Mateu 14:1-36
14 Pikërisht në atë kohë, Herodi, qeveritari i krahinës, dëgjoi për Jezuin+
2 dhe u tha shërbëtorëve të tij: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngritur nga të vdekurit, prandaj është në gjendje të kryejë vepra të fuqishme.»+
3 Sepse Herodi e kishte arrestuar Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait,+
4 ngaqë ai i thoshte: «Nuk është e ligjshme ta kesh atë për grua.»+
5 Megjithatë, edhe pse donte ta vriste, ai kishte frikë nga turma, sepse ata e mbanin për profet.+
6 Mirëpo, kur po festohej ditëlindja+ e Herodit, e bija e Herodiadës kërceu atje, dhe Herodit i pëlqeu aq shumë,
7 sa u betua se do t’i jepte ç’t’i kërkonte.+
8 E mësuar nga e ëma, ajo i tha: «Më jep këtu, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»+
9 Edhe pse i hidhëruar, mbreti, për shkak të besë që kishte bërë dhe për shkak të atyre që ishin shtruar bashkë me të në tryezë, urdhëroi që t’i jepej koka e Gjonit.+
10 Kështu dërgoi njerëz në burg që t’i pritnin kokën Gjonit.
11 Pastaj kokën e Gjonit e sollën në një tabaka dhe ia dhanë vashës, e cila ia çoi së ëmës.+
12 Më vonë, dishepujt e tij erdhën, morën kufomën, dhe e varrosën.+ Pastaj njoftuan Jezuin.
13 Kur dëgjoi këtë, Jezui u largua që andej me barkë në një vend të vetmuar, që të qëndronte vetëm.+ Por, kur e mori vesh, turma e ndoqi në këmbë nga qytetet.
14 Kështu, kur zbriti nga barka, ai pa një turmë të madhe, ndjeu keqardhje+ për ta dhe i shëroi ata që ishin të sëmurë.+
15 Kur ra mbrëmja, dishepujt e vet vajtën dhe i thanë: «Vendi është i vetmuar dhe ka vajtur shumë vonë. Lëre turmën të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë diçka për të ngrënë.»+
16 Megjithatë, Jezui u tha: «S’kanë pse të ikin. Jepuni ju diçka për të ngrënë.»+
17 Ata i thanë: «S’kemi asgjë këtu, përveç pesë bukëve dhe dy peshqve.»+
18 Ai ua ktheu: «M’i sillni këtu.»
19 Pastaj e urdhëroi turmën të shtrohej në bar, mori pesë bukët e dy peshqit dhe i bekoi, duke ngritur sytë nga qielli.+ Pastaj theu bukët, ua shpërndau dishepujve, dhe ata ia shpërndanë turmës.+
20 Kështu, të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: dymbëdhjetë shporta plot.+
21 E megjithatë, ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve.+
22 Atëherë, pa vonuar, ai i detyroi dishepujt e tij të hipnin në barkë e të shkonin përpara tij në anën tjetër, ndërsa ai niste turmën.+
23 Pasi e kishte nisur turmën, u ngjit vetëm në mal që të lutej.+ Edhe pse u bë vonë, ai ishte atje vetëm.
24 Ndërkaq, barka gjendej shumë larg tokës dhe përplasej nga dallgët,+ sepse erën e kishin kundër.
25 Por, herët në mëngjes,* ai vajti tek ata, duke ecur mbi det.+
26 Kur e vunë re që po ecte mbi det, dishepujt u shqetësuan dhe thanë: «Është një fanitje!»+ Dhe thërritën nga frika.
27 Menjëherë, Jezui u tha: «Merrni zemër, jam unë,+ mos kini frikë.»
28 Pjetri u përgjigj: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.»
29 Ai i tha: «Eja!» Menjëherë, Pjetri zbriti nga barka,+ eci mbi ujë dhe shkoi drejt Jezuit.
30 Por kur pa stuhinë, u frikësua dhe, ngaqë nisi të fundosej, thërriti: «Zotëri, më shpëto!»
31 Jezui shtriu menjëherë dorën, e kapi dhe i tha: «Besëpak, përse të mposhti dyshimi?!»+
32 Kur hipën në barkë, tufani ra.
33 Atëherë ata që gjendeshin në barkë, i bënë nderime dhe i thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!»+
34 Pastaj kaluan në anën tjetër dhe vajtën në Genesaret.+
35 Sapo e njohën, njerëzit e atij vendi dërguan fjalë në gjithë vendin përreth dhe i çuan gjithë të sëmurët.+
36 Ata i përgjëroheshin që t’i preknin të paktën thekun e rrobës.+ Kështu, të gjithë ata që i prekën thekun, u shëruan plotësisht.
Shënimet
^ Ose «në kohën e ndërresës së katërt të natës». Sipas ndarjes që i bënin natës grekët dhe romakët, nga ora 3 e mëngjesit derisa lindte dielli.