Marku 7:1-37
7 Tani, farisenjtë dhe disa nga skribët që kishin ardhur nga Jerusalemi, u mblodhën rreth tij+
2 dhe panë disa nga dishepujt e tij që hanin bukë me duar të ndotura, pra të palara.+
3 Mirëpo farisenjtë dhe të gjithë judenjtë, ngaqë mbajnë fort traditën e të parëve, nuk hanë po të mos i lajnë duart deri në bërryl
4 dhe, kur kthehen nga pazari, nuk hanë po të mos pastrohen duke u spërkatur me ujë. Ata mbajnë fort edhe shumë tradita të tjera:+ zhytjen në ujë të kupave, të brokave dhe të enëve prej bakri.+
5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: «Përse dishepujt e tu nuk e mbajnë traditën e të parëve, por hanë me duar të ndotura?»+
6 Ai iu përgjigj: «Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë:+ ‘Ky popull më nderon me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë nga unë.+
7 Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.’+
8 Ju lini urdhërimin e Perëndisë, por mbani fort traditën e njerëzve.»+
9 Ai iu tha akoma: «Ju jeni të shkathët për të shpërfillur urdhërimin+ e Perëndisë, që të mbani traditën tuaj.
10 Për shembull, Moisiu tha: ‘Ndero atin dhe nënën tënde’+ dhe ‘Ai që shan atin ose nënën, do të vdesë.’+
11 Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë të atit ose së ëmës: ‘Çdo gjë me të cilën mund të të ndihmoja, është kurban+ (domethënë dhuratë kushtuar+ Perëndisë)’”. . .
12 Prandaj ju nuk e lini më të bëjë asgjë për të atin ose të ëmën,+
13 dhe me anë të traditës që u përcillni të tjerëve, e bëni fjalën e Perëndisë+ të pavlefshme. Bëni edhe shumë gjëra+ të ngjashme me këto.»
14 Pastaj e thirri përsëri turmën pranë dhe u tha: «Më dëgjoni të gjithë dhe kapni domethënien.+
15 Njeriun nuk e ndot asgjë që hyn tek ai nga jashtë, por e ndotin ato që dalin nga ai.»+
16 ——*
17 Kur hynë në një shtëpi, larg turmës, dishepujt filluan ta pyetnin për ilustrimin.+
18 Kështu, ai u tha: «Edhe ju nuk jeni mendjemprehtë si ata?+ A nuk e kuptoni se njeriun nuk e ndot asgjë që hyn tek ai nga jashtë,
19 sepse ajo nuk hyn në zemrën e tij, por në zorrë dhe del në gjiriz?»+ Kështu, ai i shpalli të gjitha ushqimet të pastra.+
20 Përveç kësaj u tha: «Njeriun e ndot ajo që del nga ai,+
21 sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve,+ dalin arsyetime të dëmshme: kurvëri,+ vjedhje, vrasje,+
22 kurorëshkelje, lakmi,+ vepra ligësie, mashtrim, sjellje e shthurur,+ sy ziliqar, blasfemi, fodullëk, paarsyetueshmëri.
23 Të gjitha këto gjëra të liga dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun.»+
24 Nga aty, ai u çua e shkoi në viset e Tirit dhe të Sidonit.+ Hyri në një shtëpi dhe nuk deshi ta merrte vesh njeri, por nuk shpëtoi dot pa u vënë re.+
25 Menjëherë një grua, vajza e vogël e së cilës kishte një frymë të ndyrë, dëgjoi për të, erdhi dhe ra përpara këmbëve të tij.+
26 Gruaja ishte greke, por banonte në Sirofeniki. Ajo i kërkonte atij që të dëbonte demonin nga e bija.+
27 Por ai filloi t’i thoshte: «Le të ngopen më parë fëmijët, sepse nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve+ e t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.»+
28 Megjithatë, ajo iu përgjigj: «Po, imzot, por edhe këlyshët e qenve poshtë tryezës hanë nga thërrimet+ e fëmijëve të vegjël.»+
29 Atëherë ai i tha: «Meqë the këtë, shko, demoni ka dalë nga bija jote.»+
30 Kështu, ajo iku në shtëpi dhe e gjeti+ fëmijën të shtrirë në shtrat, kurse demoni kishte dalë.
31 Kur po kthehej nga viset e Tirit, ai shkoi përmes Sidonit drejt detit të Galilesë, mes për mes viseve të Dekapolit.+
32 Në atë vend, i çuan një njeri të shurdhër, që i mbahej goja, dhe iu përgjëruan të vinte dorën mbi të.+
33 Ai e mori veçmas, larg turmës, i futi gishtat në veshë dhe pasi pështyu, i preku gjuhën.+
34 Ngriti sytë nga qielli,+ psherëtiu+ thellë dhe i tha: «Éffatha», që do të thotë «hapu».
35 Veshët iu hapën+ e gjuha iu zgjidh, dhe ai filloi të fliste normalisht.
36 Jezui i porositi të mos i tregonin askujt,+ mirëpo, sa më shumë që i porosiste, aq më shumë flitnin ata.+
37 Në të vërtetë, ata ishin jashtëzakonisht të mahnitur+ dhe thoshin: «Të gjitha i ka bërë mirë. Ai i bën edhe të shurdhrit të dëgjojnë dhe të pagojët të flasin.»+