Jeremia 46:1-28
46 Profetit Jeremia iu drejtua kjo fjalë e Jehovait për kombet,+
2 për Egjiptin,+ për forcat ushtarake të faraonit Neko, mbretit të Egjiptit,+ i cili ishte pranë lumit Eufrat në Karkemish+ dhe që Nabukodrezari, mbreti i Babilonisë, e mundi në vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit,+ birit të Josisë, mbretit të Judës:
3 «Vihuni në rresht, o burra, me shqyte dhe me mburoja të mëdha, e afrohuni për betejë!+
4 Mbrehni kuajt dhe hipuni, o kalorës, e zini vend me përkrenaren në kokë! Lëmoni heshtat dhe vishni thurakët.+
5 Pse i shoh ata të tmerruar? Ata po kthehen, dhe burrat e tyre të fuqishëm janë bërë copë-copë. Ia kanë mbathur dhe nuk e kanë kthyer kokën pas.+ Ka tmerr rreth e qark,+—thotë Jehovai.—
6 I shpejti të mos përpiqet t’ia mbathë, dhe i fuqishmi të mos përpiqet të ikë.+ Në veri,+ buzë lumit Eufrat, ata janë penguar dhe kanë rënë.+
7 Kush është ai që vjen si lumi Nil, si lumenjtë me ujëra të trazuara?+
8 Egjipti vjen si lumi Nil,+ dhe ujërat janë si ato të lumenjve të trazuar.+ Dhe ai thotë: ‘Do të ngrihem. Do të mbuloj tokën. Do t’i shkatërroj kollaj qytetin dhe ata që banojnë në të.’+
9 Ngjituni, o kuaj, lëshohuni si të çmendura, o karroca! Le të dalin burrat e fuqishëm, Kushi+ e Puti,+ që përdorin mburojën, dhe ludimët,+ që përdorin e tendosin harkun.
10 Ajo ditë i përket Zotërisë Sovran, Jehovait të ushtrive, dita e hakmarrjes ndaj kundërshtarëve të tij.+ Shpata do të gllabërojë, do të ngopet dhe do të dehet me gjakun e tyre, sepse Zotëria Sovran,+ Jehovai i ushtrive, ka një flijim+ në vendin e veriut pranë lumit Eufrat.+
11 O virgjëreshë e Egjiptit,+ ngjitu në Galaad dhe merr pak balsam!+ Më kot i ke shtuar mjetet e shërimit. S’ka asnjë kurë për ty.+
12 Kombet kanë dëgjuar çnderimin tënd,+ dhe klithma jote ka mbushur vendin.+ Ata janë penguar, i fuqishmi kundër të fuqishmit.+ Janë rrëzuar bashkë, që të dy.»
13 Fjala që i tha Jehovai profetit Jeremia për ardhjen e Nabukodrezarit, mbretit të Babilonisë, për të goditur Egjiptin:+
14 «Thuaje në Egjipt, shpalle në Migdol,+ shpalle edhe në Nof+ e në Tafnes.+ Thuaj: “Zër vend, përgatitu,+ sepse një shpatë do të gllabërojë gjithçka përreth teje.+
15 Pse të fuqishmit e tu janë përlarë?+ Nuk kanë bërë qëndresë, sepse Jehovai i ka përzënë.+
16 Po pengohen një numër i madh prej tyre dhe po bien. I thonë njëri-tjetrit: ‘Çohu e le të kthehemi te njerëzit tanë dhe te vendi i të afërmve tanë, për shkak të shpatës mizore.’
17 Atje ata kanë shpallur: ‘Faraoni, mbreti i Egjiptit, s’është veçse një mburracak.+ E ka lënë kohën e festës të marrë fund.’+
18 ‘Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Mbreti, emri i të cilit është Jehovai i ushtrive,+—ai do të hyjë si Tabori+ ndër male dhe si Karmeli+ pranë detit.
19 Bëj gati plaçkat për mërgim,+ o banore, bijë+ e Egjiptit! Sepse Nofi+ do të bëhet për të ngjallur habi, do t’i vënë zjarrin dhe do të mbetet pa banor.+
20 Egjipti është si një mëshqerrë shumë e bukur. Kundër tij do të vijnë nga veriu mushkonjat.+
21 Përveç kësaj, mercenarët e vet në mes të tij janë si viça të majmë.+ Por edhe ata janë tërhequr.+ Kanë ikur që të gjithë dhe nuk kanë bërë qëndresë.+ Sepse dita e katastrofës ka ardhur mbi ta, po, koha që të drejtohet vëmendja kundër tyre.+
22 Zëri i tij është si i gjarprit kur ikën,+ sepse burrat do të vijnë plot fuqi dhe do të hyjnë tek ai me sëpata, si ata që presin dru.
23 Ata do ta presin pyllin e tij,+ që ishte i padepërtueshëm,—thotë Jehovai.—Sepse ata janë më të shumtë se karkalecat+ dhe janë të panumërt.
24 Bijës+ së Egjiptit do t’i vijë turp. Ajo do të bjerë në duart e popullit të veriut.’+
25 Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit, thotë: ‘Ja, unë do ta drejtoj vëmendjen kundër Amonit+ të Nosë,+ kundër faraonit, kundër Egjiptit, kundër perëndive+ dhe mbretërve të tij,+ po, kundër faraonit dhe gjithë atyre që kanë besim tek ai.+
26 Unë do t’i dorëzoj në duart e atyre që u kërkojnë shpirtin, në duart e Nabukodrezarit, mbretit të Babilonisë,+ e në duart e shërbëtorëve të tij. Më pas Egjipti do të banohet si në ditët e lashta,+—thotë Jehovai.
27 Por ti mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob, dhe mos u tmerro, o Izrael!+ Sepse unë do të të shpëtoj nga vendi i largët, dhe do t’i shpëtoj pasardhësit e tu nga vendi i robërisë.+ E Jakobi do të kthehet dhe do të jetë rehat e pa shqetësime, e askush nuk do ta trembë.+
28 Mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob,—thotë Jehovai,—sepse unë jam me ty.+ Unë do të kryej një shfarosje mes gjithë kombeve ku të kam shpërndarë,+ por ty nuk do të të shfaros.+ Megjithatë do të të ndëshkoj në masën e duhur+ dhe nuk do të të lë aspak pa të ndëshkuar.’”»+