Marku 3:1-35
3 Ai hyri përsëri në një sinagogë, dhe atje ishte një njeri me dorë të tharë.+
2 Farisenjtë po e vëzhgonin me kujdes, për të parë a do ta shëronte në sabat, dhe kështu ta akuzonin.+
3 Ai i tha njeriut me dorë të tharë: «Ngrihu dhe dil në mes.»
4 Pastaj i pyeti: «Cilat vepra është e ligjshme të bëhen në sabat: të mira apo të këqija, ta shpëtosh një shpirt apo ta vrasësh?»+ Mirëpo ata heshtën.
5 Pasi pa rreth e rrotull me indinjatë, krejt i hidhëruar për zemrën e tyre të pandjeshme,+ Jezui i tha njeriut: «Shtrije dorën!» Ai e shtriu dhe dora iu shërua.+
6 Në këto fjalë e sipër, farisenjtë dolën dhe menjëherë filluan të këshilloheshin kundër tij me ithtarët e partisë së Herodit,+ për ta vrarë.+
7 Por Jezui bashkë me dishepujt u largua drejt detit, dhe një turmë e madhe nga Galilea dhe Judea e ndoqi.+
8 Me të dëgjuar se sa gjëra po bënte, tek ai erdhën edhe një turmë e madhe nga Jerusalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit dhe nga rrethinat e Tirit+ e të Sidonit.
9 Ai u tha dishepujve që të kishin gjithnjë gati një barkë të vogël për të, që turma të mos e shtynte.
10 Sepse ai shëroi shumë veta, prandaj të gjithë ata që kishin sëmundje të rënda, vërsuleshin për ta prekur.+
11 Edhe frymërat e ndyra+ kur e shihnin, binin përpara tij dhe thërritnin: «Ti je Biri i Perëndisë.»+
12 Por shumë herë ai i urdhëroi rreptësisht të mos tregonin për të.+
13 Pastaj Jezui u ngjit në një mal, thirri ata që dëshironte,+ dhe ata shkuan tek ai.+
14 Zgjodhi dymbëdhjetë veta dhe i quajti «apostuj», që të qëndronin me të, t’i dërgonte për të predikuar+
15 dhe të kishin autoritet për të dëbuar demonët.+
16 Në këtë grup me dymbëdhjetë veta ishin: Simoni, të cilin ai e mbiquajti Pjetër,+
17 Jakovi, i biri i Zebedeut, Gjoni, vëllai i Jakovit,+ (këta i mbiquajti Boanerges, që do të thotë «Bij të bubullimës»),
18 Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakovi, i biri i Alfeut, Tadeu, Simon i zellshmi*
19 dhe Judë Iskarioti, i cili më vonë e tradhtoi.+Pastaj shkoi në një shtëpi.
20 Turma u mblodh përsëri, dhe ata nuk mundën të hanin as bukë.+
21 Mirëpo, kur e morën vesh njerëzit e vet,+ dolën ta kapnin, sepse thoshin: «Ai ka luajtur mendsh.»+
22 Edhe skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: «Ai ka Belzebubin dhe i dëbon demonët me anë të sundimtarit të demonëve.»+
23 Por ai i thirri pranë dhe nisi t’u thoshte me ilustrime: «Si mund të dëbojë Satanai Satanain?
24 E pra, nëse një mbretëri përçahet, nuk qëndron dot.+
25 Edhe një shtëpi nëse përçahet, nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë.+
26 Po ashtu, nëse Satanai është çuar kundër vetes dhe është përçarë, nuk qëndron dot, por po i vjen fundi.+
27 Në të vërtetë, askush që futet në shtëpinë e një njeriu të fortë, nuk mund ta plaçkitë,+ po të mos e lidhë më parë atë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.+
28 Vërtet po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet gjithçka, pavarësisht ç’mëkate bëjnë dhe ç’blasfemi thonë.+
29 Por, kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të ketë falje kurrën e kurrës. Ai është fajtor për mëkat të përhershëm.»+
30 Ua tha këtë sepse ata thoshin: «Ai ka një frymë të ndyrë.»+
31 Ndërkohë, erdhën nëna dhe vëllezërit e tij.+ Ata qëndruan jashtë dhe dërguan dikë tek ai që ta thërriste.+
32 Mirëpo atë e kishte rrethuar një turmë, prandaj i thanë: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë.»+
33 Por ai u përgjigj: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?»+
34 Pastaj, shikoi rreth e qark nga ata që ishin ulur përreth dhe tha: «Shikoni, ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!+
35 Vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Perëndisë.»+
Shënimet
^ Fjala aramaike kananen do të thotë «i zellshëm».