Marku 11:1-33
11 Kur po i afroheshin Jerusalemit, Betfagës dhe Betanisë,+ te Mali i Ullinjve, ai nisi dy nga dishepujt e tij+
2 dhe u tha: «Shkoni në fshatin përballë dhe, sapo të hyni atje, do të gjeni një kërriç të lidhur, të cilit nuk i ka hipur ende njeri. Zgjidheni dhe silleni.+
3 Nëse ndokush ju pyet: ‘Ç’po bëni kështu?’, i thoni: ‘I duhet Zotërisë, por do ta kthejë shpejt.’»+
4 Ata ikën, e gjetën kërriçin të lidhur te dera, jashtë në rrugën anësore, dhe e zgjidhën.+
5 Por disa nga ata që po rrinin atje, i pyetën: «Pse po e zgjidhni kërriçin?»+
6 Ata iu përgjigjën ashtu siç u kishte thënë Jezui, dhe ata i lanë të iknin.+
7 Ia çuan kërriçin+ Jezuit, vunë mbi të veshjet e tyre, dhe ai hipi në të.+
8 Shumë të tjerë i shtruan veshjet+ e veta në rrugë, kurse të tjerët prenë nëpër fusha degë me gjethe.+
9 Edhe ata që shkonin përpara, edhe ata që vinin pas, thërritnin: «Shpëtoje, të lutemi!+ I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!+
10 E bekuar është mbretëria që po vjen e atit tonë David!+ Shpëtoje, të lutemi ty atje lart në qiell!»
11 Ai hyri në Jerusalem, në tempull. Shikoi rreth e rrotull çdo gjë dhe, meqë ishte bërë vonë, iku në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.+
12 Të nesërmen, kur kishin dalë nga Betania, atë e mori uria.+
13 Nga larg vuri re një fik që kishte gjethe, prandaj shkoi të shihte se mos gjente gjë. Por, kur iu afrua, nuk gjeti gjë veç gjetheve, sepse nuk ishte stina e fiqve.+
14 Prandaj tha: «Mos ngrëntë njeri kurrë më fryt prej teje, përgjithmonë!»+ Dishepujt po e dëgjonin.
15 Pastaj mbërritën në Jerusalem. Ai hyri në tempull, nisi të flakte jashtë ata që shitnin e blinin atje, përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shitnin pëllumba.+
16 Nuk linte askënd që të mbartte pajisje nëpër tempull,
17 por mësonte dhe thoshte: «A nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje+ për të gjitha kombet.’+ Kurse ju e keni bërë shpellë kusarësh.»+
18 Krerët e priftërinjve dhe skribët e dëgjuan, dhe filluan të kërkonin ndonjë mënyrë se si ta vritnin.+ Ata kishin frikë nga ai, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij.+
19 Kur u ngrys, ata dolën nga qyteti.
20 Të nesërmen e asaj dite, në të gdhirë, ata panë fikun që tashmë ishte tharë nga rrënjët.+
21 Kështu Pjetrit iu kujtua dhe i tha: «Rabi, shiko! Fiku që mallkove, është tharë.»+
22 Jezui u përgjigj: «Kini besim te Perëndia.
23 Vërtet po ju them se kushdo që i thotë këtij mali: ‘Ngrihu dhe hidhu në det’ e nuk dyshon në zemër, por ka besim se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet.+
24 Prandaj po ju them: për gjithçka që luteni dhe kërkoni, kini besim sikur ta kishit marrë, dhe do ta merrni.+
25 Kur rrini në këmbë dhe luteni, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni,+ që edhe Ati juaj që është në qiej, t’jua falë shkeljet.»+
26 ——*
27 Ata vajtën përsëri në Jerusalem. Ndërsa ai ecte në tempull, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë iu afruan+
28 dhe nisën ta pyetnin: «Me ç’autoritet i bën këto gjëra? Kush ta dha autoritetin për t’i bërë këto gjëra?»+
29 Jezui iu përgjigj: «Do t’ju bëj vetëm një pyetje. Po m’u përgjigjët, edhe unë do t’ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.+
30 Pagëzimi+ që bënte Gjoni, ishte nga qielli apo nga njerëzit? M’u përgjigjni.»+
31 Prandaj, ata zunë të arsyetonin me njëri-tjetrin: «Po të themi: ‘Nga qielli’, ai do të thotë: ‘Përse, pra, nuk i besuat?’+
32 Por, a guxojmë të themi: ‘Nga njerëzit’?» . . . Ata kishin frikë nga turma, sepse të gjithë mendonin se Gjoni kishte qenë vërtet profet.+
33 Prandaj iu përgjigjën Jezuit: «Nuk e dimë.» Edhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them me ç’autoritet i bëj këto gjëra.»+