Mateu 10:1-42
10 Ai i thirri dymbëdhjetë dishepujt dhe u dha autoritet që të dëbonin frymërat e ndyra+ dhe të shëronin çdo lloj lëngate e sëmundjeje.
2 Emrat e dymbëdhjetë apostujve+ janë:+ i pari, Simoni, që e thërritnin Pjetër,+ Andrea,+ i vëllai; Jakovi, biri i Zebedeut+ dhe Gjoni, i vëllai;
3 Filipi dhe Bartolomeu;+ Thomai+ dhe Mateu,+ taksambledhësi; Jakovi, biri i Alfeut+ dhe Tadeu;
4 Simon i zellshmi*+ dhe Judë Iskarioti, i cili më vonë e tradhtoi+ Jezuin.
5 Këta të dymbëdhjetë Jezui i nisi dhe i urdhëroi:+ «Mos shkoni në rrugën e kombeve dhe mos hyni në asnjë qytet samaritan,+
6 por vazhdoni të shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.+
7 Shkoni dhe predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’+
8 Shëroni të sëmurë,+ ngrini të vdekur, pastroni të lebrosur, dëboni demonë. Falas morët, falas jepni.+
9 Mos merrni as ar, as argjend, as bakër në qeset tuaja,+
10 as trastë për udhën, as dy veshje të poshtme, as sandale, as shkop, sepse punëtori e meriton ushqimin e vet.+
11 Në çdo qytet ose fshat që të hyni, kërkoni atë që e meriton dhe qëndroni atje derisa të ikni.+
12 Kur të hyni në shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë,
13 dhe nëse shtëpia e meriton, paqja që i uroni, le të bjerë mbi të,+ por nëse nuk e meriton, paqja juaj le të kthehet te ju.
14 Në rast se dikush nuk ju pranon ose nuk i dëgjon fjalët tuaja, me të dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët.+
15 Vërtet po ju them: Ditën e Gjykimit do ta kenë më të lehtë Sodoma+ dhe Gomorra, sesa ai qytet.+
16 Po ju dërgoj si dele mes ujqërve,+ prandaj jini të kujdesshëm si gjarpërinjtë,+ e megjithatë të pafaj si pëllumbat.+
17 Ruhuni nga njerëzit,+ sepse do t’ju dorëzojnë në gjykata+ dhe do t’ju fshikullojnë+ nëpër sinagogat+ e tyre.
18 Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve,+ që të jepni dëshmi+ para tyre dhe kombeve.
19 Megjithatë, kur t’ju dorëzojnë, mos jini në ankth se si do të flitni ose ç’do të thoni, mbasi në atë çast do t’ju jepet se ç’keni për të thënë,+
20 sepse nuk do të flitni ju, por fryma e Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.+
21 Vëllai+ do të dorëzojë vëllanë në vdekje, babai fëmijën, dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve e do të bëjnë që të vriten.+
22 Për shkak të emrit tim do t’ju urrejnë të gjithë njerëzit,+ por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.+
23 Kur t’ju përndjekin në një qytet, ikni te një tjetër,+ sepse vërtet po ju them: nuk do ta përfundoni kurrsesi predikimin në tërë qarkun+ e qyteteve të Izraelit, derisa të mbërrijë Biri i njeriut.+
24 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi, as skllavi se zotëria.+
25 Dishepullit i mjafton të bëhet si mësuesi dhe skllavit si zotëria.+ Nëse njerëzit e quajtën Belzebub+ të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t’i quajnë kështu ata të shtëpisë së tij.
26 Prandaj, mos kini frikë prej tyre, sepse çdo gjë e mbuluar do të zbulohet dhe çdo gjë e fshehtë do të bëhet e njohur.+
27 Atë që jua them në errësirë, thuajeni në dritë dhe atë që dëgjoni të çuçuritet, predikojeni nga tarracat.+
28 Mos u frikësoni+ nga ata që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin, por kini frikë atë+ që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë.*+
29 A nuk shiten dy harabela për një qindarkë?*+ E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj.+
30 Megjithatë edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara.+
31 Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.+
32 Për këdo që dëshmon para njerëzve se është në unitet me mua, edhe unë do të dëshmoj para Atit tim, që është në qiej, se jam në unitet+ me të.
33 Por, këdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj+ para Atit tim, që është në qiej.
34 Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen,+ por shpatën.
35 Sepse erdha të shkaktoj ndarje: birin kundër të atit, bijën kundër së ëmës dhe nusen kundër së vjehrrës.+
36 Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.
37 Ai që ka për zemër babanë ose nënën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua, dhe ai që ka për zemër djalin ose vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.+
38 Kushdo që nuk e pranon shtyllën e vet të torturës dhe nuk më ndjek nga pas, nuk është i denjë për mua.+
39 Ai që e gjen shpirtin e vet, do ta humbasë, kurse ai që e humbet shpirtin për hirin tim, do ta gjejë.+
40 Ai që ju pranon ju, më pranon edhe mua, dhe ai që më pranon mua, pranon edhe atë që më dërgoi.+
41 Ai që pranon një profet, ngaqë është i tillë, do të marrë shpërblimin që i takon një profeti,+ dhe ai që pranon një të drejtë, ngaqë është i tillë, do të marrë shpërblimin që i takon një të drejti.+
42 Vërtet po ju them se ai që i jep për të pirë sikur edhe vetëm një kupë ujë të ftohtë njërit prej këtyre të vegjëlve, ngaqë është dishepull, s’do ta humbasë kurrsesi shpërblimin e tij.»+
Shënimet
^ Fjala aramaike kananen do të thotë «i zellshëm».
^ Shih Shtojcën 3C.
^ Fjalë për fjalë «një asarion», një e gjashtëmbëdhjeta pjesë e pagës ditore.