Luka 4:1-44
4 Plot me frymë të shenjtë, Jezui u largua nga Jordani dhe fryma e çoi tutje-tëhu nëpër shkretëtirë+
2 për dyzet ditë+ dhe u tundua+ nga Djalli. Veç kësaj, ai nuk hëngri asgjë ato ditë, prandaj, kur ato përfunduan, e mori uria.
3 Atëherë Djalli i tha: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.»
4 Por Jezui ia ktheu: «Është shkruar: ‘Njeriu s’jeton vetëm me bukë.’»+
5 Pastaj, Djalli e çoi lart dhe për një çast i tregoi gjithë mbretëritë e tokës së banuar
6 dhe i tha: «Unë do të të jap autoritet+ mbi të gjitha këto dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë, dhe unë ia jap kujtdo që dua.+
7 Prandaj, nëse bën një akt+ adhurimi përpara meje, do të jetë i gjithi yti.»
8 Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd,+ adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’»+
9 Pastaj e shpuri në Jerusalem, e çoi te bedenat+ e tempullit dhe i tha: «Nëse je bir i Perëndisë, hidhu poshtë që këtu,+
10 sepse është shkruar: ‘Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty, dhe ata do të të ruajnë’+
11 dhe ‘ata do të të mbajnë në duar, që këmba jote të mos përplaset kurrë në asnjë gur.’»+
12 Jezui ia ktheu: «Është thënë: ‘Mos e vër në provë Jehovain, Perëndinë tënd.’»+
13 Atëherë, pasi mbaroi çdo tundim, Djalli u largua nga ai, duke pritur një kohë tjetër të volitshme.+
14 Me fuqinë e frymës, Jezui u kthye në Galile,+ dhe për të u përhapën fjalë të mira në gjithë vendin përreth.+
15 Ai filloi të mësonte nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e nderonin.+
16 Pastaj vajti në Nazaret,+ ku ishte rritur, dhe siç e kishte zakon ditën e sabatit, hyri në sinagogë+ e u çua që të lexonte.
17 Atëherë i zgjatën rrotullën e profetit Isaia. Ai e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18 «Fryma e Jehovait+ është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve, më dërgoi që t’u predikoj çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve, që të çliroj të dërrmuarit+
19 dhe të predikoj vitin e pranimit nga Jehovai.»+
20 Pastaj, e mbështolli rrotullën, ia ktheu shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë ata që ishin në sinagogë, ia kishin ngulur sytë me vëmendje.
21 Atëherë ai nisi t’u thoshte: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat, u përmbush.»+
22 Të gjithë filluan të dëshmonin në favor të tij dhe mrekulloheshin me fjalët plot hir+ që i dilnin nga goja e thoshin: «A nuk është bir i Jozefit ky?»+
23 Atëherë ai u tha: «Pa dyshim që do ta lidhni me mua këtë thënie: ‘Mjek,+ shëro veten. Ato+ që dëgjuam se kanë ndodhur në Kapernaum,+ bëji edhe këtu në vendin tënd.’»+
24 Por ai tha: «Vërtet po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendin e vet.
25 Për shembull: në ditët e Elijas, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe në gjithë vendin ra një zi e madhe buke, në Izrael kishte shumë vejusha,+
26 e megjithatë Elija nuk u dërgua tek asnjëra nga ato, por vetëm te një vejushë në Zarefat,+ në vendin e Sidonit.
27 Gjithashtu, në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael, e megjithatë nuk u pastrua asnjë nga ata, por vetëm Naamani nga Siria.»+
28 Të gjithë ata që po i dëgjonin këto fjalë në sinagogë, u mbushën me zemërim,+
29 u ngritën, e nxorën me nxitim jashtë qytetit dhe e çuan në thepin e malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin poshtë.+
30 Por ai kaloi përmes tyre dhe vazhdoi rrugën.+
31 Pastaj zbriti në Kapernaum,+ një qytet i Galilesë. Nisi t’i mësonte në sabat
32 dhe njerëzit mahniteshin me mënyrën se si mësonte,+ sepse ai fliste me autoritet.+
33 Në sinagogë ndodhej një njeri që kishte një frymë të ndyrë,+ një demon, dhe ai bërtiti me zë të lartë:
34 «Ah! Ç’punë kemi ne me ty,+ o Jezu nazareas?+ Erdhe të na shkatërrosh? Unë e di+ shumë mirë cili je ti: i Shenjti i Perëndisë.»+
35 Por Jezui e qortoi: «Hesht dhe dil nga ai.» Atëherë demoni e përplasi njeriun përtokë në mes tyre dhe doli nga ai pa i bërë asnjë dëm.+
36 Të gjithë u mahnitën dhe nisën të bisedonin me njëri-tjetrin: «Shikoni se si flet! I urdhëron frymërat e ndyra me autoritet e fuqi, dhe ato dalin!»+
37 Kështu fjala për të përhapej në çdo cep të vendit përreth.+
38 Pastaj ai u ngrit, doli nga sinagoga dhe hyri në shtëpinë e Simonit. Mirëpo vjehrra e Simonit kishte ethe të forta, dhe ata iu lutën për të.+
39 Atëherë ai u përkul mbi të, i qortoi ethet,+ dhe ato e lanë. Në çast, ajo u ngrit dhe zuri t’u shërbente.+
40 Kur po perëndonte dielli, njerëzit çuan tek ai të gjithë ata që ishin të sëmurë me lëngata të ndryshme. Ai vinte duart mbi secilin dhe i shëronte.+
41 Nga shumë veta dilnin edhe demonë,+ që thërritnin: «Ti je Biri+ i Perëndisë.» Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flitnin,+ sepse ata e dinin+ që ishte Krishti.+
42 Kur zbardhi dita, ai doli dhe shkoi drejt një vendi të vetmuar.+ Mirëpo turmat nisën ta kërkonin, shkuan deri tek ai dhe u përpoqën ta mbanin, që të mos ikte.
43 Kurse ai u tha: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.»+
44 Prandaj, vazhdoi të predikonte nëpër sinagogat e Judesë.+