Marku 16:1-20
16 Kur kaloi sabati,+ Maria-Magdalena+ me Marinë, nënën e Jakovit, dhe me Salomën blenë erëza që të shkonin ta lyenin.+
2 Ditën e parë të javës ato vajtën te varri* shumë herët,+ kur dielli kishte dalë.+
3 Dhe i thoshin njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?»
4 Por, kur ngritën sytë, panë që guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.+
5 Kur hynë në varr, panë një të ri të veshur me një petk të gjatë të bardhë, të ulur në anën e djathtë, dhe u shtangën.+
6 Ai u tha: «Mjaft u shtangët. Ju po kërkoni Jezuin, nazareasin, që u vu në shtyllë.+ Ai u ngrit+ dhe nuk është këtu. Ja, vendi ku e vunë.+
7 Tani shkoni, tregojuni dishepujve të tij dhe Pjetrit: ‘Ai po shkon përpara jush në Galile.+ Atje do ta shihni, ashtu siç ju tha.’»+
8 Kështu, ato dolën dhe u larguan nga varri, sepse po i pushtonte një e dridhur dhe një emocion i fortë. Dhe nuk i thanë gjë askujt, sepse ishin të frikësuara.+
PËRFUNDIM I SHKURTËR
Disa dorëshkrime dhe versione të mëvonshme përmbajnë pas Markut 16:8 një përfundim të shkurtër, si më poshtë:
Të gjitha urdhërimet që kishin marrë, ata ua treguan shkurtimisht atyre që ishin rreth Pjetrit. Veç kësaj, pas këtyre gjërave, vetë Jezui dërgoi nëpërmjet tyre, nga lindja në perëndim, shpalljen e shenjtë dhe të paprishshme të shpëtimit të përhershëm.
PËRFUNDIM I GJATË
Disa dorëshkrime (Kodiku Aleksandrin, Kodiku Efraemi, Kodiku Bezae) dhe versione të lashta (Vulgata Latine, Kuretonian Siriak, Peshitta Siriake) shtojnë përfundimin e gjatë vijues, kurse Kodiku Sinaitik, Kodiku i Vatikanit, Kodiku Sinaitik Siriak dhe Versioni Armen nuk e përmbajnë:
9 Ai u ngrit nga të vdekurit herët ditën e parë të javës dhe iu shfaq së pari Maria-Magdalenës, nga e cila kishte dëbuar shtatë demonë.
10 Ajo shkoi dhe ua çoi lajmin atyre që kishin qenë me të, sepse ata po vajtonin e po qanin.
11 Por, kur dëgjuan se ai ishte kthyer në jetë dhe se ajo e kishte parë, ata nuk besuan.
12 Pastaj, ai iu shfaq në një tjetër formë dy prej tyre, që po ecnin udhës e po shkonin në fushë.
13 Ata u kthyen dhe ua çuan lajmin të tjerëve, por as këtyre nuk u besuan.
14 Më vonë ai iu shfaq vetë të njëmbëdhjetëve, kur ishin shtruar në tryezë, dhe i qortoi për mungesën e besimit dhe për zemërgurësinë e tyre, sepse nuk u besuan atyre që e kishin parë të ngritur nga të vdekurit.
15 Dhe u tha: «Shkoni në gjithë botën dhe predikojani lajmin e mirë gjithë krijesës.
16 Kush beson dhe pagëzohet, do të shpëtojë, por, kush nuk beson, do të dënohet.
17 Ata që besojnë, do të shoqërohen nga këto shenja: do të dëbojnë demonë në emrin tim, do të flasin gjuhë të huaja,
18 do të kapin gjarpërinj me duar dhe, nëse pinë ndonjë gjë vdekjeprurëse, ajo nuk do t’i dëmtojë fare. Do të vënë duart mbi të sëmurët, dhe këta do të shërohen.»
19 Kështu, pasi u foli, Zotëria Jezu u mor në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë.
20 Kurse ata shkuan dhe predikuan gjithandej, ndërsa Zotëria vepronte me ta dhe e mbështeste lajmin me shenja të ndryshme.