Marku 5:1-43
5 Pastaj mbërritën në anën tjetër të detit, në vendin e gerazenëve.+
2 Menjëherë pasi zbriti nga barka, nga varret* erdhi një njeri që ishte nën fuqinë e një fryme të ndyrë.+
3 Ai strehohej mes varreve dhe deri në atë kohë askush nuk kishte mundur ta lidhte, as me zinxhir.
4 Shpeshherë e kishin lidhur me hekura e zinxhirë, por zinxhirët i kishte këputur dhe hekurat i kishte bërë copë-copë. Askush nuk kishte forcë ta bënte zap.
5 Vazhdimisht, natë e ditë, ai thërriste nëpër varre e mbi male dhe e gjakoste veten me gurë.
6 Por, sapo vuri re Jezuin nga larg, vrapoi dhe i bëri nderime.
7 Pasi thërriti me zë të lartë,+ tha: «Ç’punë kam unë me ty, o Jezu, Bir i Perëndisë Më të Lartë?+ Të vë në be+ për Perëndinë, të mos më torturosh.»+
8 Sepse Jezui i kishte thënë: «Dil nga ai njeri, ti frymë e ndyrë!»+
9 Pastaj nisi ta pyeste: «Si e ke emrin?» Dhe ai iu përgjigj: «Legjion,+ sepse jemi shumë.»+
10 Pastaj iu përgjërua shumë herë që të mos i dërgonte frymërat jashtë vendit.+
11 Aty ndanë malit po kulloste+ një tufë e madhe me derra.+
12 Kështu, ata iu përgjëruan: «Na dërgo te derrat dhe na lejo të hyjmë tek ata.»
13 Atëherë ai i lejoi. Frymërat e ndyra dolën dhe hynë te derrat. Tufa u turr drejt buzës së greminës dhe ra në det. Ishin rreth dy mijë krerë dhe u mbytën njëri pas tjetrit në det.+
14 Kurse çobanët e tyre ikën dhe e çuan lajmin në qytet e në fusha, prandaj njerëzit erdhën të shihnin se ç’kishte ndodhur.+
15 Erdhën te Jezui dhe e panë njeriun e pushtuar nga demonët, atë që kishte pasur legjionin, të ulur, të veshur e me mendje të shëndoshë. Dhe u frikësuan.
16 Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre se ç’kishte ndodhur me të pushtuarin nga demonët, si edhe për derrat.
17 Atëherë ata filluan t’i përgjëroheshin që të ikte nga viset e tyre.+
18 Kur ai po hipte në barkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga demonët, nisi t’i përgjërohej që të shkonte me të.+
19 Por Jezui nuk e la dhe i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu+ dhe tregoju të gjitha ato që Jehovai+ bëri për ty dhe si pati mëshirë+ për ty.»
20 Ai iku dhe filloi të shpallte në Dekapoli+ tërë ato që bëri Jezui për të. Kështu të gjithë njerëzit nisën të çuditeshin.+
21 Kur Jezui kaloi sërish me barkë në bregun tjetër, një turmë e madhe u mblodh pranë tij. Ai ishte buzë detit.+
22 Erdhi një nga të parët e sinagogës, me emrin Jair, dhe, kur e pa, i ra ndër këmbë,+
23 iu përgjërua shumë herë e i tha: «Vajza ime e vogël është shumë rëndë. Të lutem, eja e vër duart+ mbi të, që të shërohet e të jetojë.»+
24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej pas tij.+
25 Aty ishte një grua që kishte dymbëdhjetë vjet+ që s’i pushonte rrjedhja e gjakut.+
26 Ajo kishte vuajtur së tepërmi nga shumë mjekë+ dhe kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj, por nuk kishte parë asnjë dobi, përkundrazi, ishte bërë më keq.
27 Kur dëgjoi për Jezuin, ajo u afrua nga prapa përmes turmës dhe i preku+ rrobën,
28 sepse thoshte: «Sikur vetëm rrobat t’i prek, do të shërohem.»+
29 Prandaj, menjëherë rrjedhja e gjakut u ndal, dhe ajo e ndjeu në trup se u shërua nga sëmundja e rëndë.+
30 Edhe Jezui e kuptoi menjëherë se nga ai kishte dalë fuqi,+ prandaj u kthye nga turma dhe pyeti: «Kush m’i preku rrobat?»+
31 Por dishepujt iu përgjigjën: «A nuk e sheh turmën që po shtyhet pas teje?+ Si thua: ‘Kush më preku?’»
32 Megjithatë, ai po shikonte rreth e rrotull që të shihte atë që e preku.
33 Por gruaja, e trembur dhe duke u dridhur, duke e ditur ç’i kishte ndodhur, erdhi e ra përmbys para tij dhe i tregoi gjithë të vërtetën.+
34 Ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe+ dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi!»+
35 Ai ishte ende duke folur, kur nga shtëpia e të parit të sinagogës erdhën disa burra dhe thanë: «Vajza jote vdiq! Përse ta bezdisësh akoma mësuesin?»+
36 Por, me t’i kapur veshi këto fjalë, Jezui i tha të parit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm trego besim.»+
37 Pastaj nuk la asnjë që ta ndiqte, përveç Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit, vëllait të Jakovit.+
38 Kur arritën në shtëpinë e të parit të sinagogës, ai pa rrëmujën dhe njerëzit që qanin e vajtonin shumë.
39 Pasi hyri brenda, u tha atyre: «Ç’është kjo rrëmujë dhe pse po qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle.»+
40 Atëherë ata nisën ta qeshnin me qesëndi. Mirëpo ai i nxori të gjithë jashtë, mori me vete të atin dhe të ëmën e fëmijës, bashkë me ata që ishin me të, dhe hyri aty ku ishte fëmija.+
41 E kapi fëmijën për dore dhe i tha: «Tálitha kúmi», që e përkthyer do të thotë: «Vashëz, po të them: ngrihu!»+
42 Menjëherë vashëza u ngrit e nisi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeçe. Sakaq ata mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh.+
43 Por, ai i urdhëroi shumë herë që askush të mos e merrte vesh.+ Pastaj u tha t’i jepnin asaj diçka për të ngrënë.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «varr që shërben për të kujtuar të vdekurit».