Luka 14:1-35
14 Në një rast tjetër, një ditë sabati Jezui hyri në shtëpinë e njërit nga krerët e farisenjve për të ngrënë bukë,+ dhe ata po e vëzhgonin me kujdes.+
2 Përpara tij ishte një njeri, të cilit i mblidhte trupi ujë.
3 Prandaj Jezui i pyeti ata që e njihnin mirë Ligjin dhe farisenjtë: «A është e ligjshme të shërosh në sabat, apo jo?»+
4 Por ata heshtën. Atëherë ai e mori atë njeri, e shëroi dhe e la të shkonte.
5 Pastaj i pyeti ata: «Kush nga ju, po t’i binte i biri ose demi ditën e sabatit në pus,+ nuk do ta nxirrte menjëherë jashtë?»+
6 Ata nuk ishin në gjendje t’i kthenin përgjigje.+
7 Pastaj, kur vërejti se si ata zgjidhnin për vete kryet e vendit, u tregoi të ftuarve një ilustrim:+
8 «Kur dikush të fton në dasmë, mos u shtro në krye të vendit,+ se mund të ketë ftuar dikë më të nderuar se ti.
9 Përndryshe, ai që të ftoi ty dhe atë, do të vijë e do të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij.’ Atëherë do të shkosh i turpëruar të zësh vendin e fundit.+
10 Por kur të jesh i ftuar, shko dhe ulu në vendin e fundit,+ që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: ‘O mik, ngjitu më lart.’ Atëherë do të jesh i nderuar përpara gjithë mysafirëve të tjerë.+
11 Sepse, kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»+
12 Pastaj i tha edhe atij që e ftoi: «Kur të shtrosh ndonjë drekë a darkë, mos thirr miqtë, vëllezërit, farefisin ose fqinjët e pasur. Një ditë ndoshta të ftojnë edhe ata, dhe kështu ta shpërblejnë.
13 Por kur të shtrosh gosti, fto të varfrit, sakatët, të çalët dhe të verbrit.+
14 Atëherë do të jesh i lumtur, sepse ata s’kanë me se të ta shpërblejnë. Kështu do të shpërblehesh në ringjalljen+ e të drejtëve.»
15 Kur i dëgjoi këto fjalë, një nga mysafirët e tjerë i tha: «Lum ai që ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!»+
16 Jezui i tha: «Një njeri shtroi një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta.+
17 Kur erdhi ora e darkës, dërgoi skllavin e vet që t’u thoshte të ftuarve: ‘Ejani,+ sepse tani gjithçka është gati.’
18 Por ata iu përgjigjën të gjithë njësoj dhe i bënë bisht.+ I pari i tha: ‘Bleva një arë dhe më duhet të dal e ta shoh. Të lutem të më falësh.’+
19 Tjetri i tha: ‘Bleva pesë çifte qesh dhe po shkoj t’i kontrolloj. Të lutem të më falësh.’+
20 Një tjetër akoma i tha: ‘Sapo u martova,+ prandaj nuk vij dot.’
21 Kështu, skllavi vajti dhe ia tregoi të gjitha këto zotërisë. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua dhe i tha skllavit: ‘Dil shpejt nëpër udhët e gjera dhe rrugicat e qytetit, dhe sill këtu të varfrit, sakatët, të verbrit e të çalët.’+
22 Më vonë, skllavi tha: ‘Zotëri, bëra ç’më urdhërove, por akoma ka vend.’
23 Zotëria ia ktheu: ‘Dil nëpër rrugë+ dhe në vendet e rrethuara me gardh dhe detyroji të hyjnë, që shtëpia të mbushet.+
24 Sepse unë po ju them: asnjë nga ata njerëz që ishin ftuar, nuk do ta shijojë darkën time.’»+
25 Bashkë me Jezuin po udhëtonin turma të mëdha. Ai u kthye dhe u tha:
26 «Nëse dikush vjen tek unë dhe nuk e urren babanë, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, po, madje edhe shpirtin e vet,+ nuk mund të jetë dishepulli im.+
27 Ai që nuk e mban shtyllën e vet të torturës dhe nuk vjen pas meje, nuk mund të jetë dishepulli im.+
28 Për shembull, kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet,+ për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?
29 Përndryshe, mund t’i hedhë themelet, por mund të mos jetë në gjendje ta mbarojë. Atëherë të gjithë që e shohin, do të fillojnë ta tallin
30 dhe t’i thonë: ‘Ky njeri nisi të ndërtonte, por nuk ishte në gjendje ta mbaronte.’
31 Ose, cili mbret që marshon për të dalë në luftë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë që të këshillohet nëse është në gjendje t’i bëjë ballë me dhjetë mijë trupa atij që i vjen kundër me njëzet mijë?+
32 Në të vërtetë, nëse nuk ia del dot, dërgon një trup ambasadorësh dhe kërkon paqe,+ ndërkohë që tjetri është ende larg.
33 Prandaj të jeni të sigurt se asnjë nga ju që nuk ndahet nga të gjitha zotërimet e veta,+ nuk mund të jetë dishepulli im.
34 Sigurisht që kripa është e mirë. Por sikur edhe kripa ta humbasë kripësinë, me se do të ndreqet shija e saj?+
35 Ajo s’vlen as për tokën, as për pleh, por hidhet jashtë. Kush ka veshë, le të dëgjojë.»+