Levitiku 24:1-23
24 Jehovai i tha Moisiut:
2 «Urdhëroji bijtë e Izraelit që të të sjellin vaj të kulluar prej ullinjsh të shtypur për ndriçim,+ që llambat të rrinë vazhdimisht të ndezura.+
3 Në tendën e takimit, nga jashtë perdes së Dëshmisë, Aaroni do të kujdeset që shandani të ndriçojë para Jehovait nga mbrëmja deri në mëngjes. Ky do të jetë një ligj i përhershëm për brezat tuaj.
4 Ai duhet t’i vërë në radhë llambat e shandanit+ me ar të kulluar, dhe do t’i mbajë ato+ vazhdimisht të ndezura para Jehovait.+
5 Të piqen dymbëdhjetë kuleç në formë unaze, të bërë me majë mielli. Çdo kulaç duhet të ketë dy të dhjetat e një efe majë mielli.
6 Ata duhen vënë para Jehovait, në tryezën me ar të kulluar,+ dhe duhen radhitur mbi njëri-tjetrin në dy grupe, nga gjashtë në çdo grup.+
7 Mbi secilin grup duhet vënë temjan i bardhë i kulluar, që do të shërbejë si kujtim+ për bukën, si një blatim i bërë me zjarr për Jehovain.
8 Çdo sabat ai duhet të kujdeset që ata të jenë vazhdimisht para Jehovait.+ Kjo do të jetë një besëlidhje e përhershme me bijtë e Izraelit.
9 Kuleçtë do të jenë për Aaronin dhe bijtë e tij,+ dhe ata duhet t’i hanë në një vend të shenjtë,+ sepse janë një gjë shumë e shenjtë për priftin nga blatimet e bëra me zjarr për Jehovain. Ky do të jetë një rregull i përhershëm.»
10 Tani, i biri i një izraeliteje dhe i një egjiptiani,+ shkoi mes bijve të Izraelit dhe nisi të zihej+ me një izraelit në kamp.
11 I biri i izraelites nisi të shante e të mallkonte+ emrin e Perëndisë,+ kështu që e çuan te Moisiu.+ E ëma quhej Shelomita, dhe ishte e bija e Dibrit, nga fisi i Danit.
12 Atë e mbajtën me roja,+ derisa Jehovai t’u thoshte qartë se ç’duhej bërë.+
13 Jehovai i tha Moisiut:
14 «Nxirre jashtë kampit+ atë që mallkoi. Të gjithë ata që e dëgjuan, të vënë duart+ mbi kokën e tij, dhe tërë asambleja do ta vrasë me gurë.+
15 Thuaju bijve të Izraelit: ‘Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të përgjigjet për mëkatin e vet.
16 Ai që shan emrin e Jehovait, do të vritet.+ Tërë asambleja do ta vrasë me gurë. Qoftë i ardhur ose vendës, ai që shan emrin e Perëndisë, do të vritet.+
17 Ai që vret një njeri, do të vritet.+
18 Ai që vret një kafshë shtëpiake, do të japë dëmshpërblimin, shpirt për shpirt.+
19 Ai që i shkakton një dëmtim shokut të vet, do të pësojë të njëjtën gjë.+
20 Do të pësojë të njëjtin dëmtim që i shkaktoi tjetrit: thyerje për thyerje, sy për sy e dhëmb për dhëmb.+
21 Ai që vret një kafshë,+ do ta dëmshpërblejë,+ kurse ai që vret një njeri, do të vritet.+
22 Duhet të ketë një ligj për të gjithë ju. I ardhuri do të jetë njësoj si vendësi,+ sepse unë jam Jehovai, Perëndia juaj.’»+
23 Pastaj Moisiu foli me bijtë e Izraelit. Ata e nxorën jashtë kampit atë që mallkoi dhe e vranë me gurë.+ Bijtë e Izraelit bënë siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.