Mateu 12:1-50
12 Një ditë sabati, Jezui po ecte përmes arave me grurë.+ Dishepujt e tij i mori uria dhe nisën të këputnin kallinj gruri e të hanin.+
2 Kur panë këtë, farisenjtë i thanë:+ «Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e ligjshme të bëhet në sabat.»+
3 Ai ua ktheu: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe ata që ishin me të?+
4 Se si hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngrën bukët e paraqitjes,+ të cilat s’ishte e ligjshme+ t’i hanin as ai dhe as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë.+
5 Apo nuk e keni lexuar në Ligj+ se në sabat priftërinjtë në tempull e konsiderojnë sabatin si të mos jetë i shenjtë, dhe megjithatë mbeten të pafaj?+
6 Por unë po ju them se këtu është diçka më e madhe se tempulli.+
7 Megjithatë, po të kishit kuptuar se ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë,+ dhe jo flijim’,+ nuk do t’i kishit dënuar të pafajët.
8 Sepse Biri i njeriut është Zotëri i sabatit.»+
9 Pasi u largua që andej, ai shkoi në sinagogën e tyre,
10 dhe atje pa një njeri me dorë të tharë.+ Me qëllim që ta akuzonin, ata e pyetën: «A është e ligjshme të shërosh në sabat?»+
11 Ai u përgjigj: «Cili nga ju, po të kishte një dele të vetme dhe t’i binte në gropë+ në sabat, nuk do ta kapte e ta nxirrte që andej?+
12 E pra, një njeri vlen më shumë se një dele!+ Prandaj, është e ligjshme të bësh një të mirë në sabat.»
13 Atëherë i tha njeriut: «Shtrije dorën!» Ai e shtriu, dhe ajo u shërua e u bë e shëndoshë si tjetra.+
14 Por farisenjtë dolën dhe u këshilluan kundër tij për ta vrarë.+
15 Kur e mori vesh, Jezui u largua që andej. Atë e ndoqën pas shumë veta, dhe ai i shëroi të gjithë,+
16 por i urdhëroi prerazi të mos tregonin për të,+
17 që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit Isaia:
18 «Ja, shërbëtori im,+ të cilin e zgjodha, i dashuri im,+ të cilin shpirti im e miratoi! Unë do të vë tek ai frymën time,+ dhe ai do t’u bëjë të qartë kombeve se ç’është drejtësia.
19 Ai nuk do të grindet,+ as do të bërtasë fort dhe askush nuk do ta dëgjojë zërin e tij udhëve të gjera.
20 Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin e lirit që digjet në vetvete.+ Ai do të jetë i tillë derisa ta bëjë drejtësinë+ të triumfojë.
21 Kombet do të shpresojnë në emrin e tij.»+
22 Pastaj i sollën një të pushtuar nga demonët, të verbër dhe të pagojë. Ai e shëroi, dhe i pagoji foli e shikoi.
23 Gjithë turma mbeti gojëhapur dhe thoshte:+ «Mos është ky Biri i Davidit?!»+
24 Kur dëgjuan këtë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon demonët vetëm me anë të Belzebubit, sundimtarit të demonëve.»+
25 Duke i ditur mendimet e tyre,+ ai u tha: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim+ dhe çdo qytet apo shtëpi e përçarë, nuk qëndron.
26 Po ashtu, nëse Satanai dëbon Satanain, do të thotë që është përçarë. Si do të qëndrojë, pra, mbretëria e tij?
27 Nëse unë i dëboj demonët me anë të Belzebubit,+ me anë të kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Ja përse bijtë tuaj do të jenë gjykatësit tuaj.
28 Por, nëse unë i dëboj demonët me anë të frymës së Perëndisë, mbretëria e Perëndisë ju ka zënë në befasi!+
29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e t’i marrë plaçkat, po të mos e lidhë më parë atë? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.+
30 Ai që nuk është me mua, është kundër meje dhe ai që nuk mbledh me mua, shpërndan.+
31 Prandaj po ju them se njerëzve do t’u falet çdo lloj mëkati dhe blasfemie, kurse blasfemia kundër frymës nuk do të falet.+
32 Për shembull, kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet,+ por kushdo që flet kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet, jo, as në këtë sistem dhe as në atë që do të vijë.+
33 Pema juaj ose është e mirë dhe jep fryt të mirë, ose është e kalbur dhe jep fryt të kalbur. Sepse pema njihet nga fryti që jep.+
34 Pjellë nepërkash,+ si mund të thoni gjëra të mira, kur jeni të ligj?+ Sepse goja flet nga mbushullia e zemrës.+
35 Njeriu i mirë nxjerr gjëra të mira+ nga thesari i vet i mirë, kurse njeriu i lig nxjerr gjëra të liga nga thesari i vet i lig.+
36 Unë po ju them se Ditën e Gjykimit njerëzit do të japin llogari+ për të gjitha fjalët e kota që thonë,
37 sepse nga fjalët e tua ose do të shpallesh i drejtë, ose do të dënohesh.»+
38 Atëherë disa nga skribët dhe farisenjtë iu përgjigjën: «Mësues, ne duam të shohim një shenjë nga ti.»+
39 Ai ua ktheu: «Një brez i lig dhe kurorëshkelës+ vazhdon të kërkojë një shenjë, por asnjë shenjë s’do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.+
40 Sepse ashtu si Jonai+ qëndroi në barkun e peshkut të madh tri ditë e tri net, kështu edhe Biri i njeriut+ do të qëndrojë në zemër të tokës+ tri ditë e tri net.+
41 Njerëzit e Ninevisë do të ringjallen me këtë brez+ Ditën e Gjykimit dhe do ta dënojnë,+ sepse ata u penduan nga ajo që predikoi Jonai.+ Por ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.
42 Mbretëresha e jugut+ do të ringjallet me këtë brez Ditën e Gjykimit dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga fundi i botës për të dëgjuar mençurinë e Solomonit. Por ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.+
43 Kur një frymë e ndyrë del nga një njeri, kalon nëpër vende të thara, në kërkim të një vendi ku të pushojë, por nuk gjen asnjë.+
44 Atëherë thotë: ‘Do të kthehem në shtëpinë nga dola’. Me të mbërritur atje, e gjen të pabanuar, por të fshirë e të stolisur.
45 Atëherë shkon dhe merr me vete shtatë frymëra të ndryshme, më të liga se vetja,+ dhe hyjnë e banojnë atje. Kështu përfundimisht gjendja e atij njeriu bëhet më e keqe se në fillim.+ Njësoj do të jetë edhe me këtë brez të lig.»+
46 Ndërsa ai po i fliste ende turmës, e ëma dhe vëllezërit+ e tij po rrinin jashtë dhe donin t’i flitnin.
47 Prandaj dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë jashtë dhe duan të të flasin.»
48 Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime dhe cilët janë vëllezërit e mi?»+
49 Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve të tij dhe tha: «Ja, nëna ime dhe vëllezërit e mi!+
50 Sepse vëllai im dhe motra e nëna ime është kushdo që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell.»