Mateu 19:1-30
19 Kur mbaroi këto fjalë, Jezui u nis nga Galilea dhe vajti në kufijtë e Judesë, matanë Jordanit.+
2 Edhe atje e ndoqi një turmë e madhe, dhe ai i shëroi.+
3 Disa farisenj iu afruan dhe e pyetën, që ta tundonin: «A është e ligjshme që burri ta divorcojë gruan për çdo lloj arsyeje?»+
4 Ai iu përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër?+
5 A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën+ e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’+
6 Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»+
7 Ata e pyetën: «Përse, atëherë, Moisiu porositi që t’i japë një dëshmi se e ka përzënë dhe ta divorcojë?»+
8 Ai u tha: «Moisiu ju bëri këtë lëshim që të divorconi gratë tuaja për shkak të zemërgurësisë suaj,+ por në fillim nuk ishte kështu.+
9 Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»+
10 Dishepujt i thanë: «Nëse është kështu puna mes burrit dhe gruas, atëherë është më mirë të mos martohesh.»+
11 Ai u tha: «Jo të gjithë njerëzit u bëjnë vend këtyre fjalëve, por vetëm ata që kanë dhuratën.+
12 Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë,+ ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka nga ata që janë bërë vetë eunukë, për hir të mbretërisë së qiejve. Kush mund ta pranojë këtë, le ta pranojë.»+
13 Pastaj i çuan disa fëmijë të vegjël, që të vinte duart mbi ta e të lutej, por dishepujt i qortuan.+
14 Atëherë Jezui tha: «Lërini rehat fëmijët dhe mos i pengoni më të vijnë tek unë, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si këta.»+
15 Pastaj vuri duart mbi ta dhe iku që andej.+
16 Atëherë iu afrua dikush dhe e pyeti: «Mësues, ç’të mirë duhet të bëj që të kem jetën e përhershme?»+
17 Ai iu përgjigj: «Pse më pyet mua se çfarë është e mirë? Një i vetëm është i mirë.+ Prandaj, nëse dëshiron të kesh jetën, zbato vazhdimisht urdhërimet.»+
18 Ai e pyeti: «Cilat?»+ Jezui i tha: «Po ja, mos vrit,+ mos kryej kurorëshkelje,+ mos vidh,+ mos jep dëshmi të rreme,+
19 ndero atin dhe nënën tënde+ dhe duaje të afërmin tënd si veten.»+
20 I riu i tha: «I kam bërë të gjitha këto. Çfarë më mungon akoma?»
21 Jezui iu përgjigj: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit zotërimet e tua dhe paratë jepua të varfërve, e do të kesh një thesar në qiell.+ Pastaj eja e bëhu ithtari im.»+
22 Kur i riu i dëgjoi këto fjalë, iku i hidhëruar, sepse kishte shumë zotërime.+
23 Por Jezui u tha dishepujve të tij: «Vërtet po ju them se një i pasur do ta ketë të vështirë të futet në mbretërinë e qiejve.+
24 Përsëri po ju them: është më e lehtë që të kalojë një deve nëpër një vrimë gjilpëre, sesa të futet një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.»+
25 Kur dishepujt e dëgjuan këtë, u habitën shumë dhe thanë: «Kush mund të shpëtojë vallë?»+
26 Duke i parë në sy, Jezui u tha: «Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë gjithçka është e mundur.»+
27 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. Vallë, ç’do të ketë për ne?»+
28 Jezui u përgjigj: «Vërtet po ju them se në përtëritjen e krijimit, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që më keni ndjekur, do të uleni edhe vetë në dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.+
29 Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.+
30 Por shumë që janë të parët, do të jenë të fundit, dhe të fundit do të jenë të parët.+