Marku 1:1-45
1 Fillimi i lajmit të mirë për Jezu Krishtin:
2 Sikurse është shkruar në librin e profetit Isaia: «(Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, që do të përgatitë udhën tënde.)*+
3 Dëgjoni! Dikush po thërret në shkretëtirë: ‘Përgatitni udhën e Jehovait! Bëjini të drejta rrugët e tij!’»+
4 Gjoni që pagëzonte, ishte në shkretëtirë dhe predikonte pagëzimin si simbol të pendimit për faljen e mëkateve.+
5 Kështu, gjithë territori i Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit shkuan tek ai. Ai i pagëzoi në lumin Jordan, dhe ata rrëfyen hapur mëkatet e tyre.+
6 Gjoni ishte veshur me një rrobë me lesh deveje dhe kishte një brez lëkure rreth ijëve.+ Hante karkaleca+ dhe mjaltë.*+
7 Ai predikonte: «Pas meje po vjen një më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të kërrusem e t’i zgjidh lidhëset e sandaleve.+
8 Unë ju pagëzova me ujë, kurse ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë.»+
9 Ato ditë, Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua në Jordan nga Gjoni.+
10 Sapo doli nga uji, Jezui pa qiejt të hapeshin dhe frymën të zbriste mbi të porsi një pëllumb.+
11 Nga qiejt u dëgjua një zë: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.»+
12 Menjëherë fryma e shtyu që të shkonte në shkretëtirë.+
13 Ai qëndroi dyzet ditë+ në shkretëtirë dhe u tundua nga Satanai.+ Ishte bashkë me kafshët e egra, dhe engjëjt i shërbenin.+
14 Pasi Gjoni u arrestua, Jezui hyri në Galile+ dhe predikonte lajmin e mirë të Perëndisë:+
15 «Koha e caktuar është përmbushur+ dhe mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni+ dhe kini besim te lajmi i mirë.»
16 Kur po ecte përgjatë detit të Galilesë, pa Simonin+ dhe Andrean, vëllanë e Simonit, që po hidhnin rrjetat në det, sepse ishin peshkatarë.+
17 Jezui u tha: «Ejani pas meje, dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.»+
18 Ata i braktisën menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.+
19 Më tutje pa Jakovin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkën e tyre, që po ndreqnin rrjetat,+
20 dhe i thirri menjëherë. Atëherë, ata e lanë të atin, Zebedeun, te barka bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.
21 Pastaj hynë në Kapernaum.+Sapo erdhi sabati, Jezui hyri në sinagogë dhe filloi të mësonte.
22 Njerëzit mahniteshin me mënyrën se si mësonte,+ sepse ai mësonte si një që ka autoritet e jo si skribët.+
23 Në atë çast, në sinagogën e tyre gjendej një njeri nën fuqinë e një fryme të ndyrë, që bërtiti:+
24 «Ç’punë kemi ne me ty, o Jezu nazareas?+ Erdhe të na shkatërrosh? Unë e di+ shumë mirë cili je ti: i Shenjti+ i Perëndisë.»+
25 Por Jezui e qortoi: «Hesht dhe dil nga ai!»+
26 Atëherë fryma e ndyrë, pasi e përpëliti dhe ulëriti fort, doli nga ai.+
27 Njerëzit ishin kaq të befasuar, saqë nisën të diskutonin me njëri-tjetrin e të thoshin: «Ç’është ky, vallë? Një mësim i ri! Ai i urdhëron me autoritet edhe frymërat e ndyra, e ato i binden.»+
28 Kështu lajmi për të u përhap menjëherë në mbarë vendin përqark Galilesë.+
29 Ata dolën menjëherë nga sinagoga dhe shkuan në shtëpinë e Simonit+ e të Andreas. Bashkë me ta ishin edhe Jakovi me Gjonin.
30 Mirëpo vjehrra e Simonit+ dergjej në shtrat nga ethet,+ dhe ata i treguan menjëherë për të.
31 Ai iu afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Atë e lanë ethet+ dhe zuri t’u shërbente.+
32 Kur ishte ngrysur, pas perëndimit të diellit, njerëzit filluan të çonin tek ai gjithë të sëmurët+ dhe ata që ishin të pushtuar nga demonët.+
33 Tërë qyteti ishte mbledhur para derës.
34 Ai shëroi shumë nga ata që kishin sëmundje të ndryshme+ dhe dëboi shumë demonë. Por nuk i linte demonët të flitnin, sepse ata e dinin që ishte Krishti.+
35 Në të gdhirë, ende pa zbardhur mirë, ai u çua, doli jashtë dhe shkoi në një vend të vetmuar,+ e atje nisi të lutej.+
36 Por Simoni dhe ata që ishin me të, iu qepën nga pas.
37 Kur e gjetën, i thanë: «Po të kërkojnë të gjithë.»
38 Por ai ua ktheu: «Le të shkojmë diku gjetkë, në qytezat këtej afër, që të predikoj+ edhe atje, sepse për këtë qëllim kam ardhur.»+
39 Kështu shkoi dhe predikonte në sinagogat e tyre përqark mbarë Galilesë, dhe dëbonte demonët.+
40 Erdhi edhe një i lebrosur, që i përgjërohej në gjunjë dhe i thoshte: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.»+
41 I shtyrë nga keqardhja,+ ai shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu.»+
42 Lebra iu zhduk menjëherë, dhe ai u pastrua.+
43 Veç kësaj, ai e urdhëroi rreptësisht, e largoi menjëherë
44 dhe i tha: «Shiko se mos i tregon gjë njeriu! Por shko, paraqitu te prifti+ dhe jep për pastrimin tënd ato që urdhëroi Moisiu,+ si një dëshmi për ta.»+
45 Por ai, pasi iku, filloi ta shpallte me të madhe dhe ta përhapte fjalën kudo, aq sa Jezui nuk mund të hynte më haptas në ndonjë qytet, por qëndronte jashtë në vende të vetmuara. Prapëseprapë, tek ai shkonin njerëz nga çdo anë.+