Luka 15:1-32
15 Të gjithë taksambledhësit+ dhe mëkatarët+ i afroheshin pranë për ta dëgjuar.
2 Prandaj, farisenjtë dhe skribët murmuritnin: «Ky njeri i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta.»+
3 Atëherë ai u tha këtë ilustrim:
4 «Cili nga ju po të ketë njëqind dele dhe t’i humbasë njëra, nuk do t’i lërë nëntëdhjetë e nëntë mbrapa në shkretëtirë, që të shkojë pas së humburës derisa ta gjejë?+
5 Pasi e gjen, ai e vë mbi supe dhe gëzohet.+
6 Kur mbërrin në shtëpi, mbledh miqtë dhe fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen që më kishte humbur.’+
7 Unë ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet,+ sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që s’kanë nevojë të pendohen.+
8 Ose cila grua po të ketë dhjetë drahma dhe t’i humbasë një drahmë, nuk do të ndezë një llambë, do të fshijë shtëpinë e do të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë?
9 Pasi e gjen, mbledh mikeshat dhe fqinjët e saj e u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta drahmën që kisha humbur.’
10 Unë po ju them se kështu gëzohen engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet.»+
11 Pastaj tha: «Një njeri kishte dy djem.+
12 Më i vogli i tha të atit: ‘Atë, më jep pjesën e pronës që më takon.’+ Atëherë ai ua ndau atyre pasurinë e vet.+
13 Nuk kishin kaluar shumë ditë dhe djali më i vogël mblodhi gjithçka dhe mori udhën për në dhé të huaj, në një vend të largët. Atje e harxhoi kot pasurinë e vet, duke bërë një jetë të shfrenuar.+
14 Pasi shpenzoi çdo gjë, në mbarë vendin ra një zi buke e rëndë, dhe ai u gjend ngushtë.
15 Madje, shkoi e iu qep një qytetari të atij vendi, i cili e dërgoi të kulloste derrat në arat e veta.+
16 Djali dëshironte të ngopej me bishtajat e çiçibanozit që hanin derrat, por askush nuk i jepte gjë.+
17 Kur erdhi në vete, ai tha: “Sa mëditës të atit tim kanë bukë me bollëk, kurse unë këtu po vdes nga uria?!
18 Do të ngrihem, do të shkoj+ tek im atë dhe do t’i them: ‘Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje.+
19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir. Bëmë si një nga mëditësit e tu.’”
20 Kështu, u ngrit dhe shkoi tek i ati. Kur ishte ende larg, i ati e vuri re dhe, i shtyrë nga keqardhja, vrapoi, iu hodh në qafë dhe e puthi me butësi.
21 Atëherë i biri i tha: ‘Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje.+ Nuk jam më i denjë të quhem yt bir. Bëmë si një nga mëditësit e tu.’+
22 Por i ati u tha skllevërve të vet: ‘Shpejt, sillni një petk të gjatë, më të mirin, dhe vishjani,+ vërini një unazë+ në dorë dhe mbathini sandale në këmbë.
23 Pastaj sillni viçin e majmë,+ thereni dhe le të hamë e të gëzohemi,
24 sepse ky im bir ishte i vdekur dhe u kthye përsëri në jetë,+ ishte i humbur dhe u gjet.’ Kështu ata nisën të gëzoheshin.
25 Ndërkohë, djali më i madh+ ishte në arë. Kur iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.
26 Prandaj, thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeti se ç’po ndodhte.
27 Ai iu përgjigj: ‘Është kthyer yt vëlla+ dhe yt atë+ theri viçin e majmë, sepse ai erdhi shëndoshë e mirë.’
28 Por ky u zemërua dhe nuk donte të hynte. Atëherë doli i ati dhe nisi t’i përgjërohej.+
29 Djali i tha të atit: ‘Kam kaq vjet që të shërbej si skllav dhe nuk e kam shkelur kurrë urdhërimin tënd, e megjithatë asnjëherë nuk më dhe qoftë edhe një kec që të gëzohesha me miqtë e mi.+
30 Por, me t’u kthyer ky yt bir,+ që e hëngri pasurinë tënde me prostitutat,+ ti there për të viçin e majmë.’+
31 I ati iu përgjigj: ‘O bir, ti ke qenë gjithnjë me mua dhe gjithçka imja është edhe jotja,+
32 por ne duhej të gëzoheshim e të ngazëllonim medoemos, sepse ky yt vëlla ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, ishte i humbur dhe u gjet.’»+