa lëvizur.» Sepse do të sjell një gjëmë nga veriu,+ një shkatërrim të madh.
7 Ai ka dalë si një luan nga shkurrnaja.+ Ai që i rrënon kombet, është nisur,+ ka dalë nga vendi i vet, që ta bëjë vendin tuaj të ngjallë habi. Qytetet tuaja do të kthehen në rrënoja e nuk do të kenë asnjë banor.+
8 Prandaj vishuni me copë thesi.+ Bjerini gjoksit dhe ulërini,+ sepse zemërimi i zjarrtë i Jehovait nuk është larguar nga ne.+
9 «Atë ditë,—thotë Jehovai,—do të ndodhë që zemra e mbretit do të lëshohet,+ po ashtu edhe zemra e princave. Priftërinjtë do të shastisen nga habia dhe profetët do të shtangen.»+
10 Unë thashë: «Oh, Zotëri Sovran Jehova! Ti e ke lënë të mashtrohet krejtësisht këtë popull+ dhe Jerusalemin me fjalët: ‘Do të keni paqe’,+ ndërsa shpata i kanoset shpirtit të tyre.»
11 Në atë kohë do t’i thuhet këtij populli dhe Jerusalemit: «Drejt bijës së popullit tim+ po vjen era zhuritëse e shtigjeve të rrahura nëpër shkretëtirë.+ Ajo nuk po vjen që të hedhë drithin në erë dhe as ta pastrojë.
12 Era që fryn me gjithë tërbimin e vet, po vjen nga shtigjet drejt meje. Tani unë do t’u kërkoj llogari.+
13 Ja! Armiku do të vijë si retë e shiut dhe karrocat e tij janë si erë shtrëngate.+ Kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat.+ ‘Mjerë ne, sepse jemi plaçkitur!’
14 Pastroje zemrën nga e keqja, o Jerusalem, që të shpëtosh!+ Deri kur do të strehohen te ti mendimet e gabuara?+
15 Sepse një zë po flet nga Dani+ dhe po shpall diçka të keqe nga rajoni malor i Efraimit.+
16 Përmenduani kombeve! Shpalleni kundër Jerusalemit!Nga një vend i largët do të vijnë vëzhgues,+ dhe do ta ngrenë zërin kundër qyteteve të Judës.
17 Si rojat e fushës, ata e kanë rrethuar nga tërë anët+ Jerusalemin, sepse ka ngritur krye kundër meje,+—thotë Jehovai.—
18 Do të paguash për udhën dhe veprimet e tua.+ Kjo gjëmë do të të bjerë. Ajo është e hidhur, sepse të ka arritur deri në zemër.»
19 O zorrët e mia, zorrët e mia! Kam dhembje të forta në zemër.+ Zemra ime është e trazuar.+ Nuk mund të hesht, sepse shpirti im ka dëgjuar tingullin e bririt, kushtrimin për luftë.+
20 Ka ndodhur shkatërrim pas shkatërrimi, sepse i tërë vendi është plaçkitur.+ Tendat e mia janë plaçkitur+ menjëherë, pëlhurat e tendës në një çast.
21 Deri kur do të shoh sinjalin, deri kur do të dëgjoj tingullin e bririt?+
22 Sepse populli im është i marrë.+ Nuk më kanë kushtuar vëmendje.+ Nuk janë bij të mençur dhe nuk kuptojnë.+ Ata janë të mençur për të keqen, por nuk kanë aspak njohuri që të bëjnë të mirën.+
23 Unë pashë vendin, dhe ja, ishte bosh e i shkretë.+ Pashë qiejt, por nuk kishin më dritë.+
24 Pashë malet, dhe ja, po lëkundeshin, kurse kodrat po tronditeshin.+
25 Pashë, dhe ja, nuk kishte këmbë njeriu dhe zogjtë e qiellit kishin ikur të gjithë.+
26 Unë pashë, dhe ja, vendi si pemishte ishte kthyer në shkretëtirë dhe qytetet e tij ishin rrafshuar të tëra.+ Kishte ndodhur për shkak të Jehovait, për shkak të zemërimit të tij të zjarrtë.
27 Sepse kështu thotë Jehovai: «Do ta bëj gjithë vendin një shkreti.+ Vallë, nuk do të kryej një shfarosje?!+
28 Prandaj vendi do të mbajë zi+ dhe qiejt do të errësohen,+ sepse unë kam folur, e kam menduar mirë dhe nuk do të më vijë keq, as do të heq dorë.+
29 Nga zëri i kalorësve dhe i harkëtarëve i gjithë qyteti ia ka mbathur.+ Ata janë futur nëpër shkurrnaja dhe janë ngjitur në shkëmbinj.+ Tërë qytetet janë braktisur, dhe në to nuk banon asnjeri.»
30 Ç’do të bësh tani që je plaçkitur, ti që visheshe me rroba të kuqe të ndezura, që stoliseshe me zbukurime ari dhe i zmadhoje sytë duke i lyer me të zezë?+ Më kot u zbukurove.+ Ata që të vinin pas me epsh, të kanë hedhur poshtë, ata kërkojnë shpirtin tënd.+
31 Unë dëgjova një zë si të një gruaje të sëmurë, një rënkim si të një gruaje që po lind fëmijën e parë.+ Dëgjova zërin e bijës së Sionit që dihat. Ajo i shtrin duart+ e thotë: «Mjerë unë tani, sepse shpirti im është lodhur nga vrasësit!»+