Luka 1:1-80
1 Shumë kanë marrë përsipër të përpilojnë një tregim të fakteve+ që ne u zëmë besë plotësisht,
2 ashtu si na i dhanë ata që, qysh nga fillimi,+ ishin dëshmitarë okularë+ dhe shërbëtorë të lajmit.+
3 Prandaj, meqë i gjurmova me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi, edhe mua m’u duk e udhës të t’i shkruaja sipas një radhe logjike,+ o fort i shkëlqyeri+ Teofil,+
4 që të njohësh plotësisht se sa të sigurta janë gjërat që të kanë mësuar gojarisht.+
5 Në ditët e Herodit,+ mbretit të Judesë, ishte një prift që quhej Zakaria, nga ndarja e Abijahut.+ Gruan e kishte nga bijat e Aaronit+ dhe e quanin Elizabetë.
6 Që të dy ishin të drejtë+ në sytë e Perëndisë, sepse ecnin në mënyrë të patëmetë,+ sipas gjithë urdhërimeve+ dhe kërkesave ligjore+ të Jehovait.+
7 Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpë,+ dhe që të dy ishin mjaft të shkuar në moshë.
8 Kur e kishte radhën ndarja e tij dhe Zakaria po shërbente si prift+ para Perëndisë,
9 sipas zakonit solemn për funksionin priftëror, atij i erdhi radha që të paraqiste temjan+ në shenjtëroren e Jehovait.+
10 Në orën kur paraqitej temjani, gjithë populli po lutej jashtë.+
11 Atij iu shfaq engjëlli i Jehovait, që qëndronte në këmbë në të djathtë të altarit të temjanit.+
12 Kur e pa, Zakaria u trazua dhe u frikësua.+
13 Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakaria, sepse përgjërimi yt u dëgjua+ dhe gruaja jote, Elizabeta, do të të lindë një djalë, të cilin do ta quash Gjon.+
14 Ti do të kesh gëzim e hare të madhe, dhe shumë veta do të gëzojnë+ për lindjen e tij,
15 sepse ai do të jetë i madh në sytë e Jehovait.+ Por nuk duhet të pijë fare verë e pije të forta,+ dhe do të jetë i mbushur me frymë të shenjtë që në bark të nënës.+
16 Ai do t’i kthejë shumë nga bijtë e Izraelit te Jehovai,+ Perëndia i tyre,
17 dhe do të ecë përpara Tij me frymën dhe fuqinë e Elijas,+ që t’i kthejë zemrat+ e fëmijëve si ato të etërve dhe të pabindurit te mençuria e të drejtëve, që të bëjë gati për Jehovain+ një popull të përgatitur.»+
18 Zakaria e pyeti engjëllin: «Si të jem i sigurt për këtë? Sepse unë jam i moshuar+ dhe gruaja ime është mjaft e shkuar në moshë.»
19 Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli,+ që qëndroj përpara Perëndisë, dhe më dërguan të flas+ me ty e të të shpall lajmin e mirë për këto gjëra.
20 Por ja, ti nuk do të flasësh dot dhe do të jesh i pagojë+ deri ditën kur të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u besove fjalëve të mia, që do të përmbushen në kohën e caktuar.»
21 Ndërkaq, populli po e priste Zakarinë+ jashtë dhe çuditej që ai po vonohej në shenjtërore.
22 Kur doli, Zakaria nuk u fliste dot, dhe ata e morën me mend se kishte parë një shfaqje të mbinatyrshme+ në shenjtërore. Ai u bënte shenja dhe mbeti i pagojë.
23 Me t’u mbushur ditët e shërbimit,+ ai iku në shtëpinë e vet.
24 Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë.+ Ajo nuk doli nga shtëpia për pesë muaj dhe thoshte:
25 «Kështu ka vepruar Jehovai me mua. Në këto ditë ai më ka kushtuar vëmendje, që të më heqë poshtërimin mes njerëzve.»+
26 Kur ajo ishte në muajin e gjashtë, Perëndia dërgoi engjëllin Gabriel+ në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,
27 te një virgjëreshë e fejuar me një burrë të quajtur Jozef, nga shtëpia e Davidit. Emri i virgjëreshës+ ishte Mari.+
28 Kur doli para saj, ai tha: «Tungjatjeta,+ o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai+ është me ty!»+
29 Por atë e turbulluan shumë këto fjalë dhe nisi të arsyetonte se ç’kuptim mund të kishte ajo përshëndetje.
30 Atëherë engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir+ nga Perëndia.
31 Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë+ dhe do t’ia vësh emrin Jezu.+
32 Ky do të jetë i madh+ dhe do të quhet Bir i Më të Lartit.+ Perëndia Jehova do t’i japë fronin+ e Davidit, të atit,+
33 ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.»+
34 Por Maria e pyeti engjëllin: «Si do të ndodhë kjo, kur unë s’kam pasur kurrë marrëdhënie+ me një burrë?»
35 Engjëlli iu përgjigj: «Fryma e shenjtë+ do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë,+ Bir i Perëndisë.+
36 Ja, edhe Elizabeta, e afërmja jote, është shtatzënë tani në pleqëri. Ajo që e quanin shterpë,+ është në muajin e gjashtë dhe do të lindë një djalë,
37 sepse Perëndia nuk do të lërë pa përmbushur asnjë fjalë që ka thënë.»+
38 Atëherë Maria tha: «Ja, skllavja e Jehovait!+ Le të më ndodhë sipas fjalës sate.» Dhe engjëlli u largua nga ajo.
39 Në ato ditë, Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në rajonin malor, në një qytet të Judës.
40 Atje hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën.
41 Sapo dëgjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja në barkun e Elizabetës hovi dhe Elizabeta u mbush me frymë të shenjtë.
42 Ajo lëshoi një britmë të fortë dhe tha: «E bekuar je mes grave dhe i bekuar+ është fryti i barkut tënd!
43 Ç’është ky privilegj për mua, që të vijë tek unë nëna e Zotërisë tim?+
44 Se ja, me të dëgjuar zërin tënd kur më përshëndete, foshnja në barkun tim hovi me hare të madhe.+
45 Lum edhe ajo që besoi, sepse ato që i tha Jehovai,+ do të përmbushen plotësisht!»+
46 Maria i tha: «Shpirti im madhëron Jehovain+
47 dhe fryma ime nuk mund të mos ngazëllohet+ për Perëndinë, Shpëtimtarin tim,+
48 sepse ai e pa pozitën e ulët të skllaves së tij.+ Ja, tani e tutje, të gjithë brezat do të më shpallin të lume.+
49 I Fuqishmi ka bërë gjëra të mëdha për mua, i shenjtë është emri i tij,+
50 dhe brez pas brezi e tregon mëshirën e tij për ata që i frikësohen.+
51 Me krahun e tij, ai ka bërë vepra të fuqishme+ dhe i ka shpërndarë andej-këtej ata që kanë në zemër synime fodulle.+
52 Ai i ka zbritur pushtetarët+ nga fronet dhe i ka lartësuar të përulurit,+
53 i ka ngopur të uriturit plot me të mira+ dhe i ka kthyer duarbosh ata që kishin pasuri.+
54 I ka ardhur në ndihmë Izraelit, shërbëtorit të vet,+ që të tregojë se e kujton premtimin për t’i treguar gjithmonë mëshirë+
55 Abrahamit dhe farës së tij, ashtu siç u tha paraardhësve tanë.»+
56 Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, dhe pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
57 Kur i erdhi koha, Elizabeta lindi një djalë.
58 Fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Jehovai i kishte treguar mëshirë të madhe+ dhe filluan të gëzoheshin+ bashkë me të.
59 Ditën e tetë ata shkuan të rrethpritnin fëmijën e vogël+ dhe donin t’i vinin emrin e të atit, Zakaria.
60 Por e ëma u tha: «Në asnjë mënyrë! Ai do të quhet Gjon.»
61 Atëherë i thanë: «Në farefisin tënd nuk ka asnjë me këtë emër.»
62 Pastaj nisën të pyetnin me shenja të atin se si donte të quhej.
63 Ai kërkoi një pllakë shkrimi dhe shkroi: «Emri i tij është Gjon.»+ Atëherë të gjithë u mrekulluan.
64 Në çast, Zakarisë iu hap goja,+ iu zgjidh gjuha dhe nisi të fliste e të bekonte Perëndinë.
65 Të gjithë ata që banonin në mëhallën e tyre, i zuri frika dhe për këto gjëra filloi të flitej në mbarë rajonin malor të Judesë.
66 Tërë ata që i dëgjuan, i vunë në zemër+ dhe thanë: «Ç’do të bëhet vallë ky fëmijë?» Sepse dora+ e Jehovait ishte vërtet me të.
67 Zakaria, i ati, u mbush me frymë të shenjtë+ dhe profetizoi:+
68 «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit,+ sepse i erdhi keq për popullin e vet+ dhe e çliroi.+
69 Ai ngriti për ne një bri+ që sjell shpëtim* në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të tij,
70 ashtu si kishte thënë që nga kohët e lashta+ me gojën e profetëve të tij të shenjtë,
71 që të na shpëtojë nga armiqtë dhe nga dora e të gjithë atyre që na urrejnë,+
72 që t’u tregojë mëshirë paraardhësve tanë dhe që të kujtojë besëlidhjen e tij të shenjtë,+
73 benë që i bëri Abrahamit, paraardhësit tonë,+
74 që, pasi të jemi çliruar nga duart e armiqve,+ të na japë privilegjin t’i bëjmë atij pa frikë shërbim të shenjtë,+
75 me besnikëri dhe drejtësi para tij për gjithë ditët tona.+
76 Kurse ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet i Më të Lartit, sepse do të shkosh përpara Jehovait, që të bësh gati udhët e tij,+
77 që t’i japësh popullit të tij njohuri se si mund të shpëtojnë me anë të faljes së mëkateve,+
78 në saje të dhembshurisë së butë të Perëndisë tonë. Falë kësaj dhembshurie, një agim+ do të na vizitojë nga lart,+
79 që t’u japë dritë atyre që ulen në errësirë dhe në hijen e vdekjes,+ që të drejtojë me sukses këmbët tona në udhën e paqes.»
80 Dhe fëmija rritej+ e forcohej në frymë. Ai qëndroi në shkretëtirë deri ditën kur iu shfaq hapur Izraelit.
Shënimet
^ Ose «një shpëtimtar të fuqishëm». Briri i një kafshe është përdorur shpesh në Bibël si simbol i forcës, fuqisë ose autoritetit.