Jeremia 7:1-34
7 Kjo është fjala që i drejtoi Jehovai Jeremisë:
2 «Rri te porta e shtëpisë së Jehovait dhe shpall atje këtë fjalë:+ “Dëgjoni fjalën e Jehovait, të gjithë ju, o banorë të Judës, që hyni nëpër këto porta, për t’u përkulur para Jehovait!
3 Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ‘Ndreqini udhët dhe veprimet tuaja, e unë do t’ju lë të banoni ende në këtë vend.+
4 Mos kini besim te fjalët e gënjeshtërta+ dhe mos thoni: “Tempulli i Jehovait, tempulli i Jehovait! Ky është tempulli i Jehovait!”
5 Por nëse i ndreqni udhët dhe veprimet tuaja, gjykoni me drejtësi midis një njeriu dhe shokut të tij,+
6 nëse nuk shtypni asnjë të ardhur, asnjë jetim* dhe asnjë vejushë,+ nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend+ dhe nëse nuk shkoni pas perëndive të tjera për të keqen tuaj,+
7 atëherë unë do t’ju lë të banoni ende në këtë vend brez pas brezi, në tokën që u dhashë paraardhësve tuaj.+
8 Ja, ju keni besim te fjalët e gënjeshtërta, por kjo nuk do t’ju sjellë aspak dobi.+
9 Vallë mund të vidhni,+ të vritni,+ të kryeni kurorëshkelje,+ të bëni betime të rreme,+ t’i paraqitni tym blatimi Baalit,+ të ecni pas perëndive të tjera që nuk i keni njohur,+
10 dhe pastaj, megjithëse keni bërë gjithë këto gjëra të neveritshme, të vini e të rrini para meje në këtë shtëpi, ku thirret emri im,+ dhe të thoni: “Do të çlirohemi.”
11 Mos vallë është bërë një shpellë kusarësh në sytë tuaj kjo shtëpi,+ ku thirret emri im?!+ Ja, unë e kam parë këtë gjë,—thotë Jehovai.+
12 Por, shkoni tani në vendin tim, që ishte në Shiloh,+ ku bëra të banonte emri im më përpara,+ dhe shihni se çfarë i bëra atij, për shkak të ligësisë së popullit tim, Izraelit.+
13 E pra, meqë ju bënit gjithë këto gjëra,—thotë Jehovai,—dhe unë ju flitja duke u çuar herët,+ por ju nuk dëgjonit,+ dhe unë ju thërrisja, por ju nuk përgjigjeshit,+
14 unë do të veproj me shtëpinë ku thirret emri im,+ tek e cila keni besim,+ dhe me vendin që ju dhashë juve dhe paraardhësve tuaj, pikërisht siç veprova me Shilohun.+
15 Unë do t’ju flak larg fytyrës sime,+ siç i flaka gjithë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.’”+
16 Por ti mos u lut për këtë popull, mos bëj as përgjërim, as lutje, as kërkesë,+ sepse nuk do të të dëgjoj.+
17 A nuk e sheh se ç’po bëjnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit?+
18 Bijtë marrin dru, etërit ndezin zjarrin dhe gratë mbrujnë brumin, që të bëjnë kuleç flijimi për ‘mbretëreshën e qiejve’.+ Ata derdhin blatim në pije+ për perënditë e tjera, që të më fyejnë.+
19 ‘Vallë mua po më fyejnë?!—thotë Jehovai.+—A nuk po fyejnë vetveten, për turpin e tyre?’+
20 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, zemërimi dhe tërbimi im do të derdhen mbi këtë vend,+ mbi njerëzit e mbi kafshët shtëpiake, mbi pemën e fushës+ e mbi frytin e tokës. Ai do të ndizet e nuk do të shuhet.’+
21 Kështu thotë Jehovai i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Po deshët, shtojuni flijimeve tuaja blatimet tuaja të plota të djegura dhe hani mish.+
22 Unë për vete nuk fola me paraardhësit tuaj dhe as i urdhërova ata ditën kur i nxora nga vendi i Egjiptit, në lidhje me blatimet e plota të djegura dhe flijimet.+
23 Por u dhashë këtë urdhër: ‘Bindjuni zërit tim,+ dhe unë do të jem Perëndia juaj,+ e ju do të bëheni populli im. Ecni në të gjitha udhët+ që do t’ju urdhëroj, që t’ju vejë mbarë.’+
24 Por ata nuk dëgjuan dhe as që e kthyen veshin+ nga unë, përkundrazi ecën sipas planeve të tyre, ecën me kokëfortësi, siç u donte zemra e tyre e ligë.+ Kështu ata ecën prapa, e jo përpara,+
25 që ditën kur etërit tuaj dolën nga Egjipti e deri sot e kësaj dite.+ Unë dërgova vazhdimisht shërbëtorët e mi, profetët, duke u çuar herët e duke i dërguar ata çdo ditë.+
26 Por ky popull nuk më dëgjoi dhe as e ktheu veshin+ nga unë. Ata e ngurtësuan qafën+ dhe vepruan më keq se paraardhësit e tyre.+
27 T’i do t’u thuash atyre të gjitha këto fjalë,+ por nuk do të të dëgjojnë, t’i do t’i thërrasësh, por nuk do të të përgjigjen.+
28 Thuaju atyre: ‘Ky është kombi që nuk i është bindur zërit të Jehovait, Perëndisë së tij,+ dhe që nuk e ka pranuar disiplinën.+ Besnikëria ka marrë fund dhe është zhdukur nga goja e tyre.’+
29 Priti flokët e paprerë, hidhi+ dhe nisja një kënge të përvajshme+ në kodra të zhveshura, sepse Jehovai e ka hedhur poshtë+ brezin me të cilin është zemëruar jashtë mase dhe do ta braktisë.+
30 ‘Sepse bijtë e Judës kanë bërë atë që është e keqe në sytë e mi,—thotë Jehovai.—Ata kanë vënë idhujt e tyre të neveritshëm në shtëpinë ku thirret emri im, për ta përdhosur.+
31 Ata kanë ngritur vendet e larta të Tofetit,+ i cili ndodhet në luginën e birit të Hinomit,+ për të djegur bijtë dhe bijat e tyre në zjarr,+ gjë që nuk e urdhërova dhe nuk më ka shkuar kurrë ndër mend.+
32 Prandaj, ja, po vijnë ditët,—thotë Jehovai,—kur nuk do të thuhet më Tofeti dhe lugina e birit të Hinomit, por lugina e vrasjes,+ dhe ata do të varrosin në Tofet, derisa ai të stërmbushet.+
33 Kufomat e këtij populli do të bëhen ushqim për zogjtë e qiellit dhe për kafshët e tokës, të cilat askush nuk do t’i trembë.+
34 Unë do të bëj që në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit të mos dëgjohet më zëri i ngazëllimit e i gëzimit, zëri i dhëndrit e i nuses,+ sepse vendi do të bëhet një shkreti.+